“Paratë e fushatës”, partitë përballojnë gjobat e KQZ-së me buxhetin e shtetit

0
172

Florenc Drizari

KQZ: PD duhet të kthejë 8.461.327 lekë, ndërsa PS 3.453.601 lekë

 

Nga-mbledhja-e-djeshme-e-KQZ-300x192Partitë politike nuk shpenzojnë asgjë nga të ardhurat e tyre vjetore, edhe pse gjobiten për shkelje të ligjit nga administrata zgjedhore në periudha elektorale.

Dy ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi projektvendimin për fondet që partitë politike duhet të kthejnë në buxhetin e shtetit, krahasuar me numrin e votave që ato morën në zgjedhjet e 23 qershorit.

Sipas KQZ-së, fondi prej 65 milionë lekësh, i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, pjesëtohet me votat e vlefshme të grumbulluara nga këto parti në zgjedhjet e datës 23 qershor 2013, ku herësi i dalë shumëzohet me votat e vlefshme për secilën parti. Shifra e dalë përcakton shumën që përfiton kjo parti për zgjedhjet 2013. Nga kjo shumë zbritet fondi i dhënë paradhënie. Nga 65 milionë lekë të marra në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, partitë politike duhet t’i kthejnë shtetit 17.898.689 lekë. Sipas të dhënave të KQZ-së, PD-ja është partia që ka për të kthyer edhe numrin më të madh të fondeve me rreth 8.461.327 lekë, ndërsa PS-ja duhet të kthejë 3.453.601 lekë. LSI-ja duket se është partia më e favorizuar, për faktin se ky subjekt zgjedhor nuk përmendet në listën e KQZ-së.

Ndërkaq, partitë politike që përfituan edhe numrin më të madh të fondeve në fushatën e 23 qershorit janë PD, PS dhe LSI, ndërsa këto tri subjekte zgjedhore rezultojnë të gjobitura edhe me sanksione administrative nga KQZ për mosrespektimin e kuotave të barazisë gjinore në listat e zgjedhjeve.

Sipas relacionit të KQZ-së, për tri parti politike do të zbriten sanksionet administrative për mosrespektimin e kuotës së barazisë gjinore që janë bërë titull ekzekutiv, të vëna për partinë përkatëse në zbatim të Kodit Zgjedhor. Kështu, për Partinë Socialiste të Shqipërisë, do të zbritet shuma prej 6 milionë lekësh të vënë si sanksion administrativ nga KQZ me vendim nr. 337, datë 11.5.2013, për Partinë Demokratike do të zbritet shuma prej 4 milionë lekësh të vënë si sanksion administrativ nga KQZ me vendim nr. 340, datë 11.5.2013, për Lëvizjen Socialiste për Integrim do të zbritet shuma prej 4 milion lekësh të vënë si sanksion administrativ nga KQZ me vendim nr. 341 datë 11.5.2013. vlera që del, është shuma që do të marrë ose do të kthejë partia politike për zgjedhjet për Kuvendin 2013.

Kjo bën që partitë politike të mos përdorin fonde nga të ardhurat e tyre për shlyerjen e detyrimeve ligjore (gjoba të vëna nga KQZ), por të qarkullojnë para të marra nga buxheti i shtetit si financime për zhvillimin e fushatave elektorale.

Mosrespektimi i kuotës së 23 për qind të grave në listat shumë emërore të zgjedhjeve duket se është një problem i vazhdueshëm në zgjedhjet si qendrore ashtu edhe vendore në Shqipëri, edhe pse thirrjet për respektimin e këtij kriteri nga ndërkombëtarët dhe sanksionet nuk kanë munguar në drejtim të subjekteve politike.

 

 

 

Gjoba për diskriminimin e burrave, se kishte 126 femra në lista

Ndryshe nga subjektet e tjera zgjedhore që janë gjobitur në KQZ për mosrespektim të kuotës gjinore për gratë në listat e zgjedhësve, KQZ ka njohur edhe diskriminimin e burrave në këto lista.

Më herët KQZ ka gjobitur me 8 milionë lekë të rinj Partinë Popullore Kristiandemokrate me kryetar Pal Shkambin, pasi në listat e kandidatëve janë diskriminuar meshkujt. Kryetari i PPKD, Pal Shkambi, ka përfshirë në lista 126 kandidate femra, ndërsa vetëm 41 meshkuj dhe nga anëtarët e KQZ-së u cilësua si diskriminim ndaj burrave në qarqet: Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Dibër, Berat dhe Fier. “Kjo parti ka tejkaluar kriterin e gjinisë për fermat dhe ka diskriminuar meshkujt”, – ka thënë drejtoresha juridike e KQZ-së, Dëshira Pasko. Listat e PPKD-së janë shoqëruar dhe me batutat e të pranishmëve në mbledhje, pasi si rrallëherë në këtë listë shumemërore në minorancë ishin burrat. Juristë në atë mbledhja kanë thënë se kjo forcë politike duhet t’i japë disa kandidate femra borxh PD, PS dhe LSI, që këta të fundit t’u shmangen gjobave.

 

Amnesty International: Të ndërhyhet urgjentisht për romët e dëbuar!

Amnesty International reagon sërish për incidentet e krijuara me familjet rome pranë “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë, duke u bërë thirrje autoriteteve shqiptare të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për ta.

“Familjet rome që u dëbuan më 7 gusht nga barakat e tyre deri më tani janë të pastreha. As autoritetet lokale të Tiranës dhe as qeveria nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar këta persona dhe për t’ju siguruar atyre një strehim alternativ”.

Sipas AI-së, këto familje jetonin prej 10 vitesh në rrugën e Kavajës në Tiranë, ndërsa u dëbuan që aty me forcë edhe pse policia e shtetit kishte dhënë urdhër që kompania në fjalë të mos dëbonte romët deri në gjetjen e një zgjidhje.

AI thekson se familjet rome të dëbuara nga vendbanimet e tyre kanë fjetur në rrugë, pasi nuk kanë ku të shkojnë, ndërsa ndihma në ushqime e ujë marrin nga OJQ-të.

Ndër të tjera AI vijon apelin e saj të fortë për të gjetur një zgjidhje për familjet rome.

“Autoritetet të ofrojnë ndihmë të menjëhershme për familjet rome të pastreha pas dëbimit të tyre me dhunë, t’ju sigurojnë një strehim alternativ, i cili plotëson standardet ndërkombëtare, duke përfshirë Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara”, – theksohet më tej në deklaratë.