Zbulohet skema e përdorur nga sekserët për zhdoganimet fiktive

0
195

Sonja Caka

Hetimi: Personat nën hetim, të përfshirë në 12 raste. Në bashkëpunim me punonjësin e doganës zvogëlonin parametrat e automjeteve të tonazhit të rëndë

 

23311_dogana_greca_2_1__526739089Për të përfituar një pagesë më të ulët kur futeshin mjetet e tonazhit të rëndë, duke i zvogëluar parametrat, të gjithë pronarët e automjeteve paguaninnga 200 euro te sekserët me njerëz brenda doganës. Por, një kontroll i brendshëm në sistem do të konstatonte se nuk përputheshin shumë të dhëna në sistem dhe ato të marra nga skaneri dhe në këtë mënyrë nis një hetim. Për të ndihmuar në zbulimin e kësaj afere korruptive, u kërkua ndihma e njësisë Task-Forcë, e cila në hetimet 4-mujore zbuloi skemën dhe personat e përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme. Prokuroria zbulon skemën e përdorur nga tri sekserët dhe një punonjës i doganave për zhdoganimin e mjeteve të tonazhit të rëndë. Gjithçka u bë e mundur falë një hetimi 4-mujor nga specialistët e Task-Forcës dhe Antikorrupsionit, të cilët zbuluan manovrat në zhdoganime, si dhe skemën e përdorur prej personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Gjithashtu, nga burime pranë akuzës bëhet me dije se sekserët e zhdoganimeve u zbuluan për shkak të mospërputhjes së të dhënave në sistem me të dhënat e marra nga skaneri. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se tre sekserët e arrestuar, merrnin ryfshfet kundrejt premtimit për zvogëlimin e parametrave të automjeteve të tonazhit të rëndë. Nën këtë ndikim të paligjshëm punonjësi i doganës, përgjegjës për hedhjen e të dhënave në sistem, regjistronte mjetet e tonazhit të rëndë me parametra më të vegjël, duke bërë që të shmangej pagimi i detyrimeve të larta monetare. Burimet nga hetimi bëjnë me dije se kemi të bëjmë të paktën me 12 raste të identifikuara, ku zhdoganimet kanë qenë tërësisht fiktive.

Hetimi

Policia e Tiranës vuri në pranga tri ditë më parë sekserët e zhdoganimeve, ndaj të cilëve gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Personat nën hetim Luan Mustafa, 34 vjeç, banues në Tiranë; Idajet Shima, 41 vjeç, banues në Tiranë dhe Admir Alimerko, 37 vjeç, banues në Tiranë akuzohen nga Prokuroria se kanë hedhur të dhëna të rreme në sistemin informatik për mjetet e e tonazhit të rëndë që futeshin në pikat kufitare hyrëse në vendin tonë. Sipas hetimeve, qëllimi kryesor i gjithë kësaj skeme ishte ndryshimi i të dhënave duke ulur në formë fiktive tarifën financiare të zhdoganimit të mjeteve të rënda, përfshirë këtu taksat vjetore që paguhen së bashku me siguracionet. Por, sipas hetimeve, ky manipulim të dhënash bëhej kundrejt një “kontributi” të caktuar monetar dhe sipas të dhënave të organit të akuzës bëhet me dije se tre të arrestuarit përfitonin një ryshfet prej 200 eurosh për çdo rast zhdoganimi. Në ngarkim të tre sekserëve nga ana e prokurorisë është ngritur akuza e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimit kompjuterik”. Ndërkohë që, burime nga akuza bëjnë me dije se në kërkim është shpallur edhe punonjësi i doganës me inicialet S.P.për të cilin është caktuar masa “Arrest me burg”, i cili ka pasur për detyrë mbarëvajtjen dhe kontrollin e procedimit të hedhjes së të dhënave në sistem. Por, nën ndikimin e sekserëve ka bërë regjistrime fiktive. Në ngarkim të tij momentalisht është ngritur vetëm akuza e “Falsifikimit kompjuterik nga personi që ka për detyrë ruajtjen dhe administrimin e të dhënave”. Tre sekserët dhe punonjësi i doganës, kundrejt parave hidhnin të dhëna të rreme në sistemin doganor për tonazhin e mjeteve që hyjnë në Shqipëri, cilindratën (madhësinë e motorit) dhe vitin e prodhimit. E gjithë kjo skemë realizohej me qëllim që pronari i mjetit të rëndë që hynte në Shqipëri të paguante më pak detyrime në fund të procedurës.

