Skënderbeu “rrëzohet” tek më e bukura, Karagandi prek kualifikimin

0
166

Altin Vorpsi

Shpresat e Skënderbeut për të kaluar në fazën play-off të Champions League marrin një goditje të fortë, pasi kampionët e vendit kapitullojnë 3-0 në Astana

 

1001898_561460647224994_982197091_nNë Astana të Kazakistanit ëndrra e Skënderbeut është kthyer në një makth. Formacioni i Shakhtar Karagandit konfirmoi supermacinë, duke mposhtur pa shumë histori kampionët e Shqipërisë, që shkuan në këtë sfidë “të dobësuar”. Mungesa e Gilman Likës dhe cilësitë e rivalëve që në turin e dytë eliminator kishin eliminuar një ekip si Bate, ishin shumë për “ujqërit e dëborës”, që pas një jave presin të luajnë në “Qemal Stafa” një ndeshje pa shumë histori.

Zgjedhjet e Josës

Trajneri Mirel Josa i besoi të njëjtës skemë, që funksionoi edhe në Baku, kundër Neftçit, ajo 4-1-4-1, me një mesfushë tepër kompakte dhe me kroatin Pero Pejiç të vetëm në sulm (u zëvendësua nga Nimaga me fillimin e pjesës së dytë). Kështu, nga Shehi në portë dhe para tij katërshja e mbrojtjes e përbërë nga Ademir, Radas dhe Gvozdenoviç në qendër dhe Vrapi në të majtë, i cili zëvendësoi Arapin, që ka rezultuar i pezulluar për këtë ndeshje për shkak kartonësh dhe nuk figuronte as në stolin e rezervave. Në mesin e fushës luante si regjisor kapiteni Shkëmbi, me Orelesin dhe Lilajn që ishin dy krahët e tij, për t’ia lehtësuar punën numrit 10 të Skënderbeut, duke i krijuar sa më shumë hapësirë në qendër të mesfushës. Ishte pikërisht ai, lojtari që “ndërtoi” çdo aksion të skuadrës. Në krahun e djathtë aktivizohej Tomiç, që mbushi “humnerën” e lënë bosh nga Gilman Lika, i larguar para dy ditësh drejt Arabisë. Në të majtë pozicionohej i rikuperuari Jetmir Sefa, por me Abazin gati për t’u futur nga stoli. Të dy këta futbollistë kishin disi detyra më mbrojtëse se në ndeshjen e Korçës kundër Neftçit dhe ishte sërish Tomiç, ai që pati detyrën të ndihmonte më shumë sulmuesin e vetëm.

Pjesa e parë

Ndeshja nis në sulm për kazakistanasit, që tregojnë qartë ambicien për t’i zhbllokuar shifrat sa më shpejt. Ngulmojnë në gjysmëfushën korçare, përmes pasimesh vertikale dhe daljesh në krahë, derisa vjen minuta e 8-të, kur Džidiç shënon në portën e Shehit, pas një asisti që ka marrë nga Simčeviç. Edhe në minutën e 11-të, Shakhter ka mundësi shënimi, por kësaj radhe durrsaku i portës së Skënderbeut grushton dhe eviton dyfishimin e rezultatit. Vuan presingun asfiksues të kazakëve skuadra e Josës, që e ka tepër të vështirë të organizohet dhe ta kalojë mesin e fushës. Shkëmbi mundohet të qetësojë disi situatën përmes mbajtjes së topit dhe qarkullimit të tij, por vendësit janë tepër të vendosur për topin e parë dhe nuk lejojnë aspak hapësirë manovrimi për juglindorët. Pas minutës së 15-të nis të orientohet disi në fushë skuadra jonë kampione, teksa ndërmerr aksione nga krahët. Tomiç dhe Ademir mbështesin mirë njëri-tjetrin nga e djathta, por krosimet për te Pejiç mungojnë. Edhe në ato raste kur shtatlarti kroat merr ndonjë top të bukur nga Lilaj dhe Shkëmbi, gjendet në darën e tre mbrojtësve vendës, që s’e lënë të bëjë asgjë. Sulmi i Skënderbeut është i shkëputur nga repartet e tjera, ndërkohë që mbrojtja nuk gjen qetësi, sidomos në të majtë, ku Vrapi ka shumë punë me kundërshtarin e vet.Pikërisht ky krah është evidentuar si pikë e dobët e kuqebardhëve, ndaj aty sulmon dendur Shakhteri. Konsumohen 30 minutat e para të ndeshjes dhe Skënderbeu nuk ka gjuajtur asnjëherë në drejtim të portës kundërshtare, përkundrejt 8 goditjeve të vendësve në kuadratin e Shehit, dy prej të cilave të pritura mjeshtërisht nga durrsaku dhe një e tillë e përfunduar në rrjetë, në minutën e 8-të. E gjitha kjo dëshmon superioritetin e vendësve në fushën e lojës. Zenkovish për Shakhtar shënon golin e dytë me kokë, pas goditjes së këndit në minutën e 36-të, por është kapur më herët në pozicion jashtë loje.

