Halilaj nderon Kukësin, Kukësi Shqipërinë

0
144

Altin Vorpsi

Kukësi arrin të bëjë histori, duke u shndërruar në ekipin e parë që arrin të kalojë tre ture të kompeticioneve europiane. Në Ukrainë, në stadiumin e “frikshëm” të Metalurg Donteskut, verilindorët zhvilluan një paraqitje heroike, duke kufizuar vendasit në vetëm një gol, në minutën e 27’.

 

download-9Kukësi vazhdon të mrekullojë me performancën e vet në Ligën e Europës. Nuk janë pak, por plot tre ture të kaluara prej tij në këtë kompeticion europian për klube, çka s’e kishte bërë më parë asnjë skuadër tjetër shqiptare. Misioni i verilindorëve të Armando Cungut vazhdon në fazën e “play-off”-it, pasi ka dërguar në shtëpi edhe Metalurg Donjeckun e Ukrainës. Ky i fundit në përballjen me nënkampionët e Shqipërisë ka pasur të njëjtin fat me Flora Talin dhe Sarajevon.

Formacioni

Mungesa të konfirmuara ishin mbrojtësi argjentinas, Lukas Malakarne, si dhe mesfushori kosovar, Besar Musolli. I pari vuante dëmtimin në gju, ndërsa i dyti, për shkak të pezullimit nga UEFA. Ashtu si edhe në ndeshjet e kaluara, Cungu nuk pritej të surprizonte as sot me 11 lojtarët që hodhi në fushë. Ekipi që nisi pjesën e dytë në takimin e parë në Tiranë, zbriti dje nga minuta e parë në fushë. Kështu, porta pati të përhershmin Halili, ndërsa katërshja në mbrojtje përbëhej nga Peqini në krahun e djathtë, Brahja e Malota në qendër, si dhe kapiteni Hallaçi në të majtë. Në mesfushë krahët i takonin Prognit dhe Hoxhës, ndërsa qendra Allmuçës me Karabecin. Sulmi përbëhet nga Malindi (Popoviç e nisi nga stoli) në majë dhe Alikaj në mbështetje të tij. Ky i fundit e nisi këtë herë si titullar, në ndryshim nga takimi i parë, kur u aktivizua vetëm pas dëmtimit të Malakarnes. Varianti taktik që përdori Cungu ishte 4-4-1-1, por në fazën mbrojtëse ai shkoi edhe 4-5-1, ndërsa kur skuadra sulmonte pozicionohej në 4- 2-3-1. Udhëzimet e fundit të Cungut kishin qenë për një disiplinë taktike dhe përqendrim maksimal në fushë. Trajneri kishte kërkuar nga lojtarët që të ishin të qetë, për më tepër që këtë herë i favorizonte dukshëm edhe rezultati i sfidës së parë.

Halilaj deçiziv

Ashtu si në Sarajevë edhe në Donjeck heroi i takimit ishte po ai, Halilaj. Numri një i Kukësit ka mbajtur në lojë të tijët gjatë tërë takimit me pritjet e tij. Starti i këtij takimi ishte asfiksues për miqtë. Të besuarit e Cungut, me në krye një portier që s’ka të krahasuar, si Halilaj, kanë pësuar vetëm një gol, në minutën e 27-të, kur Dimitrov çau prapavijën kuksiane. Më pas rrjeta e Halilajt ka mbetur e paprekur, edhe pse rreziku ka qenë potencial e persistent.

Me dhjetë

Nëse kujtojmë se Kukësi i ka luajtur 16 minutat e fundit të kohës së rregullt, shto këtu edhe 7 minutat shtesë që akordoi kryesori turk, kualifikimi i nënkampionëve tanë mund të konsiderohet jo vetëm historik, por edhe heroik. Skuadra shqiptare, edhe pse me dhjetë lojtarë pas përjashtimit me karton të kuq të Malindit në minutën e 75’, arriti të rezistonte në mënyrë heroike, duke u kualifikuar e favorizuar nga fitorja 2-0 e aritur në Tiranë.

Prestigj dhe Premio

Me fitoren 2-1 me rezultat të përgjithshëm, verilindoret mund të synojnë tashmë kundërshtarë të mëdhenj si Tottenham, Udinese apo Fiorentina, në “play-off” të Europa League, ku pas eliminimit nga Champions League në raundin e tretë, do të jetë pjesëmarrës edhe Skëndërbeu. Ndërkohe, Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet Sekretarit të saj të Përgjithshëm, njoftoi se do t’i akordoje Kukësit si shpërblim për kalimin e turit shumën e 100 mijë eurove.