Kontrolli

Asgjë nuk do të ishte zbuluar nëse nuk do të ushtrohej një kontroll i brendshëm nga vetë Doganat, pasi u zbulua se kishte një mospërputhje mes të dhënave të hedhura në sistem dhe të dhënave të marra nga skanerët. Nga hetimet rezulton se parametrat e mjeteve të tonazhit të rëndë janë “zvogëluar” me qëllim reduktimin e detyrimeve që paguanin subjektet, të cilët i fusnin në Shqipëri automjetet e tilla. “Me saktë, skanerët kanë regjistruar në rregull gjithçka që ka kaluar, ndërsa të dhënat e hedhura manualisht në sistem nga punonjësit, në 12 raste, janë të falsifikuara. Elementët ku bëheshin manipulime janë tonazhi i mjetit, pra me peshën, madhësinë (përmasat), cilindratën (madhësia e motorit) dhe vitin e prodhimit”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Të gjithë këta elementë përcaktojnë detyrimin doganor që duhet të paguhet në momentin e futjes së mjetit në Shqipëri. Sa më i vjetër të jetë mjeti, sa më e madhe pesha dhe madhësia e motorit, aq më shumë paguan pronari. Sipas hetimeve të prokurorisë dyshohet se tre personat qëndronin pranë doganës dhe u ofronin njerëzve mundësinë për t’i falsifikuar të dhënat e për të paguar më pak.

 

Tiranë

Sherri për parkingun, plagosen dy vëllezërit Demaj

Konflikti për pronësinë u rrezikoi seriozisht jetën dy vëllezërve në periferi të kryeqytetit. Klaudio dhe Eljon Demaj janë plagosur me armë zjarri nga Ndrea Kola, pasi janë konfliktuar më parë lidhur me pronësinë e një parkingu poshtë pallatit ku jetonin. Dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë për në Spital Ushtarak, ku falë ndërhyrjes së mjekëve, gjendje e tyre e ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërkohë, uniformat blu të komisariatit nr. 6 janë vënë në ndjekje të autorit të ngjarjes, ndërsa ka vijuar hetimet për të zbardhur shkakun e konfliktit mes autorit dhe dy vëllezërve në zonën e Yzberishtit. Nga hetimet paraprake mësohet se ngjarja të ketë pasur shkak një konflikt pronësie, mes vëllezërve dhe autorit të plagosjes, Ndrea Kola. Dy vëllezërit Dema janë konfliktuar për pronësinë e parkingut të pallatit me shtetasin Ndrea Kola pasi të dyja palët pretendonin pronësinë. Pas konfliktit dhe mosarritjes së një zgjidhjeje, konflikti ka degjeneruar në përdorimin e armës. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që është vënë në ndjekje të autorit të plagosjes.

 

Durrës

Plagos fqinjin me thikë, konfliktoheshin për një rrugë

Sherri për një rrugë ka përfunduar me plagosjen e një personi në fshatin Katund i Ri në Durrës. Ngjarja u shënua rreth orës 10:30 të mëngjesit të djeshëm në një lokal të fshatit. Sipas policisë, 43-vjeçari Flamur Matranxhiu u qëllua me thikë nga fqinji i tij, 35-vjeçari Arjan Pupa, pas një sherri në lokal, për të njëjtën çështje që përbënte konflikt të vazhdueshëm mes dy familjeve. I plagosuri ndodhet aktualisht në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia ka vënë në pranga autorin e ngjarjes. Burime të policisë konfirmojnë se edhe dy muaj më parë kanë shuar një tjetër sherr mes të plagosurit të sotëm dhe babait të autorit të plagosjes. 35- vjeçari Pupa ishte kthyer prej disa ditësh nga emigrimi dhe ka vijuar sherrin paraditen e djeshme në lokal me 43-vjeçarin, çka ka degjeneruar në plagosjen e këtij të fundit.

 

Sarandë

Gjendet i vrarë në banesë një i moshuar, nisin hetimet

Policia e Delvinës ka gjetur të vrarë në banesën e tij një të moshuar në fshatin Tatzat. Viktima është identifikuar si Sulo Mejdani, 78 vjeç. Sipas burimeve policore, viktima është gjetur në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe dyshohet se është qëlluar me mjete të forta në koke. Dyshohet gjithashtu se viktima mund të jetë vrarë katër ditë më parë. Trupi i tij është transportuar drejt morgut të Sarandës, ndërsa policia ka nisur hetimet në vendin e ngjarjes. Do të jetë autopsia që do përcaktojë kohën reale kur ka ndodhur krimi, ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen në rastit, nëse i moshuari ka mbetur viktimë e ndonjë grabitjeje me dhunë.

 

Apel

Pranohet dorëheqja e Haxhialushit, “21 Janari” ngel për në shtator

Gjykata e Apelit ka pranuar dorëheqjen e paraqitur nga relatori i çështjes së 21 Janarit, pas edhe kërkesës së organit të akuzës për largimin e këtij gjyqtari nga gjykimi i kësaj dosjeje. Arsyeja e largimit nga gjykimi i çështjes u argumentua nga akuza me faktin se gjyqtari Astrit Haxhialushi ka marrë pjesë në shqyrtimin e kërkesave për masa arresti ndaj të pandehurve dhe prania e tij në trup gjykues përbën konflikt interesi. Pas kësaj kërkese, edhe gjyqtari paraqiti dorëheqjen, e cila u pranua duke e çuar në tre numrin e gjyqtarëve të dorëhequr. Tashmë dosja kalon për gjykim në muajin shtator dhe atëherë pritet që të rihidhet sërish në short për të caktuar trupën e re gjyqësore.