Gëzim Saliu
Kolegji hodhi poshtë dje animimin e PPKD-së, e cila kërkonte pavlefshmëri të zgjedhjeve në të gjitha qarqet e vendit
Kolegji Zgjedhor vendos sot për kërkesën e fundit ankimore lidhur me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Pas tërheqjes së Partisë Socialiste nga kërkesa për rivotim në qarkun e Lezhës, sot do të shqyrtohet në Kolegji ankimimi i PD-së për rinumërim të votave të këtij qarku. Ndërkohë Kolegji rrëzoi dje kërkesën ankimore të Partisë Popullore Kristian Demokrate për pavlefshmëri në të gjitha qarqet e vendit, ku nuk i shqyrtoi kërkesat për pavlefshmëri në një sërë qarqesh, pasi ankimimi për to ishte bërë jashtë afatit ligjor.
Certifikimi
Vendimi i djeshëm i Kolegjit Zgjedhor i hapi rrugën Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që brenda 3 ditëve të bëjë ndarjen e mandateve për 11 qarqe të vendit. Nisur nga fakti se institucioni më i lartë i administrimit zgjedhor nuk ka kuorumin e domosdoshëm për të vendosur për ndarjen e mandateve, pritet që këtë kompetencë t’ia kalojë sërish Kolegjit për miratim. Por për certifikimin e rezultatit përfundimtar do të duhet më parë të mbyllet çështja e qarkut të Lezhës. Ankimimi i Partisë Demokratike, ku kërkohet rinumërimi i votave për të gjithë qarkun e Lezhës, do të shqyrtohet sot nga Kolegji Zgjedhor. Më parë ky organ e cilësoi rinumërimin e votave nga KQZ për këtë qark si antiligjor dhe e hodhi poshtë atë. Nisur nga kjo, PD iu drejtua Kolegjit ku kërkoi rinumërimin e 10 kutive të votimit në Qarkun Lezhë, tabelat e rezultateve të së cilave kanë pasur manipulime si edhe miratimin e tabelave të të gjitha kutive të rinumëruara nga KQZ. Vetëm pas marrjes së vendimit për këtë ankimim pritet të bëhet ndarja e mandateve dhe të shpallet nga Kolegji Zgjedhor rezultatit përfundimtar i zgjedhjeve. Lidhur me datën se kur do të mund të bëhet certifikimi i rezultatit, sipas afateve ligjore vendimi i Kolegjit për Lezhën duhet merret brenda 10-ditëshit të parë të gushtit. Dy ditë më parë, Partia Socialiste vendosi të tërhiqet nga kërkesa e saj për rivotim në qarkun e Lezhës, ku sipas socialistëve ky vendim u mor në interes të vendit, për ti hapur rrugën sipas tij certifikimit të rezultatit zgjedhor. “Përsëritja e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës jo vetëm do të rikonfirmonte 84 mandatet e mazhorancës, por mund të thellonte dhe më shumë këtë rezultat. Por të vetëdijshëm për nevojën që ka vendi për t’i dhënë fund sa më shpejt procesit zgjedhor, përkundër interesit të ngushtë politik, vendosëm të tërhiqemi nga kjo kërkesë”, tha Sekretari për Çështjet Zgjedhore në selinë e purpurt, Damian Gjiknuri. Po ashtu ai bëri të ditur se mazhoranca e re e vendit është e gatshme të pranojë çdo kërkesës së opozitës së re për hetim parlamentare të zgjedhjeve të 23 qershorit. “Ndërkohë i deklarojmë publikisht se jemi të gatshëm të aprovojmë çdo kërkesë për hetimin parlamentar të zgjedhjeve, duke bërë realitet atë që ju mohua opozitës për 4 vitet e shkuara për zgjedhjet e vitit 2009 apo për shtimin fiktiv të popullsisë në Kukës në vitin 2012. Ne mbetemi të angazhuar solemnisht se nuk do t’i privojmë opozitës asgjë që na është privuar ne në 4 vitet e shkuara në opozitë. Me heqjen dorë të ankimit tonë për Lezhën procesi zgjedhor shkon drejt fundit, duke i lënë vend shpërndarjes së mandateve dhe certifikimit të rezultatit. Është në interes të vendit që ky proces i fundit të mbyllet sa më parë, me qëllim që politika të fokusohet tek problemet e mëdha që ka ky vend dhe për të cilat njerëzit votuan aq qartë si asnjëherë tjetër”.
Certifikimi i zgjedhjeve
PS: Nëse KQZ nuk merr vendim, do t’i drejtohemi Kolegjit
Nënsekretari për çështjet zgjedhore në PS, Koli Bele deklaroi dje se tërheqja e socialistëve nga animimi për qarkun e Lezhës i hapi rrugë certifikimit të zgjedhjeve, pasi sipas tij nuk mund të lejohej që qeveria aktuale të vazhdonte të mbante formalisht pushtetin përtej afateve të përcaktuara në ligj. “Për këto arsye PS hoqi dorë nga kërkesa për përsëritjen e zgjedhjeve në Lezhe. Përsëritja e zgjedhjeve do sillte padyshim mandatin e 4 për PS dhe pse jo mandatin e 5. Sigurisht që PS do bëjë një kallëzim penal”, tha ai në rubrikën “Opinion” në “News 24”. Ndërkohë lidhur me datën se kur do të mund të bëhet certifikimi zyrtar i zgjedhjeve të 23 qershorit, Bele tha se,: “Ankimimet kanë mbaruar në Kolegj. Në përjashtim të qarkut të Lezhës, që u shty në mënyrë artificiale nga KQZ, 11 qarqet e tjera kanë mbaruar procesin ankimor në KQZ dhe Kolegj. KQZ brenda 3 ditëve duhet të bëjë certifikimin. Këtu ka dalë ai handikapi pasi duhen 5 anëtarë. Në përllogaritjet që kemi bërë janë duke mbaruar sot apo nesër 11 qarqe dhe pas 3 ditësh, besoj se deri në fund të kësaj jave. Jemi përtej limiteve kohore, nëse KQZ nuk merr vendim, PS do t’i drejtohet Kolegjit, i cili do të bëjë atë ndarjen formale të mandateve”.
Programi i ri
Rama anulon konferencën, zhvillohet sot në 11:00 në selinë e PS-së
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, anuloi dje një konferencë për shtyp të njoftuar fillimisht për në orën 19:30. E shtyrë për t’u zhvilluar në orën 11:00 të ditës së sotme, konferenca e kreut socialist pritet të ketë në plan të parë paraqitjen e programit të ri bashkëqeverisës PS-LSI. Zyra e shtypit pranë selisë rozë u tregua konfidencialë lidhur me arsyet e shtyrjes së kësaj konference, ndërkohë që burime pranë kësaj force politike bëjnë të ditur se pritet që kryesocialisti të bëjë publik programin qeverisës. Ekzekutivi i ri do të duhet të nisë punën vetëm në fillim të muajit shtator, kur duhet të mandatohet në Kuvendin e ri. Disa ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, paraqiti strukturën e qeverisë së re, e cila sipas tij është ndërtuar mbi bazën e prioriteteve dhe nevojave, ndërsa do të ristrukturohet në mënyrë të plotë organika e kryeministrisë. Kreu socialist bëri të ditur se, qeveria do të ketë një zv.kryeministër pa portofol tjetër, 16 ministra dhe 3 ministra shteti. Krahas 6 ministrive që nuk ndryshojnë në kompetence, por do të pësojnë një reformë të thellë, struktura e re parashikon ndarjen e Ministrisë së Ekonomisë, duke krijuar Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë, si dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Gjithashtu, ndryshime do të ketë Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Turizmit. Sipas Ramës, qeveria e re do të ketë numrin më të madh të grave në historinë e vendit.
Kreu në detyrë i OSBE-së
Wilton: Rëndësi ka që rezultati të pranohet nga të gjitha palët
Kreu në detyrë së prezencës së OSBE-së, Robert Wilton, ka zhvilluar dje një takim me Avokatin e Popullit. Ai ka komentuar se pret raportin përfundimtar të misionit vëzhgues në Shqipëri, ndërsa theksoi se rëndësi ka që rezultati i tyre të pranohet nga të gjitha palët. “Jam duke pritur raportin përfundimtar të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, shpresoj që të merret seriozisht, të gjitha institucionet të respektojnë këto përfundime dhe ligjin. Shpresoj për një proces që të mbyllet me stabilitet dhe pranim të rezultatit nga të gjitha palët”, – tha Wilton. Një çështje tjetër për të cilën, kreu në detyrë së prezencës së OSBE-së shprehu mendimin e tij ishte edhe ajo e toponimeve. Sipas tij, ajo është një çështje që duhet negociuar mes qeverive. “Çështja e toponimeve ka të bëjë me qeveritë e dy vendeve duhet adresuar mes tyre. Di që Avokati i Popullit ka dalë në mbrojte të qytetarëve shqiptarë dhe këtë e vlerësojmë”, – tha ai më tej. Ndërsa për problemin e pronave dhe të pastrehëve, Wilton tha se duhet një zgjidhje afatgjatë që do i shërbente shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të mëtejshëm të demokracisë. “Çështja e pronave është fondamentale për demokracinë, për shtetin e së drejtës por edhe për thithjen e investimeve të huaja. Së bashku me BE ka pasur projekte të ndryshme, OSBE është e gatshme të vazhdojë me projekte por kërkohet një zgjidhje afatgjatë, kjo vlen edhe për të pastrehët”, – pohoi ai. Në fund Wilton shtoi se vizioni i tij mbetet, “të punuarit në partneritet për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve”.