Përfundon rinumërimi për qarkun e Lezhës, s’ka ndryshim rezultati

0
226

Ina Jano

PS nuk dërgon përfaqësues në Kolegj, letër gjykatës për tërheqjen nga rinumërimi

 

Kutite-e-votimitKolegji Zgjedhor vendosi dje të pranonte kërkesën e Partisë Demokratike për rinumërim të votave në 10 qendra të votimit të ZAZ-së numër 13 për qarkun e Lezhës. Megjithëse ky ishte një pranim jo i plotë i kërkesës së selisë blu, që kishte kërkuar rinumërim për të gjitha kutitë e këtij qarku, për demokratët kjo do të thotë pranim i votës së vjedhur nga ana e demokratëve. Rinumërimi përfundoi rreth orës 20 e 10 minuta të mbrëmjes së djeshme. Përfaqësuesi ligjor i demokratëve Ivi Kaso u shpreh: ”Sikurse u vërejt dhe nga procesi i rinumërimit të 10 qendrave të votimit, procesi për të cilin ne paraqitëm prova, provoi që ky proces kishte qenë korrekt dhe të gjitha tabelat e tij kanë qenë të sakta dhe i korrespondojnë realitetit. Kërkojmë që përveç këtij rezultati që u tregua se ishte i saktë, të përfshihen edhe tabelat e tjera që janë prodhuar në një proces normal”.
Partia Demokratike kishte kërkuar rinumërimin e votave në të gjithë zonën zgjedhore të këtij qarku, por gjykata pranoi të rinumëronte vetëm 10 qendra që nuk kishin tabela origjinale të rezultateve. Në përfundim, përfaqësuesi i PD-së, Bylykbashi, pohoi se ka nevojë për reformim të Kodit Zgjedhor dhe se Kolegji nuk bëri drejtësi. Sipas tij, qarku i Lezhës është një masakër elektorale dhe qytetarët nuk morën atë që meritonin dhe e drejta për të parë të vërtetën iu mohua pikërisht nga Kolegji, i cili i ndodhur në presionin e mazhorancës së re ka dhënë këtë rezultat të deformuar. Bylykbashi tha se Kolegji mbylli sytë përpara 1250 votave të PD-së, që i ishin vjedhur nga PS-ja.

Procesi

Procesi ishte parashikuar të fillonte rreth orës 15:00, por në fakt filloi rreth orës 18:00, për shkak se kutitë nuk mbërritën në kohë nga Lundra në Kolegjin Zgjedhor. Trupi gjykues vendosi që procesi i rinumërimit dhe vlerësimit do të realizohej nga katër grupe. Grupi i parë përbëhej nga dy specialistët e KQZ-së Dashamir Alsula, Julian Bytyçi, dhe vëzhguesi Edmond Sojani. Grupi i dytë përbëhej nga specialistët e KQZ-së, Elvis Beja, Enri Veseli dhe vëzhguesi Edmond Kurti. Pjesë e grupit të tretë ishin specialistët Nestor Kerraj e Olsi Peto dhe vëzhguesi Edmond Gjini, ndërsa grupi i katërt përbëhej nga specialistët Syrja Alushi e Elton Lika dhe vëzhguesi Hajredin Ismaili. Ndërkohë po ditën e djeshme, Kolegji Zgjedhor ka vendosur pushimin e çështjes për sa i përket padisë së PS-së, e cila kërkonte rivotim në qarkun e Lezhës. PS nuk u përfaqësua në seancë, ndërsa i paraqiti trupës së Kolegjit një shkresë ku deklaronte tërheqjen nga ankimimi për rivotim.

Kërkesa e PD-së

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, juristi Ivi Kaso, paraqiti ankesën, ku PD i kërkon trupës gjyqësore të Kolegjit që të rinumërojë të gjitha kutitë për shkak të parregullsive që kanë ndodhur në këtë zonë zgjedhore. Në bazë të kërkesës rezulton se forca politike që ai përfaqëson kërkon rinumërimin e të gjitha fletëve të votimit, për shkak të parregullsive që janë vë re deri më tani. “PD kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e fletëve të votimit të të gjitha qendrave të votimit në Lezhë. Praktikisht, të njëjtat fletë që u panë në KQZ dhe u rinumëruan e rivlerësuan, t’i rivlerësojë e rinumërojë Kolegji dhe t’i përfshijë në rezultat”, – thuhet në kërkesën e PD-së.

