Marrë nga: “aab.al”
Këto tarifa janë pagesa që bëhen për mirëmbajtje llogarie, për shpenzimet noteriale, për sigurimin e jetës dhe të pronës, pagesën për vlerësimin e objektit, për hipotekën, për shpenzime administrative dhe për penalitete, në rastet kur vonohen këstet
Në momentin që shkon për të marrë kredi, procedura bëhet shumë e thjeshtë nga ana e bankave. Bankat në asnjë rast nuk u tregojnë klientëve për tarifat shtesë që duhet të paguajnë dhe i lënë “surprizë” për në fund. Këto tarifa janë pagesa që bëhen për mirëmbajtje llogarie, për shpenzimet noteriale, për sigurimin e jetës dhe të pronës, pagesën për vlerësimin e objektit, për hipotekën, për shpenzime administrative dhe për penalitete, në rastet kur vonohen këstet. Të gjitha këto shpenzime paguhen nga klientët dhe asnjëherë bankat nuk i ndajnë ato.
Shpenzimet administrative
Këto shpenzime ndryshojnë në varësi të bankave (mund të variojë nga 1%-2% të shumës së huasë, minimumi 150 euro). Nëse ju do të financoni një kredi për shtëpi në shumën e 50.000 euro, e nëse shpenzimi administrativ i aplikuar është 1% mbi huanë, ju do të paguani 500 euro). Shpenzimet administrative mund të paguhen në fillim të kredisë (në moment që ajo miratohet) ose në momentin e disbursimit të kredisë (në varësi të procedurës së bankës).
Shpenzimet noteriale
Janë shpenzime që shërbejnë për pagesën e noterizimit të kontratave që lidhen midis klientit dhe bankës. Këto kontrata janë kontrata huaje, hipotekimi, dorëzanie. Shuma e këtij shpenzimi varion në varësi të marrëveshjes që mund të kenë bërë bankat me noterët përkatës si dhe nga numri i kontratave që noterizohen (p.sh. mund të jetë më shumë se një kontratë hipotekimi). Minimumi i kësaj pagese është 3.000 lekë.
Polica e sigurimit te jetës
Pajisja me police sigurimi është një nga kërkesat e domosdoshme të bankës (por jo të gjitha bankat e kërkojnë), nëse do të kreditoheni me një kredi për shtëpi. Vlera e primit të paguar për këtë police varet nga shuma e huasë dhe nga mosha e klientit. Kjo do të thotë se sa më e madhe vlera e kredisë dhe sa më e madhe mosha e klientit aq më i madh është dhe premiumi për t’u paguar. Zakonisht primi i policës së jetës është i pagueshëm çdo vit bazuar gjithnjë mbi shumën e mbetur të huasë (për rinovimin e policës së jetës janë vetë bankat që përkujdesen duke debituar automatikisht llogarinë tuaj dhe duke kredituar kompaninë e sigurimit, për të shmangur çdo problematikë në rast ndodhje të ngjarjes së dëmit). Në përgjithësi është vetë Banka që përcakton kompanitë e sigurimit (në përgjithësi bankat kanë marrëveshje me kompanitë e sigurimit për klientët e tyre ndaj të cilëve aplikohen tarifa më të buta). Edhe kompanitë e sigurimit kanë limitet e tyre të lëshimit të policave bazuar mbi moshën (maksimumi është 65 vjeç).
Polica e sigurimit të pronës nga tërmeti dhe zjarri
Polica të sigurimit dhe pronës (të cilat nuk janë të pranishme në të gjitha bankat) janë rreziqet më të zakonshme dhe të rëndësishme nga pikëpamja e riskut të kolateralit. Primi i këtij sigurimi mund të paguhet me baze vjetore ose për të gjithë periudhën e kredisë (në varësi të procedurave të bankës). Vlera e primit të policës varet nga shuma e huasë, por edhe nga karakteristikat e objektit të siguruar (vile, apartament, shtëpi ekzistuese) ose nga vlera e tërë objektit (ka banka të cilat bëjnë këtë lloj sigurimi (bazuar mbi vlerën e objektit të përcaktuar nga vlerësuesi i kompanisë ose i bankës). Kësisoj ku primi është më i lartë se ai që siguron vetëm vlerën e kredisë.
