Të kremteve publiku në kishën e Shën Sofisë perandorake, magjepsej nga zëri i ëmbël i Kukuzelit, këngët e të cilit përhapeshin me shpejtësi nëpër kishat bizantine të Azisë së Vogël, Palestinës, Egjiptit, Greqisë, Shqipërisë, Sicilisë – mbi këtë magjepsje nga zëri hyjnor i Jan Kukuzelit, por edhe i muzikës së krijuar prej tij, studiuesit e kanë përmbushur historinë e një prej shqiptarëve më të famshëm në Kostandinopojën e shekullit XIII.
Ndonëse “grindjet” për origjinën e tij nuk kanë ndalur, në ishte sllav apo grek, mjaft studiues tashmë e kanë vendosur nëpër fjalorë botërorë prejardhjen shqiptare.
Nga njëri prej tyre, albanologu Robert Elsie, në “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, citojmë: “Shenjt ortodoks nga Shqipëria, u lind ndoshta rreth vitit 1280 në Durrës, djalë i vetëm. Ndoqi shkollën perandore në Kostandinopojë, duke shërbyer më pas si drejtor i korit në kapelen e pallatit perandorak. Referuar jetës së tij, Kukuzeli ose Koukouzeles që rrjedhin nga greqishtja koukia “fasule” dhe ajo sllave zeliya “lakër”, një pseudonim i dhënë atij nga shokët e shkollës për shkak të vështirësive të tij me gjuhën greke…” Po ky fjalor e përcaktonte si një nga muzikantët më të mëdhenj të kohës së tij, i njohur si “mjeshtër”, pas himnografit Shën Romanus. Kjo lidhej me reformën e madhe që bëri Kukuzeli në transkriptimin e muzikës bizantine, duke krijuar një sistem të tijin. Ky sistem u quajt kukuzelian, dhe u shfrytëzua deri në gjysmën e parë të shekullit XIX, konsideruar si një hap i rëndësishëm në ruajtjen dhe konservimin e traditave të paleografisë bizantine muzikore.
Por në kulmin e famës së tij si këngëtar, Kukuzeli lë Kostandinopojën dhe tërhiqet nga jeta për t’u mbyllur në manastir, në malin Athos, si murg, ku ai vdiq midis viteve 1360-1375.
Profilin e Jan Kukuzeli e kemi të pikturuar në afresket e manastirit të Ardenicës, ndërsa 1 tetor shënohet si festa e ditës së tij.
E sollëm këtë përshkrim të shkurtër nga fjalori i albanalogut, pasi muzika e Jan Kukuzelit do të luhet për herë të parë, premierë në Durrës në edicionin e 6-të të bienales së muzikës klasike. Motoja e tij mban emrin e murgut të shenjtë, “Durrës: 700 vjet muzikë – nga Kukuzeli në ditët tona”. “Ndaj dhe Nata e Muzikës së Vjetër i është dedikuar sivjet muzikantit të lashtë durrsak Jan Kukuzelit”, tërheqin vëmendjen organizatorët, duke vazhduar me Natën e Muzikës Mesjetare Antifonarit durrsakut Gjergj Danush Lapacaj (shek. XV) si dhe Nata e Muzikës Barok kushtuar arkivit të familjes Durazzo (shek. XVIII).
Do të vijnë instrumentistë durrsakë nga jashtë, por që jetojnë dhe në qytet për t’i dedikuar mbrëmjes së muzikës shqiptare artin e violinës në Shqipëri, ku janë porositur enkas për këtë edicion, në mënyrë krejt të veçantë, që secili të shkruajë një variacion mbi një korale të Kukuzelit. Do jenë 10 kompozitorë nga do t’i vënë në skenë për herë të parë, premierë pjesët e muzikantit të lashtë shqiptar.
Veprat e tij muzikore, dorëshkrime, gjenden të shkruara në greqisht pothuajse deri në shek. XVI, por thuhet se ka edhe disa kodikë të mëvonshëm jo të plotë që janë të shkruar edhe në bullgarisht.
Jan Kukuzelit i njihet merita se sistemoi dhe riformoi melodi të vjetra, kompozoi vepra origjinale të famshme që lidhen kryesisht, shënuar me “mësime të ngadalta për zëra të bukur”.
Është epoka e mjeshtërve të mëdhenj, përfaqësuesi më i shquar i të cilëve është vetë Kukuzeli. Në këtë periudhë, kjo muzikë arrin kulmin e artit të madh. Në të njëjtën kohë krijohen kompozimet e lira, me iso prej nga mendohet se rrjedh polifonia e jugut.
