Ervin Kaduku
– Rrezikohet të hidhet poshtë nga qeveria e re, ndërkohë që biznesi dhe qytetarë të shumtë e prisnin “si ujët e pakët” këtë masë të ndërmarrë nga mazhoranca e djathtë këtë vit, me afat të zgjatur deri në fund të dhjetorit 2013
Sipas ligjit të ri, të miratuar edhe nga Kuvendi, afati për zbatimin e amnistisë fiskale shtyhet deri më 31 dhjetor 2013, por rregullat se kush përfiton dhe si mbeten të njëjtat, pra thjesht kemi një zgjatje në kohë të zbatimit të amnistisë së mëparshme. Por ai nuk mund të aplikohet, për arsyes se Ministria e Financave nuk ka nxjerrë udhëzimet përkatëse. Ministria e Financave ka kërkuar nga tatimet dhe doganat sugjerime për hartimin e udhëzimit për zbatimin e amnistisë fiskale, në mënyrë që të shmangë gabimet e së kaluarës, por biznesi mbetet pesimist. Por, gjithsesi, sot e kësaj dite nuk ka një udhëzim për zbatimin e ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të detyrimeve tatimore dhe doganore”, i cilësuar shkurt “Amnistia”. Në fakt, do të konsiderohej e tillë, në rast se do të faleshin edhe veprat penale, por ligji mori vetëm 48 për qind të votave, pra e votuan më pak se 70 deputetë, në një kohë kur kërkonte 84 vota. Megjithatë, ky është një tjetër diskutim, pasi ajo çfarë i intereson publikut, biznesit dhe individëve janë risitë që sjell kjo “amnisti” e përsëritur.
Burime zyrtare nga Ministria e Financave thanë që udhëzimi nuk është bërë gati ende, pasi priten komentet nga institucionet e tatimeve dhe doganave. Mësohet se para disa javësh është zhvilluar një takim mes zyrtarëve të të tre institucioneve, për të koordinuar punët. “Ideja është që të hartohet një udhëzim më i saktë, më i qartë dhe më lehtësues për biznesin”, – thotë ministria.
Tatimet dhe doganat kanë për detyrë që me sugjerimet përkatëse që do të japin, të sjellin edhe rastet me shembuj nga e kaluara, se çfarë nuk funksionoi apo çfarë pengoi sipërmarrjen të merrte pjesë në procesin e amnistisë. “Ky është edhe qëllimi, pra hartimi i një udhëzimi që shmang pengesat”, – vijon më tej sqarimet ministria.
Dhe në fakt, të gjitha vërejtjet bien te komisionet e aplikimit, aty ku biznesi pati më tepër probleme. Ideja është që amnistinë duhet ta përfitojnë të gjithë dhe “frytet” të merren pa qenë nevoja të aplikohet në rastet kur nuk është e nevojshme.
Të krijuara enkas për të sqaruar aplikantët, komisionet e ngritura në degët rajonale të tatimeve dhe doganave, në fakt nuk sollën gjë tjetër por vetëm penguan procesin. Këtë fakt e pranojnë jo zyrtarisht ekspertë nga tatimet dhe doganat.
Rezultati? Nga amnistia përfituan më shumë individët se sa bizneset, duke sjellë dështimin më të madh. Qeveria ia faturoi opozitës, e cila nuk e dha votën për miratimin e plotë të paketës, por në fakt, tatimet dhe doganat, aq më shumë Ministria e Financave pranojnë se analizat e amnistisë së parë nuk u bënë kurrë për të kuptuar dhe identifikuar se cilat ishin problemet dhe pengesat për biznesin.
Mjafton të kujtojmë se në ligjin e faljes, e cili e mbylli zbatimin në mars 2012, u trajtuan rreth 185 mijë raste dhe u falën 19 miliardë lekë (ose sa 36 për qind e totalit për t’u falur).
Që këtu duhet analizuar se çfarë nuk shkoi me procesin dhe pikërisht, këto dilema pritet të trajtohen nga ekspertë të fushës në tatime dhe dogana. Këta të fundit janë duke punuar prej më shumë se një jave, por nuk kanë konkluduar një draft të posaçëm.
Ekspertët e sektorit të politikave fiskale mendojnë se nevojitet një analizë e detajuar dhe serioze nga administrata tatimore dhe doganore bashkë me Drejtorinë e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, për mangësitë, organizimin dhe mosveprimet, me qellim mospërsëritjen e gabimeve dhe defekteve.