Pagesa e vlerësimit të objektit
Një nga shpenzimet është pagesa për vlerësimin e pasurisë që shërben si kolateral. Për këtë qëllim bankat përdorin vlerësues privatë. Zakonisht kostoja e vlerësimit varet nga objekti që vlerësohet dhe vendndodhja e tij dhe ndryshon në varësi të bankave dhe marrëveshjet që ato kanë lidhur me vlerësuesit për sa i takon tarifave (Min. 70 euro- Maksimum 150 euro).
Shpenzimet e hipotekës për bllokimin e pronës
Shpenzimet e hipotekës në favor të bankës në zyrën e Regjistrit të pasurive të Paluajtshme (Min. 3.000 lekë – 10.000 lekë) në varësi të shumës së huasë dhe të kontratave të hipotekimit që regjistrohen. Zakonisht banka e udhëzon klientin për shumën e saktë për t’u paguar.
Shpenzim mujor për mirëmbajtje llogarie
Bankat aplikojnë gjithashtu dhe një shpenzim mujor për mirëmbajtje llogarie e cila mund të variojë nga 150-500 lekë, 1.5-5 EUR/USD në varësi të kushteve të secilës bankë.
Tarifë penaliteti
Në rast likuidimi të parakohshëm të kredisë qoftë pjesore qoftë totale, bankat (por jo gjithmon) zakonisht aplikojnë një tarifë penaliteti për shumën e kapitalit të mbetur (që varion nga shuma fikse deri në 5% të shumës së parapaguar).
Ja pse kërkohet sigurimi i jetës dhe i pronës
Sigurimi është një formë e transferimit të riskut nga klienti tek shoqëria e sigurimit. Në këtë mënyrë, sigurimet reduktojnë barrën financiare dhe lehtëson vazhdimësinë e jetës së familjes pas ndodhjes së një fatkeqësie dhe kanë një impakt të rëndësishëm social pasi ulin kostot individuale dhe publike në rast të ndodhjes të fatkeqësive. Në rast humbje të jetës së klientit huamarrës ose të paaftësisë së plotë të përhershme të tij për punë, kompania e sigurimit dëmshpërblen bankën për shumën aktuale të kredisë deri në atë moment, dhe banka çliron nga barra hipotekore garancitë përkatëse. Në këtë rast familja e huamarrësit është e mbrojtur nga detyrimet e mëtejshme bankare. Ndërsa në rastin e sigurimit të një kredie për shtëpi, është po në interesin e bankë që të sigurojë pagesën e kësteve të huasë në mënyrë të rregullt, dhe faktorët që do të ndikonin në pamundësinë e klientit për kthimin e huasë ose të bankës për ekzekutimin e kolateralit mund të ishin dhe humbja totale e banesës nga zjarri ose tërmeti. Këto do të ishin edhe sigurimet bazë që banka do të kërkonte të kryheshin në mënyrë të detyrueshme për të mbrojtur interesin e saj në huanë e dhënë dhe objektin e huasë. Ndërkohë, mund të ketë edhe dëmtime të tjera si p.sh.: dëme të pjesshme në banesë nga zjarri, rrjedhja e ujit, thyerja e xhamave, ose dëmtime të pjesshme trupore të vetë huamarrësit, të cilat megjithëse prekin interesat e klientit, nuk janë të tilla që të ndikojnë në aftësinë e tij për të paguar huanë. Për këto lloje rreziqesh klienti mund të kryejë sigurime plotësuese, por nuk do të ishin të detyrueshme.