 

Shorti

E ardhmja është tejet e vështirë për Kukësin. Në “play-off” të Ligës së Europës, në shortin që do të mbahet sot, Kukësi do të njohë edhe kundërshtarin e vet, ashtu sikundër edhe Skënderbeu. Kampionët në fuqi u eliminuan në turin e tretë të Kupës së Kampioneve dhe duke iu referuar ndryshimeve që ka bërë UEFA në formatin e Champions-it, skuadrat që eliminohen në këtë tur kalojnë në “play-off” të Ligës së Europës. Në këtë kontekst, sot në short pritet që të kemi dy skuadra shqiptare, të cilat, duke pasur pak a shumë koefiçentë të njëjtë, do jenë në vazon e skuadrave të dobëta, ndaj do kenë përballë në short të njëjtët kundërshtarë. Në “play-off” të Ligës së Europës shkojnë 62 skuadra, nga të cilat 29 dalin nga çiftet e turit të tretë të këtij kompeticioni, 15 janë skuadra që vijnë si humbëse dhe të eliminuara nga turi i tretë i Champions-it, ku këtu futet edhe Skënderbeu dhe 18 janë ekipe elitare që e nisin tanimë aventurën e tyre në Europë. Në këtë rang janë skuadra si Totenhemi, Dinamo e Kievit, Braga, Fiorentina, Spartaku i Moskës, AZ Alkmari, Beshiktash etj. Këta, por jo vetëm, mund të konsiderohen edhe si ajka e turit “play-off” dhe kundërshtarët që Skënderbeu dhe Kukësi do uronin që të mos i kishin përballë. Ndërkohë, nuk mbeten pas edhe ekipe si Salzburgu, Shtutgarti, Rubin Kazan, Sevilja, Standard Liezhi, Udineze, Sëlltik apo edhe Viktoria Plzen, të cilat verifikuan kualifikimet e tyre, pas ndeshjeve të djeshme në turin e tretë të Kupës së Kampioneve. Ndeshjet e parë të “play-off” të Ligës së Europës luhen më 22 gusht, dy ditë para fillimit zyrtar të kampionatit shqiptar të futbollit. Ndërsa ato të kthimit luhen më 29 gusht.

 

Urimi

Berisha përgëzon Kukësin

Kryeministri Sali Berisha ishte nga të parët që pak minuta pas përfundimit të takimit mes Metalurgut të Donjeckut dhe Kukësist, komplimentoi këtë të fundit për rezultatin e arritur dhe për lojën e zhvilluar. Kryetari i qeverisë shkruan se fitorja e Kukësit është jo vetëm historike për këtë skuadër por edhe për të gjithë futbollin shqiptar. “URIMË!!! KUKËSI DREJT ZENITIT! Të dashur miq, ekipi i futbollit të Kukësit arriti në play-off të Europa League. Fitore historike e ekipit të Kukësit dhe futbollit shqiptar. Le t’ju dërgojmë ne urimet më të përzemërta lojtarëve të talentuar, kapitenit të sprovuar, trajnerit të shkëlqyer dhe presidentit vizionar të skuadrës së Kukësit që me suksesin e tij çuditi futbollin europian. Suksese gjithnjë më të mëdha Kukësit! Fitore të tjera!!! sb”, – shkroi dje zoti Berisha. Urimet nuk munguan edhe nga deputetët e tjerë të Kuvendit, të cilët gjetën të rastin të lavdërojnë futbollistët për lojën e zhvilluar.

 

FSHF

Duka: Rezultate te rralla të Kukësit

Përmes Facebook-ut ka reaguar pas kualifikimit të Kukësit në fazën e “play-off”-it të Ligës së Europës është presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Ai ka nënvizuar: “Jam shumë i lumtur sonte për këtë rezultat të rrallë të Kukësit. Një kualifikim që vlen si një fitore jo vetëm për skuadrën e Kukësit, por edhe për të gjithë futbollin shqiptar. I uroj nga zemra suksese të mëtejshme për një përfaqësim dhe promovim sa më dinjitoz të futbollit shqiptar në Europë. Një urim të veccantë presidentit Gjici për këtë rezultat!”