Pjesa e dytë

Fraksioni i dytë nis me ndryshime. Mirel Josës iu sos durimi me Pejiçin dhe vendosi që të në vend të tij të hedhë në sulm Nimagan. Edhe dje kroati vijoi të zhgënjejë si ndeshjen e kthimit me Neftçi.Kjo pjesë e lojës nisi me një rast të dyshimtë pasi në minutën e 48-të, Lilaj pengohet në mënyrë të parregullt në zonën vendëse, por kryesori rus bën me shenjë që loja të vazhdojë. Kontestojnë korçarët, por më kot. Në minutën e 64-t Skënderbeu shënon një tjetër rast. Shkëmbi fut një top pas krahëve të mbrojtjes kazake, së cilës i vidhet me shpejtësi Nimaga, që del i vetëm me portierin vendës, por godet jo saktë. Topi kalon tej shtyllës pingule. Josa bën ndërrimin e parë në minutën e 72-të, duke hedhur në lojë kosovarin Abazi dhe nxjerrë kroatin Tomiç. Ky i fundit nuk pati performancën e pak ditëve më parë, kur shkëlqeu ndaj Neftçit dhe ishte një nga strumbullarët e golit të Orelesit. Sidoqoftë, nuk i rezulton për mirë kjo lëvizje, sepse nga ky krah do të vinte në minutën e 79-të edhe aksioni i golit të dytë të kazakëve. Kësaj radhe është Murtazayev, ai që e ndëshkon për herë të dytë portierin Shehi, duke e vënë në baza më të sigurta fitoren e të tijve dhe pse jo, ndoshta edhe kualifikimin. Ndërkohë që në minutën e 90’ është Sergey Khizhniçenko ai që mbylli çdo histori. Ky rreezultat lë shumë pak shpresa reale për djemtë e Mirel Josës. Ekipi kampion i Shqipërisë e ka mjaft të vështirë të bëjnë një tjetër surprizë në kthim, ta përmbysin këtë disavantazh dhe të shkojnë ata në fazën e “play-off”-it të Championsit.

 

Skeda

SHAKHTER KARANGADI-SKËNDERBEU  3-0

Golat: Džidić 8′, Murtazayev 79′, Khizhnichenko 90′

SHAKHTER: Mokin, Vasiljević, Poryvaev, Džidić, Simčević, Vičius, Ghazaryan, Cañas (Bayzhanov 90+1′), Finonchenko (Darabayev 86′), Zenkovich (Murtazayev 73′), Khizhnichenk. Trajner: Viktor Kumykov

SKËNDERBEU: Shehi, Radas, Gvozdenovic (Dimo 90+1′), Vrapi, Ademir, Shkembi, Orelesi, Sefa, S.Lilaj, Tomic (Abazi 72′), Pejic (NImaga 46′). Trajner: Mirel Josa

Gjyqtarë: A.Nikolaev, T.Kalugin, V.Drozdov (Rusi)

Kartonë të verdhë: Finonchenko 23′

 

 

 

