Sonja Caka
Policia: I janë dokumentuar vjedhjet e 20 automjeteve tip “Mercedes-Benz”, i shiste për pjesë këmbimi në Laç e Fushë-Krujë
Një grabitës serial automjetesh është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit, ndërsa i numërohen të paktën 20 Benza të vjedhur, ndërsa dyshohet edhe për të tjera automjete. Vjedhjet i ka kryer në Tiranë dhe në rrethe të tjera, ndërsa çoheshin për t’u shitur për pjesë këmbimi në Laç dhe Fushë-Krujë. Policia ka vënë në pranga të riun nga Yrsheku Sajmir Morava, 32 vjeç, ndërsa po hetohet për të tjerë bashkëpunëtorë të tij, pasi dyshohet se nuk ka qenë i vetëm në këtë veprimtari kriminale. Policia e Tiranës bën me dije se arrestimi i 32-vjeçarit u bë në kuadër të operacionit të koduar “Gushti”, ndërsa mësohet se i janë dokumentuar të paktën 20 vjedhje makinash, të tipit “Mercedes-Benz”.
Operacioni
Strukturat e komisariatit të policisë nr. 3 Tiranë finalizuan mesditën e djeshme operacionin e koduar “Gushti”, me anë të të cilit bënë të mundur arrestimin e shtetasit Sajmir Ylli Morava, 32 vjeç, lindur dhe banues në Yrshek të Tiranës, i proceduar disa herë më parë për vjedhje automjetesh. Falë një pune hetimore të organizuar nga strukturat e këtij komisariati, u arrit të identifikohej autori i dyshuar me këtë tendencë, si dhe dokumentimi i përfshirjes së tij në mbi 20 vjedhje automjetesh, të realizuara në Tiranë e qytete të tjera në kohë të ndryshme. Nga hetimet e mëtejshme, prej grupit hetimor u bë i mundur zbulimi i realizimit të këtyre vjedhjeve të makinave, që më pas i shisnin për pjesë këmbimi në qytetet Laç dhe Fushë-Krujë. Aktualisht, nga grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, po punohet intensivisht në drejtim të kapjes së të tjerë personave me këtë tendencë, por për arsye të hetimit nuk mund të bëhen publike gjeneralitetet. Këtij shtetasi iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale disa automjete të vjedhura, si dhe disa sende që shërbenin për hapjen dhe ndezjen e këtyre automjeteve. Materialet hetimore do t’i kalojnë për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit Sajmir Morava.
Vjedhjet
Policisë së Tiranës i janë dashur disa muaj të dokumentonte disa nga vjedhjet ku ishte përfshirë 32-vjeçari. Nga puna hetimore e bërë nga policia ka rezultuar se ky shtetas më datë 12.1.2013, në rrugën “Don Bosko” ka vjedhur automjetin “Mercedes-Benz CDI 200”, me targa AA 622 FK; më datë 8.2.2013, në rrugën “Don Bosko”, pranë shkollës “Qazim Turdiu”, ka vjedhur automjetin tip “Mercedes-Benz”, me targa AA 270 EL; më datë 16.2.2012, në rrugën “Sulejman Pasha”, Tiranë, ka vjedhur mjetin e tij tip “Mercedes-Benz 190 D”, me targa TR 8715 J; më datë 20.2.2013, në rrugën “Riza Çuka” ka vjedhur automjetin tip “Mercedes-Benz 300”, me portobagazh, ngjyrë blu, me targa TR 5857 R; më datë 6.4.2013, në rrugën “Petrela”, vjedhja e mjetit tip “Mercedes-Benz 200 D”, ngjyrë gri, me targa TR 4271 K; më datë 29.5.2013, në rrugën “Panorama” është vjedhur mjeti tip “Mercedes-Benz” me targë TR 1811 D; më datë 7.6.2013, në Rrugën e Durrësit është vjedhur automjeti “Mercedes-Benz”, me targa TR 7385; më datë 14.6.2013, ora 16:00, në ambientet e brendshme të Spitalit Ushtarak është vjedhur automjeti tip “Mercedes-Benz 200”, ngjyrë gri, me targa BR 0146 B; më datë 15.7.2013, në Rrugën e Durrësit është vjedhur automjeti i markës “Mercedes-Benz”, me targa TR 8192 F; më datë 17.7.2013, në rrugën “Asim Vokshi” është vjedhur automjeti tip “Mercedes-Benz” me ngjyrë gri, me targa TR 4796 M; dhe më datë 28.7.2013, në bulevardin “Zogu i Parë”, është vjedhur automjeti tip “Mercedes-Benz 250”, me targa TR 6199G, ngjyrë kafe.
