6 mijë emigrantë më shumë se një vit më parë
80% punojnë në ndërtim dhe bujqësi
Nuk dihet ende sa emigrantë të shpërndarë nëpër botë ka Shqipëria, por sipas numrit që japin shtetet e huaja, bëhet fjalë për më shumë se 2 milionë. Vetëm në Itali jetojnë 500 mijë shqiptarë. Shifrat publikohet nga institucionet zyrtare në Itali, të cilat theksojnë se në krahasim me një vit më parë numri është rritur. Italia numëron 3.764.236 të huaj me qëndrim të rregullt. Komunitetet më të mëdha të jokomunitarëve janë marokenët 513.374, shqiptarët 497.761 persona, kinezët 304.768, ukrainasit 224.588 dhe filipinasit 158.308. Krahasuar me një vit më parë, numri i të huajve është rritur me rreth 127 mijë. Imigracioni në Itali është gjithnjë e më i qëndrueshëm, gjë që vërehet nga rritja e vazhdueshme e numrit të personave me lejeqëndrim për qëndruesit afatgjatë, e ashtuquajtur kartë qëndrimi, e rritja e vazhdueshme e përqindjes së të miturve.
Ku punojnë?
Nga të dhënat që publikon ISTAT në Itali, në krahasim me një vit parë janë rreth 6000 mijë shqiptarë më shumë. Duhet theksuar se një numër i madh shqiptarësh shkojnë në Itali nëpërmjet marrëveshjeve të punësimit që kanë lidhur dy vendet. Nëpërmjet këtyre marrëveshjeve bëhet e mundur punësimi në shtetin italian në periudha të ndryshme dhe që zgjasin nga 3-6 muaj. Punët më të shpeshta që bëjnë shqiptarët janë ndërtimi dhe bujqësia. Në këta dy sektorë punojnë rreth 80% e emigrantëve. Pjesa tjetër e shqiptarëve punojnë në fushat e turizmit, ekonomisë dhe sipërmarrjes.
Lejet e qëndrimit
Për sa u përket të huajve me kartën e qëndrimit janë 2.045.662 (dhe përbëjnë 54,3% të të gjithë të huajve me qëndrim të rregullt në Itali) kundrejt 1.896.223 që ishin në vitin 2012. Edhe në këtë rast, për komunitetin shqiptar kjo përqindje është më e lartë, plot 66%, e thënë ndryshe, 328.502 kanë kartën e qëndrimit. Një e dhënë tjetër që dëshmon për ngulitjen e të huajve në Itali është numri i atyre që përtërijnë lejet e qëndrimit pas një periudhe relativisht të gjatë kohe: kështu 68,2% e jokomunitarëve të ardhur në Itali në vitin 2007 ka ruajtur edhe në 2013-ën lejen e qëndrimit. Madje 22,4% e të ardhurve të atij viti sot kanë kartën e qëndrimit. Shifrat janë mbi mesataren për komunitetin shqiptar: sot kanë dokument qëndrimi 74,6% e të ardhurve në vitin 2007 madje 29,7% kanë kartën e qëndrimit. Ndër 264 mijë lejet e reja të lëshuara gjatë vitit 2012, 44,3% kanë pasur për motive qëndrimi familjen, 26,9% punën, 11,7% studimet, 8,7% strehimin politik e mbrojtjen humanitare dhe 8,4% motive të tjera. Për komunitetin shqiptar, lejeqëndrimet e reja janë lëshuar kryesisht për motive familjare (60,4%), vetëm 18,6% për punë, 3% për studime dhe 0,7% për strehim politik e mbrojtje humanitare. Plot 17,2% e lejeve të reja të vitit 2012 janë lëshuar për motive të ndryshme nga të sipërpërmendurat.
