Flamurtari në “gjysmështizë”, drejtuesit lajmërojnë involucionin

0
159

Altin Vorpsi

 Geri Çipi: Për shkak të financave të pakta që kemi siguruar për këtë vit, kemi vendosur një strategji të re për ekipin e këtij sezoni. Do të krijojmë një skuadër me lojtarë nga Vlora dhe me futbollistë që vijnë nga ekipet e moshave të Flamurtarit

 

20120705-flamurtari-vlore-alban-labdarugo-csapatFlamurtari ndryshon filozofi. Më saktë, drejtuesit e njërës prej skuadrave më të lavdishme të kampionatit tonë ka ndryshuar vizionin mbi këtë lojë për 24 orë. Deri më tani kuqezinjtë kishin bërë çmos për të arritur Skënderbeun, duke afruar shumë lojtarë cilësorë, ndërkohë që nga dje gjithçka do të mbetet në dorën e rinjve. Pra, për një ditë Flamurtari nga synimet për titull pretendon tani që të zhvillojë vetëm kampionat dinjitoz.

Kushti

Vetëm nëse je nga Vlora mund të luash me skuadrën e futbollit të Flamurtarit. Ky është vendimi i detyruar që kanë marrë drejtuesit e klubit vlonjat për ekipin e sezonit të ardhshëm. Në një prononcime për mediat, administratori i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, ka pohuar se asnjë nga lojtarët “e ardhur” nuk mund të qëndrojë më në klub me atë nivel të ulët të rrogave: “Për shkak të financave të pakta që kemi siguruar për këtë vit, kemi vendosur një strategji të re për ekipin e këtij sezoni. Do të krijojmë një skuadër me lojtarë nga Vlora dhe me futbollistë që vijnë nga ekipet e moshave të Flamurtarit. Do të ngremë një skuadër modeste por konkurruese në kampionat, me aq mundësi sa kemi”.

Me valixhe në dorë

Për sa u përket blerjeve të verës apo lojtarëve që nuk janë nga Vlora, administratori i Flamurtarit ka theksuar se të gjithë janë të lirë të shkojnë ku të duan. “Me lojtarët që afruam këtë verë kishim bërë një marrëveshje, por nuk e kishim hedhur në letër. Ndërsa për futbollistët e huaj, duke përfshirë këtu edhe ata si Muzaka, janë të lirë të luajnë ku të duan pasi ne nuk i sigurojmë dot rroga të majme”, – u shpreh Çipi. Gjatë kësaj vere, skuadra vlonjate ishte nga më aktivet në merkato. Nën urdhrat e Gjokës janë vënë lojtarë cilësorë si Dushku, Lika (Ilion), Dragoi dhe Smajli. Por të tërë këta me shumë mundësi do tu duhet të kërkojnë një tjetër klub pasi tek Flamurtari nuk kanë më vend.

 

Blofi

Në ditët e fundit të muajit që sapo kaloi, futbollistëve të Flamurtarit iu premtua se më2 gusht do të merrnin këstin e parë të parave për sezonin e ri. Ky ishte premtimi që futbollistëve iu bë nga presidenti Shpëtim Gjika pak ditë më parë. “Ju siguroj se te Flamurtari nuk ka probleme me fondet. Ne kemi qenë korrektë dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë. Financat i keni të garantuara. Më datë 2 gusht zhbllokohet fondi dhe do të nisim menjëherë likuidimin për këstin e parë që ju detyrohemi”, – deklaroi Gjika.

 

 

Hera e parë

Regbija “zbret” në Shqipëri

Sporti i regbit është pak i njohur për shqiptarët, por jo pa dashamirës të tij. Për herë të parë në vendin tonë, një grup të rinjsh, në pritje të zyrtarizimit të këtij sporti, organizojnë një ndeshje miqësore në Tiranë. Ndeshja do të zhvillohet sot në orën 18:00 në stadiumin “Selman Stermasi” mes skuadrës “Shqipëria XV Rugby” dhe “Albanian Rugby”, ku mes lojtarëve në fushë janë edhe emigrantë që praktikojnë këtë sport në vendet perëndimore. Ky takim është një takim promovues për këtë sport që nga shtatori pritet të futet në kategorinë e sporteve zyrtare në Shqipëri. Organizatorët thonë se kanë zhvilluar takime me Komitetin Olimpik dhe me drejtues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ftesa për të ndjekur takimin u janë dërguar drejtuesve të ministrisë, komitetit dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve me traditë në këtë sport.

 

Merkato

Kalmari: Nuk kemi akord me asnjë ekip për Berishën

Etrit Berisha po kthehet në një çështje vërtetë të komplikuar. Pak ditë më parë, Kievo Verona zyrtarizoi marrëveshjen me portierin e kombëtares shqiptare, por publikimi i lajmit ngjalli një valë të gjatë reagimesh edhe nga vetë lojtari dhe stafi i tij që hodhën poshtë. Nga ana tjetër, drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, konfirmon se gardiani kuqezi do të bashkohet me skuadrën kryeqytetase, ndërsa në lojë hyn edhe klubi i Kalmarit që konfirmon largimin e portierit 24-vjeçar. Drejtori sportiv i Kalmarit, Svante Samuelson siguron se Berisha nuk do të jetë më pjesë e kësaj skuadre pas muajit janar: “Nuk kemi marrëveshje me asnjë klub për ta lenë të lirë lojtarin gjatë verës. E sigurt është që Berisha do të luajë për një klub tjetër gjatë sezonit të ardhshëm pasi ka shumë kërkesa dhe një vendim do ta marrë vetë lojtari gjatë vjeshtës”. Por nuk janë vetëm Kievo e Lacio që kërkojnë me ngulm shërbimet e portierit shqiptar, sepse pak ditë më parë Monako dërgoi emisarë në Suedi për ta ndjekur nga afër, ndërsa vetë Xhenoa kërkon të hyjë në valle nëse Lacio nuk vendos t’i shesë portierin e dytë, Albano Bixarri.

 

Kryeministri

Berisha përgëzon Kukësin

Kryeministri Sali Berisha përgëzoi dje futbollistët, trajnerin dhe presidentin e Kukësit për kalimin e dy tureve në Ligën e Evropës, pas fitores së pastër 2-0 kundër Metalurg Donjeckut.

Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Berisha i uron ekipit të Kukësit fitore në ndeshjen e radhës dhe suksese gjithnjë e më të mëdha. “Kukësi drejt një suksesi historik dhe të merituar! Të dashur miq, ekipi i talentuar i Kukësit, nën udhëheqjen e presidentit Safet Gjici dhe trajnerit Armando Cungu, po ngjit këto javë shkallët e një suksesi vërtet të paparë për futbollin shqiptar në garën e fortë evropiane. Ekipi është buzë play off-it. Duke i përshëndetur me përzemërsi futbollistët, kapitenin, trajnerin dhe presidentin e klubit ju ftoj ti urojmë të gjithë së bashku ekipit që po bën histori në futbollin tonë, fitore në ndeshjen e radhës dhe suksese gjithnjë e më të mëdha!”, – shkruan Berisha në Facebook. Kukësi nuk ka humbur asnjë ndeshje në Ligën e Evropës, duke fituar 2 dhe barazuar 3 të tilla. Ka shënuar 6 gola dhe ka pësuar 3, duke thyer kështu edhe shifrat e Flamurtarit të vitit 1987. Tashmë mjafton që fitorja 2-0 ndaj Metalurg Donjeckut të administrohet bukur në ndeshjen e kthimit më 8 gusht në Donjeck të Ukrainës.