Merkato

Berisha shkon tek Kievo

Tashmë është zyrtare, Etrit Berisha do të jetë shqiptari i radhës në Serinë A. Portieri titullar i kombëtares shqiptare nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me Kievo Veronën. Lajmin e bën të ditur klubi venet nëpërmjet një komunikate të publikuar dje në faqen zyrtare të internetit. Sipas asaj që shkruhet në komunikatën zyrtare, portieri shqiptar do të bashkohet me ekipin në janarin e vitit 2014, pasi të ketë përfunduar plotësisht detyrimet kontraktuale me Kalmarin në Suedi. Kjo do të thotë se shtatlarti kuqezi do të lirohet me parametra zero nga klubi italian që i propozoi një kontratë 3-vjeçare dhe ndoshta edhe vendin e titullarit në “Bentegodi”. Etrit Berisha do të pajiset me pasaportë suedeze brenda një kohe të shkurtër, për të luajtur si lojtar komunitar në radhët e verdhebluve të presidentit Kampedeli. Kjo nuk është hera e parë që Kievo Verona bashkon me grupin e saj një portier shqiptar, sepse ishte Samir Ujkani ai që u transferua te kjo skuadër të merkaton e dimrit gjatë këtij viti në formë huazimi nga Palermo. Pas disa muajve ku nuk arriti të gjente një vend në formacionin titullar, zëvendësuesi i Berishës në kombëtare, u rikthye te skuadra siciliane ku po vazhdon stërvitjen aktualisht. Etrit Berisha lindi në Prishtinë 24 vjet më parë dhe e nisi karrierën me skuadrën vendase 2 Korriku për t’u transferuar në vitin 2008 te Kalmari në Suedi.

 

Goditja

Mazrekaj vjen për gjashtë muaj te Partizani

Gjithçka qështë qartësuar. Një nga talentët më të mëdhenj të futbollit kosovarë do jetë pjesë e Superligës vitin e ardhshëm. Flasim për Mentor Mazrekajn që do t’i bashkohet Partizanit për gjashtë muaj. Lojtari do të jetë i huazuar në klubin “e kuq”, duke qenë se ka ende një vit kontratë me Prishtinën, por ka edhe opsionin e rinovimit me Partizanin. Drejtuesit e Partizanit i kanë nisur dje futbollistit kontratën me faks dhe mesfushori, pas konsultimeve që ka pasur edhe me presidentin Ejupi, ka firmosur duke iu bashkuar Besnik Krasniqit, Labinot Ibrahimit, Behar Maliqit dhe Amir Rrahmanit, të cilët aktualisht janë duke u stërvitur me ekipin në fazën përgatitore në Greqi. Mazrekaj ka qenë në objektivat e shumë skuadrave të Kategorisë Superiore, megjithatë binjakëzimi që ekziston mes Partizanit dhe Prishtinës ka bërë që drejtuesit kosovarë ta kalojnë lojtarin te skuadra kryeqytetase. Një kalim të tillë e kanë konfirmuar edhe burime pranë Mazrekut. Ndërkohë, sot talenti do të japë një konferencë për shtyp në ambientet e klubit të Prishtinës, ku do të bëhet i ditur zyrtarizimi i kalimit te skuadra e Partizanit. “Në zyrën e klubit, nga ora 12:00, mbahet konferenca për shtyp me rastin e vazhdimit të kontratës me Mentor Mazrekajn dhe njëkohësisht huazimin e tij te Partizani i Tiranës”, – thuhet në një deklaratë të klubit kosovar. Ndërkohë kujtojmë që lojtari një vit më parë ishte shumë pranë kalimit në Kategorinë Superiore te skuadra e Tiranës, por tratativat u prishën vetëm në momentin e fundit.

 

Kukësi

Presidenti Nishani jep nënshtetësinë për 2 futbollistët kosovarë

Kualifikimi në turin e tretë të Ligës së Evropës e përball skuadrën shqiptare të Kukësit me skuadrën Metalurg Donjetsk, të Ukrainës. Por duke qenë se ky shtet nuk e njeh Kosovën, është dashur që Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, të japë nënshtetësinë shqiptare për dy futbollistë kosovarë që luajnë me skuadrën e Kukësit. Mësohet se Presidenti i Shqipërisë ka firmosur një nënshtetësi me procedura të përshpejtuara, pikërisht për ndeshjen në fjalë. Futbollistët që kanë marrë nënshtetësinë janë Yll Hoxha dhe Besar Musolli. Kukësi do të luajë me Metalurg Donjetsk më 1 gusht në Tiranë, ku shpresojnë për fitoren, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në Ukrainë më 8 gusht. Kuksianët kanë mbajtur fort barazimin 0-0 me Sarajevon në Bosnjë, duke u kualifikuar për në turin e tretë të Ligës së Evropës, kur kujtojmë që takimin e parë e kishin fituar 3-2 në Tiranë. Një barazim i vuajtur në vetvete, por që ka mbartur emocione, pasi ka qenë historike jo vetëm për Kukësin, por edhe për ekipet shqiptare në tërësi që përfaqësohen në Evropë. Vetëm Flamurtari në vitet 80’ kishte mundur të kalonte dy ture dhe ja tani e bën realitet edhe Kukësi .

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency