Thikë në kraharor vëllait 16-vjeçar, në pranga Ervis Zaçe

0
185

Sonja Caka

Policia: Po kanoste me armë të ftohtë edhe persona të tjerë, rrezikoi edhe jetën e patrullave duke bërë rezistencë

 

vrasje_me_thike_71124Pa u shuar ende jehona e masakrës së ndodhur në plazhin e Vlorës, një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar dje në mesditë në një nga lagjet e këtij qyteti. Vëllai ka plagosur vëllain adoleshent në kraharor, duke e plagosur rëndë, ndërsa ka rrezikuar seriozisht jetën e disa personave të tjerë dhe patrullave të policisë që po shkonin për ta neutralizuar. Policia mundi të vinte në pranga 26-vjeçarin Ervis Zaçe, ndërsa është transportuar me urgjencë për në spital vëllai i tij F. Zaçe, i cili ka marrë një goditje me thikë në kraharor. Mjekët e spitalit kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale, ndërsa bëhet me dije se tashmë adoleshenti ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që i riu 26-vjeçar po merrte në pyetje për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa për të dhënë me tepër detaje janë marrë në pyetje edhe familjarët e tij.

Ngjarja

Policia e Vlorës bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 të ditës së djeshme. Një 26-vjeçar në lagjen “1 Maji” të qytetit ka plagosur rëndë vëllain e tij 16-vjeçar, si dhe ka kërcënuar persona të tjerë. Patrullat e përgjithshme të policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje duke mos lejuar rëndimin e situatës dhe duke shmangur një krim të mundshëm, pasi autori mësohet se ka qenë jashtë kontrollit. Bëhet me dije gjithashtu se, policia ka arrestuar shtetasin Ervis Zaçe, i cili qëlloi me thikë në kraharor të vëllain. Po sipas policisë, 16-vjeçari F. Zaçe ndodhet në spital në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën falë ndërhyrjes në kohë të policisë. Autori, sipas policisë ka kërcënuar me armën e ftohtë edhe persona të tjerë në vendngjarje, ndërsa u ka bërë rezistencë atyre në momentin që po e arrestonin. Sipas bluve të Vlorës, Zaçe vuri në rrezik edhe jetën e punonjësve të policisë, të cilët mundën ta kapin më pas 26-vjeçarin. Policia e Vlorës vazhdon hetimet për këtë ngjarje për të zbardhur konfliktin që çoi në përplasjen mes dy vëllezërve.

 

Precedenti

Kanosi me armë vëllain, arrestohet Kujtim Toska

Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës pasi kanosi me armë vëllain. Akuza që rëndon ndaj Kujtim Toskës është “Prodhimi dhe mbajtja pa leje armëve luftarake dhe municionit”, si dhe “Kanosja”. Sipas burimeve zyrtare policore, arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi ka kanosur me armë vëllain e tij shtetasin Sh. Toska. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik mod. 56 “Kallashnikov”, një pushkë 10-she mod. 56, si dhe një sasi prej 600 fishekësh të kalibrit 7.62 mm. Materialet hetimore ndaj këtij shtetasi i kaluan organit të akuzës për hetime të mëtejshme.

 

Masat

Policia e Vlorës, aksion për kontroll dokumentacioni dhe armëmbajtje pa leje

Ngjarja e rëndë e pasdites së të dielës ka intensifikuar edhe më tepër punën e policisë së qytetit bregdetar të Vlorës, në kuadër të zbatimit të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Aksioni i policisë ka vijuar dje në aksin rrugor që lidh Vlorën dhe plazhin e Ujit të Ftohtë. Dhjetëra forca policie të Vlorës kanë bërë postblloqe përgjatë rrugës së “Ujit të ftohtë” për kontrollin e dokumentacioneve, si dhe për armëmbajtje pa leje. Zëdhënësi i policisë së Vlorës, Dionis Dulaj, i cili ka ndjekur nga afër këtë aksion është shprehur për mediat se “ky aksion do të jetë jo vetëm sot, por dhe në ditën në vazhdim. Policia e Vlorës ka marrë të gjitha masat që pushuesit, si dhe qytetarët të jenë të sigurt, pasi rendi dhe qetësia në Vlorë do të jetë jo vetëm sot, por në çdo ditë të vitit”. Gjithashtu, Dulaj u ka bërë apel të gjithë pronarëve të lokaleve të kenë një bashkëpunim më të fortë me policinë e Vlorës, për çdo ngjarje ose edhe për çdo rast sado i vogël të jetë. Në Vlorë janë ngritur disa postblloqe në rrugët kryesore, si dhe kryqëzimet e qytetit, për parandalimin e çdo rasti kriminal apo edhe sherri të çastit.