Basha: Nuk bëjmë punë elektorale, investojmë për nevojat e qytetarëve
Ka përfunduar ditën e djeshme rikonstruktimi i rrugës “Pjetër Bogdani” në kryeqytet. I pranishëm në përfundimin e punimeve, kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, ka theksuar edhe një herë se po punohet për nevojat e qytetit dhe të qytetarëve dhe çdo investim i bërë nuk ka qëllim elektoral. “Kush ka pasur meraqe se këto ishin punët elektorale e kupton fare mirë se këto në fakt janë punë qytetare që u përgjigjen nevojave të qytetit, nevojave të qytetarëve”, – u shpreh kryebashkiaku. Rruga “Pjetër Bogdani” me gjatësi 541.5 m, gjerësi 6 m dhe trotuare në dy anët me gjerësi 2 m, ndonëse shtrihet në një prej zonave më të populluara të kryeqytetit atë të ish-bllokut prej vitesh ishte lënë në mjerim. “Sot (dje) ndodhemi në një nga zonat më të populluara të Tiranës dhe po kështu një nga më të frekuentuara gjatë ditës dhe gjatë natës. Ndaj ndjej një kënaqësi të veçantë që në këtë moment shkelim në një rrugë të rindërtuar tërësisht nga Bashkia e Tiranës, e cila është evidentuar prej kohësh si një problem për banorët, në çdo parametër të munguar të saj, por që është rindërtuar në parametra të plota, në standarde të plota, që nga nëntoka e deri tek pemët dhe ndriçimi”, – theksoi Basha. Përgjatë kësaj rruge janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, janë vendosur 29 shtylla të ndriçimit. Janë shtuar dhe 35 pemë të reja, është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit si dhe janë kryer të gjitha punimet për linjat rezervë për fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore.
Vazhdojnë projektet
Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur se krahas përfundimit të një numri të madh investimesh që kanë nisur dhe janë drejt fundit, të tjera projekte nisin zbatimin në gjithë Tiranën për të bërë të mundur përmirësimin e jetës së qytetarëve kudo ku ata jetojnë. “Për fat të mirë, në javët në vijim do të shikojmë përfundimin e një duzine rrugësh të tjera të nisura respektivisht me buxhetet e vitit 2012-2013. Ndërkohë që kemi në proces pune një numër shumë të madh rrugësh dhe blloqesh për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të Tiranës kudo që jetojnë në periferi apo në qendër dhe për të realizuar premtimin dhe angazhimin madhor të Bashkisë së Tiranës, cilësi si dhe përmirësim i jetës kudo që ndodhen qytetarët e Tiranës”, – u shpreh Basha.
Formulari A2, përfundon plotësimi në Tiranë, nis aplikimi për rrethe
Ka përfunduar ditën e djeshme plotësimi i formularit A2 në Tiranë. Maturantët kanë pasur 3 ditë kohë për të bërë aplikimin. Qarku i Tiranës ka numrin më të madh të kandidatëve për në shkollën e lartë dhe për këtë arsye ishin lënë 3 ditë kohë. Me përfundimin e aplikimit në Tiranë do të jenë maturantët nga rrethet ata që do të plotësojnë formularin. Afati përfundimtar i vendosur nga Ministria e Arsimit është data 5 korrik. Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve nëse do të ketë kandidatë të cilët nuk e plotësojnë formularin A2, do të lihet një tjetër afat në mënyrë që secili të ketë mundësi për të aplikuar. I gjithë procesi bëhet online në 2 faza. Faza e parë është zgjedhja e degëve dhe renditja e tyre. Më pas maturanti paraqitet pranë ambienteve të caktuara nga MASH për të përfunduar aplikimin.
Data për plotësimin e formulari A2 në rrethe
1.8.13 Elbasan, Peqin, Gramsh, Librazhd, Korçë, Pogradec, Kolonjë, Devoll
2.8.13 Fier, Mallakastër, Lushnjë, Berat, Kuçovë, Skrapar
3.8.13 Shkodër, M. e Madhe, Pukë, Lezhë, Kurbin, Mirditë
4.8.13 Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet
5.8.13 Kukës, Has, Tropojë, Dibër, Mat, Bulqizë