Tiranë
I vjedh varësen nga qafa 55-vjeçares, arrestohet Kristian Lleshi
Rikthehen frikshëm grabitësit e varëseve të floririt nga qafat e grave apotë vajzave në rrugët e kryeqytetit. Mesditën e djeshme, nga patrulla e komisariatit numër 1 është arrestuar 20-vjeçari Kristian Lleshi. Sipas policisë, Lleshi ka ndjekur për pak minuta një zonjë e cila ishte duke u kthyer në banesën e saj pranë shkollës “Ismail Qemali” e me një veprim të shpejtë i ka tërhequr nga qafa varësen e floririt duke e lënduar zonjën. Më pas, me varësen e grabitur ka tentuar të largohej. Prania e patrullës në kryqëzimin në unazë pranë shkollës “Ismail Qemali” dhe ndërhyrja në kohë ka sjellë ndalimin e të riut në flagrancë, si dhe pranimin e veprës penale nga ky i fundit. Menjëherë 55-vjeçares me iniciale K. Kurti i është kthyer varësja, ndërsa për grabitësin me origjinë nga Mirdita dhe banues në zonën e Freskut në kryeqytet, ka nisur procedimi penal dhe pritet që gjykata të vendosë për të masën e sigurisë.
Gjykatë
E moshuara kërkon urdhër mbrojtjeje nga i biri dhe dy nipërit
Një grua e moshuar, 72 vjeçe, i është drejtuar fillimisht policisë dhe më pas Gjykatës së Tiranës, ku kërkon të mbrohet nga djali i saj dhe dy nipërit. E moshuara Dife Aga ka shfaqur para gjykatës problemet që ka me djalin, Kujtimin, dhe dy nipërit e saj, djemtë e të birit. Gruaja e moshuar është shprehur para gjyqtares: “Kujtimin e kam djalë dhe dy të paditurit e tjerë janë nipërit e mi. Dhëndri po vishte penxheren. Derën e dhomës së shtëpisë sime e hapën me trapan dhe me të gjitha gjërat, ajo qëndron e hapur. Derën e brendshme të shtëpisë ma kanë mbyllur. I paraqes gjykatës si prova 3 copë fotografi. Dje, nipi im, Everest Aga, erdhi dhe me tha: ‘Do t’ju bëjmë të gjithëve garrumbull”. Pasi u pyet edhe pala e paditur, Kujtim Aga u shpreh me fjalët: “Mua me vjen turp që vij këtu në gjykatë për kështu çështjesh. Me atë dhomë ku bëhet fjalë, unë kam jetuar shumë vite dhe kam qenë i ndarë. Unë kam bërë një mur ndarës, është muri im, e kam bërë me shpenzimet e mia. Jemi në proces gjyqësor për banesën”. Menjëherë ka reaguar nëna e tij, paditësja, e cila është shprehur për gjykatën: “Nuk jemi në proces gjyqësor për banesën”. Pasi u pyet edhe i padituri Everest Aga, ai tha: “Unë vajta të hap derën e jashtme dhe gjyshja ime, Dife Aga, më tha se i ka humbur çelësi dhe unë thjesht e shtyva dhe ajo ishte e kalbur dhe u hap”. Në këto rrethana, gjykata me vendimin nr. 14857 akti, dt. 29.7.2013, vendosi lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për paditësen Dife Aga.