Disa nga studiuesit shqiptar të jetës dhe veprës së Kukuzelit ishin prof. Ramadan Sokoli, Sokol Shupo, Shyqiri Nimani etj., të cilët janë marrë dhe me fakte të prejardhjes së tij të pastër si shqiptar. Joan Kukuzeli është pikturuar si kompozitor dhe si shenjtor në mjaft miniatura dorëshkrimesh, në afreske dhe piktura murale kishash si edhe në ikona druri. Ikona më e hershme gjendet në kodikun 457 të Manastirit Kutlumusi (Mali i Shenjtë) (shek. XIV). Ikona të tij janë pikturuar në manastirin e tij në Malin e Shenjtë, në Shqipëri në Manastirin e Ardenicës, në Greqi, Bullgari, Serbi, Moskë, Mynih etj. Po ashtu janë ngritur mjaft kore kishtare, që mbajnë emrin e tij. Në këtë vështrim duket se obligimi i organizatorëve të bienales lidhet me arsye me Kukuzelin, kur dihet se në këtë qytet, pra Durrësin mban emrin e mjeshtrit artit kishtar një shkollë artistike. Në fakt detyra për to do ishte zbulimi i “zërit engjëllor” sigurisht në vizionin e pamundur që prej kohës së murgut muzikant që tronditi gjithë Lindjen ortodokse.
Përgatiti: V. Murati
Si u zbulua zëri
Një ditë, kur kulloste dhitë në një vend të shkretë, duke menduar se ishte vetëm, filloi të këndonte një himn kushtuar Hyjlindëses Mari, me zë më të lartë se zakonisht. Por një asket (murg që banon në vetmi) që banonte aty pranë e dëgjoi dhe i mahnitur nga bukuria e këndimit dhe e melodisë, madje duke parë edhe kafshët që nuk kullotnin, por shijonin të magjepsura, shkoi tek igumeni i Lavrës së Madhe, i cili edhe e thirri bariun dhe e detyroi të thoshte të vërtetën. Joani iu lut që të rrinte në manastir e të mos ta dorëzonte tek perandori, sepse donte më shumë jetën murgjërore, sesa jetën e oborrit.
Mrekullia
Tepër e njohur është mrekullia kur iu shfaq Shën Maria Hyjlindëse duke e shpërblyer me një monedhë floriri për himnet e tij të mrekullueshme, ku edhe sot në kishëzën për nder të tij, ndodhet edhe ikona “Shën Maria e Kukuzelit” (Kukuzélisa). E mësoi ditën e vdekjes, shumë kohë më parë, prandaj kur iu afrua, Joani mblodhi të gjithë vëllezërit, iu kërkoi ndjesë dhe i porositi që ta varrosnin në shtëpinë e Kryeengjëjve të Shenjtë, aty ku rrinte. Ndërroi jetë më 1 tetor.
Bienalja “Netët e muzikës klasike”
Nga data 1 deri në datën 8 gusht, në qytetin bregdetar të Durrësit, ku gjatë verës pushojnë me mijëra pushues vendas, të huaj dhe nga vendet fqinjë me popullsi shqiptare, do të mbahet edicioni i 6-të i bienales së muzikës klasike “Netët e muzikës klasike”. Bienalja e sivjetshme e muzikës klasike zhvillohet nën moton: “Durrës: 700 vjet muzikë – nga Kukuzeli në ditët tona”. Ndaj dhe Nata e Muzikës së Vjetër i është dedikuar sivjet muzikantit të lashtë durrsak Jan Kukuzelit (sh. XIII), Nata e Muzikës Mesjetare Antifonarit durrsakut Gjergj Danush Lapacaj (sh. XV); Nata e Muzikes Barrok do i kushtohet arkivit të Familjes Durazzo (sh. XVIII); Nata e Muzikes Shqiptare do të trajtojë temën mbi artin e violinës në Shqipëri dhe të shkollës violinistike durrsake Vepra e porositur enkas për çdo edicion, këtë vit do të jetë krejt e veçantë – 10 kompozitorë nga Durrësi kanë shkruar secili nga një variacion mbi një korale të Kukuzelit. Thuajse të gjitha veprat do të jenë premiera. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë solistë edhe instrumentistë durrsakë të suksesshëm jashtë vendit. Në bienale merr pjesë edhe Grupi Instrumental Siglo XX, një nga grupet më të njohura të muzikës moderne i drejtuar nga një instrumentist nga Durrësi. Ky grup do të luajë gjatë Natës së Muzikës Moderne “Kuartetin e Fundit të Kohërave” të Messiaen, një nga kryeveprat e padiskutueshme të muzikës së shekullit XX. Gjatë ditëve të bienales do të zhvillohet edhe Koncerti Didaktik me titull “Muzika dhe Matematika” si dhe do të mbahet Nata e Yjeve te Rinj, një konkurs i talenteve të rinj, që do të zgjedhë solistin më të mirë, i cili do të ftohet për disa koncerte në Spanjë.