Champions League, Riberi, Mesi dhe Ronaldo nominohen për “UEFA best player”

0
184

Përgatiti Altin Vorpsi

Kjo treshe u përzgjodh nga një grup gazetarësh nga vende të ndryshme evropiane, ndërsa votimi do të bëhet live, gjatë ceremonisë që do të zhvillohet në Monako

 

roni riberi mesiTre finalistët për çmimin e Futbollistit më të Mirë të Vitit 2012-13, sipas UEFA-s, janë Frenk Riberi, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo. Lista e treshes finaliste u publikua ditën e martë nga UEFA, ndërsa fituesi do të shpallet në të njëjtën ceremoni në të cilën do të hidhet edhe shorti i fazës së grupeve, në 29 gusht.

Përzgjedhja

Kjo treshe u përzgjodh nga një grup gazetarësh nga vende të ndryshme evropiane, ndërsa votimi do të bëhet live, gjatë ceremonisë që do të zhvillohet në Monako. Ndërsa Mesi dhe Ronaldo janë një dyshe e zakonshme në katër vitet e fundit si në pretendentët për të fituar Topin e Artë, ashtu edhe në tituj të tjerë personalë, Riberi ka hipur pasi ndihmoi Bajernin e Mynihut që të fitonte këtë vit “tripletën” e famshme: Ligën e Kampioneve, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë.

Lista e plotë

Lista e dhjetë futbollistëve më të mirë të sezonit, nga e cila u përzgjodh treshja finale, përfshinte edhe Robert Levandovskin, Arjen Robenin, Tomas Mylerin, Garet Bejlin, Bastian Shvajnshtajgerin, Zllatan Ibrahimoviçin dhe Robin van Persin.

 

Fantazisti

Van der Vart: Ky Bajern është galaktik

Për Rafael van der Vartin, Bajerni mund të përdorë edhe skuadrën rezervë në ndeshjen me Hamburgun, pasi ata e kanë të sigurt fitoren. Fantazisti holandez foli me superlativa për kampionët në fuqi. Për 30-vjeçarin, Pep ka një ekip yjesh që mund ta fitojë titullin duke luajtur edhe me rezervat. “Bajerni ka një ekip galaktik. Mendoj se edhe skuadra e dytë e Bajernit ka shanse të mira për t’u shpallur kampione. Harmburgu? Nuk jemi ekip për titull kampion, por, pse jo, mund të fitojmë kupën, duke përsëritur rrugën e Shtutgartit këtë vit. Premier Liga mund të jetë kampionati më i madh në botë, por Bundesliga është më e mira”, – tha “tulipani” për “Bild”.

 

Presioni

Guardiola: Nuk qenka e lehtë të drejtosh Bajernin

Deklarata e Guardiolës pas fitores 5-0 me Rehdenin në kupë ka qenë ushqimi i mediave bavareze 24 orë më vonë. Kur e pyetën për kursimin e Bajernit me skuadrën e kategorisë së katërt gjermane, trajneri i Bajernit tha se ai nuk ishte një supertrajner, por një trajneri normal, i cili kishte vetëm 5 vite përvojë dhe duhet ende të mësonte. “Ne duam ta fitojmë çdo ndeshje 7 apo 8 me zero. Por kjo është e pamundur. Këtë e tregoi kjo skuadër e kategorisë së katërt, e cila luftoi shumë. Këto janë ndeshje shumë të rrezikshme, prandaj unë jam i kënaqur nga fitorja”. Pak orë më vonë, 42-vjeçari pranoi për mikrofonat e “ARD”-së se ai ishte nën presion: “Jam shumë i ndërgjegjshëm për klubin të cilin drejtoj dhe nuk është aspak e lehtë. Këtu duhet të fitosh gjithnjë. Të gjithë kërkojnë më shumë, më shumë, më shumë. Më duhet ta pranoj këtë presion”. Edhe trajneri i Rehdenit, Predrag Uzelac, tha se Bajerni duhet t’i japë kohë trajnerit që të zbatojë idetë e tij. “Ka nevojë për shumë, shumë kohë dhe unë shpresoj që ai ta ketë këtë atë”, – tha trajneri kroat.

 

Botërori i 56-ës dhe 66-ës

Federata gjermane hedh poshtë akuzat

Federata Gjermane e Futbollit i ka hedhur poshtë akuzat për përdorimin e dopingut nga lojtarët e kombëtares në Botërorin e 1956-ës dhe 1966-ës. Në raportin prej 880 faqesh të Universitetit Humboldt, “Dopingu në Gjermani nga viti 1950 deri në ditët e sotme”, ish-funksionari i FIFA-s, Mihailo Andrejeviç, konfirmoi se 3 lojtarë të “pancerave” rezultuan pozitiv ndaj substancës së ndaluar efedrin. Por përmes një deklarate për shtyp, DFB-ja gjermane i hodhi poshtë akuzat si të pavërteta. Po ditën e djeshme reagoi edhe zëdhënësi i Partisë Social-Demokrate, Martin Gershter: “Kur të kemi në dorë raportin final, atëherë do ta analizojmë me shumë kujdes dhe nëse është e nevojshme, do të ndryshojmë dhe disa fakte të historisë së sportit. Nëse rezulton se disa medalje janë fituar me ndihmën e dopingut, atëherë historia duhet rishkruar”.