Bylykbashi

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Oerd Bylykbashi, akuzoi PS-në se po ushtron presion mbi Kolegjin Zgjedhor. “Jam i sigurt që këto janë vetëm arsye taktike të Partisë Socialiste se nga fillimi deri në fund është përpjekur të mbulojë atë maskaradë të cilën e zbuluam në sytë e publikut në KQZ. PS bëri një kërkesë taktike për pavlefshmëri ndërkohë që referoi për prova shkeljesh të rënda në qarkun e Lezhës. Sot (dje) Kolegji Zgjedhor mori një tjetër vendim haptazi nën influencën e Partisë Socialiste. Sa herë PS ka kërkuar diçka ky kolegj ka marrë vendim dhe e ka pranuar atë kërkesë dhe kjo është diçka që tregon një presion të jashtëzakonshëm, që PS me arrogancë po ushtron mbi organin e vetëm ankimor që ka mbetur në këtë vend, pasi shkatërroi KQZ. Tashmë ky kolegj certifikoi këtë kërkesë taktike për të mbuluar vjedhjen e madhe që ndodhi në Lezhë”, – tha Bylykbashi. Ky i fundit theksoi se PD-ja do të vijojë kërkesat për hetimin e çështjes, duke përdorur të gjitha instrumentet ligjore për të sjellë transparencën e procesit. “Transparenca është parim themelor. Është i qartë se në 2009-ën PS kërkonte diçka të tilla pa provë, por sot kërkon të mbyllë çdo gjë brenda petkut të zgjedhjeve. Do të shfrytëzojmë të gjitha instrumentet ligjore për të sjellë transparencën. Jemi plotësisht në të gjitha afatet dhe parametrat që Kodi Ligjor parashikon për ankimet”, – tha ai.
Pas rinumërimit të kutive nga KQZ një javë më parë, PD rriti diferencën e votave mes dy koalicioneve, nga 39 në 740 vota. Vendimi i KQZ-së i 10 korrikut për qarkun Lezhë çoi në ndarjen e mandateve: 4 për aleancën e djathtë dhe 3 për atë të majtë. Dy ditë më parë, PS njoftoi për tërheqjen nga kërkesa e saj ankimore për pavlefshmëri dhe rivotim në qarkun e Lezhës, me qëllim që t’i hapet rruga certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe përmbylljes së shpejtë të procesit.

 

Kreu i PD-së

Basha, takim sot me kryetarin e OSBE-së

Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të zhvillojë ditën e sotme një takim me kryetarin në detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri Robert Wilton. Takimi do të zhvillohet në selinë blu, ndërsa pritet që ambasadori Wilton ta urojë Bashën për marrjen e detyrës të kreut të ri të Partisë Demokratike dhe njëkohësisht të ndajë opsionet zyrtare të OSBE-së për situatën dhe zhvillimet aktuale në vend. Dy ditë më parë, Basha u takua edhe me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, të cilit i ka paraqitur një sërë shqetësimesh të Partisë Demokratike, si për ato që i cilëson si manipulime në zgjedhje ashtu edhe për paralajmërimet e mazhorancës së re për spastrime në administratë. Ky është takimi i dytë që Basha zhvillon si kryetar i Partisë Demokratike. Ai u zgjodh në krye të PD-së në 22 korrik me një diferencë të thellë votash ndaj rivalit të tij Sokol Olldashi.

 

Vendimi

Qeveria shton fond 500 milionë lekë për KQZ-në

Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, ditën e djeshme Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i është shtuar një fond prej mbi 500 milionë lekësh me rastin e organizimit të zgjedhjeve në vend. “Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për  vitin 2013, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të vitit 2013, t’i shtohet një fond prej 521 000 000 (pesëqind e njëzet e një milionë) lekësh, nga i cili 45 000 000 (dyzet e pesë milionë) lekë, për shpenzime personeli, për kryerjen e pagesave për komisionerët e KZAZ-ve, qendrave të votimit dhe grupeve të numërimit; 436 000 000 (katërqind e tridhjetë e gjashtë milionë) lekë, për shpenzime operative, për projektet SEN dhe SEV, dhe 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, për shpenzime për investime”, – sqaron vendimi. Do të jetë Ministria e Financave dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ata që do të kujdesen për zbatimin e këtij vendimi, i cili do të hyjë në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren zyrtare”.