Edhe pse Ministria e Financave është e gatshme të hartojë një udhëzim që organizon një falje të detyrimeve dhe gjobave, sipas kërkesave ligjore pa krijuar barriera si më përpara (ngritje komisionesh në rajone, pritje për kërkesë nga subjekte, etj.), biznesi shprehet sërish pesimist.
“E kemi deklaruar edhe herë të tjera dhe nuk ndryshojmë qëndrim. Nuk është çështja tek udhëzimi, por te ligji, nenet, çfarë përmban ai, mungesa e garancisë për mosndëshkim nga tatimet pas përfundimit të procesit, nevojitet një proces gjithëpërfshirës”. Sipas Nikolin Jakës, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Qarku i Tiranës, ata që do të jenë sërish përfitues të procesit mbeten individët, kurse biznesi nuk pritet të jetë “fitimtar”.
Megjithatë, ministria mendon të ndryshojë rregullat, duke falur pa kushte dhe duke kërkuar nga subjektet vetëm ato informacione që vlejnë për kompletimin e praktikës duke bërë komunikimet përkatëse, por këto ide mbeten vetëm në kuadër të diskutimeve.
Maks Muçi i Shoqatës së Ndërtuesve thotë se “ata që kanë punuar në kohën e krizës, edhe mund të përfitojnë, por ky proces është një farsë”. Ndërsa Xhavit Curri, ekspert i fushës fiskale e konsideron të dëmshëm rikthimin e procesit të amnistisë.
Zyra e shtypit nuk jep përgjigje nëse Fullani është vënë në dijeni të pyetjeve nga “Standard”, përgjigjja e vetme: “Do t’i shohim në ditët në vijim”.
Pse hesht guvernatori i Bankës së Shqipërisë?
Asnjë sinjal nga Banka e Shqipërisë për problematikën e ngritur në “Standard” qoftë për ish-hotelin “Dajti”, ashtu dhe për shpenzimet e saj. Prej ditësh “Standard” ka depozituar pranë zyrës së shtypit një grup pyetjes për guvernatorin Ardian Fullani që lidhen me dy çështjet e mësipërme, që jo pak është përfolur në media, dhe prej tij gjithmonë është anashkaluar përgjigja. Gjithë procedura se si “Standard” ka ndjekur në lidhje me pasjen e një prononcimi nga guvernatori i Bankës është ndjekur nga një përgjigje e zyrës së shtypit: “Do të keni një përgjigje në ditët në vijim!” Nuk konfirmohet nëse Fullani është njoftuar me pyetjet, apo dhe në këtë rast bie në padijeni të tyre?!
Çështjet apo problematika e trajtuar një ditë më parë mbështeten mbi fakte të tërhequra nga Banka, për të cilat përgjegjësia publike ende nuk ka një emër, në këtë rast të guvernatorit aktual.
Gazeta do të vazhdojë të këmbëngulë për të pasur prononcimin zyrtar të shefit të Bankës së Shqipërisë. Kjo edhe për të kuptuar mentalitetin që ekziston, ku krerët e institucioneve shpesh largojnë median duke lënë në errësirë mjaft të vërteta që lidhen me paratë publike. Arroganca dhe heshtja janë arsye shpesh për të hequr dorë lehtësisht nga të pranuarit e përgjegjësisë për institucionin që drejtojnë. Në rastin konkret Fullani mund të mendojë se duke heshtur për shumë ditë, do mund të harrohet dhe ky problem si shumë të tjerë në këtë vend, të etiketuar për ironi me batutën “çudia tre ditë zgjat”! Heshtja e Fullanit ndaj kërkesës së “standard” për t’ju përgjigjur disa pyetjeve do t’i kalojë tre ditët, ndoshta dhe javët (pasi disa kanë kaluar deri tani) por nuk mund të mbyllin komunikimin për të njohur realitetin mbi mënyrën se si drejton, dhe orienton shpenzimet guvernatori i Bankës së Shqipëri. Gazeta prej ditës së nesërme rezervon çdo ditë një faqe hapësirë gri, në pritje të përgjigjes së pyetjeve nga Ardian Fullani: çfarë po ndodh me ish-hotel “Dajtin”, të blerë nga Banka; dhe si i shpenzon paratë publike ky institucion?!