 

Independiente

Aguero kërkoi t’i ndihmonte financiarisht

Me një rrogë vjetore prej 16 milionë dollarësh në vit, Serxho Aguero nuk e ka problem të fusë dorën në xhep për të ndihmuar ish-skuadrën e tij. I ati i sulmuesit argjentinas të Mançester Sitit tha se djali i tij i është ofruar klubit të Independientes për ta ndihmuar financiarisht. Si do ta bënte? Duke blerë kartonin dhe duke paguar rrogën e 5 futbollistëve. Independiente është klubi që Kun i detyrohet shumë, pasi luajti atje prej moshës 9-vjeçare dhe më vonë u bë lojtari më i ri që debutoi në kampionatin argjentinas (15 vjeç). Por klubi që sot militon në kategorinë e dytë edhe pse është në krizë financiare e ka injoruar ndihmën e Agueros. “I kërkuam zv.trajnerit Karlos Skueo listën e lojtarëve, por nuk e dimë pse nuk u interesuan më”, – tha babai i sulmuesit.

 

 

Transferimi

Mes Bejlit dhe Realit është “ferri”

Stërvitje të detyruara, kërcënime nga “Al Kaeda” dhe së fundmi edhe me vdekje. Kjo është agonia e cila ka përfshirë ditët e fundit Garet Bejlin tek Totenhemi. Pjesa e parë nisi të hënën, kur në blogun e tij, shefi i celulës së organizatës terroriste në Jemen, Ahmed Al Dosari, e përkufizoi presidentin hebre të Spërsave, Daniel Levi si “një tregtar pa skrupuj. Një hebre që duhet ndëshkuar për lakminë e tij”. Por nuk mjaftoi kjo, sepse nëse sot pritet që Reali të firmosë çekun prej 120 milionë eurosh me londinezët për uellsianin, 24-vjeçari është rikthyer në stërvitje me shokët e Totenhemit, vetëm për të shmangur gjobën e klubit, presionet dhe ndoshta edhe ndonjë kërcënim me vdekje, që sipas “DailyStar”-it ka trembur lojtarin më të mirë të Premier Ligës. Sipas tabloidit britanik, në qendrën stërvitore të klubit, në Enfilld-Midëlleseks, mbërriti një telefonatë kërcënimi për jetën e lojtarit, i cili në ato momente nuk ndodhej aty. Drejtuesit e klubit njoftuan autoritetet për të rritur shkallën e sigurisë. E vërteta është që sa më parë të përfundojë kjo histori, aq më mirë është për të gjithë. Dhe pavarësisht se Levi ka bërë rezistencë se lojtari nuk do të largohet për më pak sa kërkon ai, klubi jep sinjalet e para të dorëzimit përmes instancave më pak të rëndësishme. “Ne duam që Bejli të qëndronte këtu, por nëse ai këmbëngul për t’u larguar, ne nuk mund ta detyrojmë të luaj me Totenhemin”, – tha për “Evening Standard”, drejtori i klubit, Keit Mills. “Kur një lojtar është shumë i vendosur për të ndryshuar ambient, atëherë është po kaq e vështirë për ta bindur që të qëndrojë. Kjo është një eksperiencë e fituar nga klubet e tjera. Edhe në rast se lojtari ka një kontratë, nuk është e imagjinueshme dhe e mundur që ta detyrojmë të qëndrojë në Londër. Këtë verë ne kemi investuar shumë në skuadër me shpresën që vitin tjetër të arrijmë të luajmë në Champions dhe fitojmë trofe. Kjo është ajo çka i nevojitet Totenhemit. Kemi bërë blerje të goditura”.

 

Merkato

Junajtidi sfidon Napolin për Martinezin

Garës për të firmosur me sulmuesin e Portos, Xhekson Martinez, i shtohet edhe Mançester Junajtid. Ylli kolumbian, i cili kërkohet me ngulm nga Napoli, Liverpuli dhe Totenhemi shikohet si kandidatura ideale për të zëvendësuar Runin në largim. Por edhe kampionët e Anglisë, duhet të paguajnë klauzolën e prishjes së kontratës së 26-vjeçarit (40 milionë euro). Junajtid nuk e ka problem diçka të tillë, por më parë duhet të zgjidhë të ardhmen e Runit.