Skandal në Ministri të Kulturës/ Revoltohen të përndjekurit: portreti i Ramiz Alisë i varur në mur përballë Havzi Nelës.

0
164

Dje u mbushën 25 vjet nga varja në litar e poetit Havzi Nela, dy vite para se të shembej diktatura, një vendim me vdekje i firmosur nga Ramiz Alia. Familjarët: Nuk u ndëshkua sa ishte gjallë!

Viktima dhe ekzekutori, përballë!

 

200px-Ramiz_AliaHavzi_Nela“Nuk mund t’i shoh këtu në Ministri të Kulturës të varur në mur ato portrete përballë fotos së Havzi Nelës, të kem një kazëm e t’ju bie ekzekutuesve të bashkëshortit tim”, – këto fjalë mbyllin intervistën e “standard” me bashkëshorten e poetit nga Kukësi, Havzi Nela, që u ekzekutua me varje në litar, në mes të qytetit vetëm një vit para shembjes së diktaturës në të gjithë Evropës dhe në Shqipëri. Dje, u mbushën 25 vjet nga kjo ngjarje tronditëse kur poeti e mësuesi rebel kundërshtoi gjithë jetën e tij hapur regjimin diktatorial dhe fundi: një urdhër ekzekutimi i firmosur nga Ramiz Alia, Kristaq Rama e 13 vetë të tjerë do ta shndërronin këtë histori në një nga historisë e radhës të krimeve komuniste me qëllim terrorizimin e popullit për ta mbajtur sa më gjatë nën diktat.

Hapi derën ministri i Kulturës Visar Zhiti për ta kujtuar këtë ngjarje. Por në pak minuta u kthye në bumerang. Agim Musta, në fjalën e tij, do ta drejtonte gishtin për nga faqja përballë e murit nga po mbaheshin fjalimet përkujtimore, gati melodramatike të të gjithëve se nderi i tyre, i të përndjekurve nuk është çuar në vend! Një historik ministrash të Kulturës, sa hyn në sallën “Tefta Tashko Koço”, në të majtë, i ka acaruar dje të përndjekurit duke kthyer kokën njëherësh. Në mur midis ministrave të fundit, atyre të demokracisë ishin vendosur portretet e Bedri Spahiut po ashtu dhe Ramiz Alisë, me nënshkrimin ministër i Arsimit dhe i Kulturës! “Kur pashë portretin e ish-prokurorit që ka lyer duart me gjak, Bedri Spahisë, pasuesin e diktatorit Ramiz Alisë etj., u revoltova”, – tha Musta, duke çuar zërin, dhënë ton më të fortë, prej të pamposhturve, si racë e fundit e kësaj qëndrese. Ndërsa bashkëshortja e Havzi Nelës do vazhdonte: “Asgjë nuk është bërë ende për të përndjekurit. Më mungon liria, ndërsa plaga është e hapur. Ramiz Alia i varur sërish aty në portret vdiq i pandëshkuar”.

Protesta dhe rebelimi i të përndjekurve është shoqëruar me zhurmë e gati përplasje karrigesh nga vendi, duke mos u përmbajtur, me zë të lartë, por jo aq sa të prishnin takimin.

Pas takimit të gjithë rendën të shikonin edhe një herë radhën e fotove, sikur të mos besonin se çfarë po shihnin të ishte e vërtetë. Si ta merrnin hosana për ish-ministrin e Arsimit e Kulturës që firmosi ekzekutimin e poetëve apo si përballje me kohën dhe ironinë e çfarë po ndodh sot në ringjalljen dhe rehabilitimin e tyre?! Asnjë palë nuk ra dakord me këtë. Ndoshta do të ishin gati t’i pështynin, t’i thyenin e t’i binin me kazëm si në rastin e bashkëshortes së Havzi Nelës, si rasti më i pastër i kësaj ironie.

Sikur mos të ishte oratoria e ministrit të Kulturës Visar Zhitit, një ish-i përndjekur për vete, që e tejkaloi këtë situatë për pak të rrëshqitur nga historia, aty dhe gazetarët do mund të përfshiheshin pa frikë në revoltë. ”Kjo ditë sot është një akt, një qiri i ndezur në nderim të Havzi Nelës dhe të gjitha fotot vendosur aty hidhen poshtë përpara poetit”. Megjithëse kamerat, të rreshtuara fillimisht si duke pritur ndonjë ngjarjeje të madhe, as disa minuta u zhdukën të gjitha! Sigurisht si shumë të tjera që nuk lënë “gjurmë” dhe kjo çështja e fotos së Alisë mu në një rast të tillë përballjeje, midis viktimës dhe ekzekutorit – tashmë të ndarë nga jeta – po pa u ndëshkuar, pra do anashkalohej nga kamerat.

Aty ishte jeta e sapothënë e një prej ngjarjeve më tronditëse dy vite para se të shembej diktatura. “Ai sistem mizor nuk mund të rrinte pa i larë duart me gjak deri në momentin e fundit të shkatërrimit”, – tha Musta.

“I urtë, i qetë, engjëll”, ja kështu e njoh, tha ministri Visar Zhiti duke sjellë memorien e dënimit katër herë të poetit. Pak fjalë se si një polic i shpëtoi fletoret me poezi, çdo javë mbushte fletoret… ndërsa polici hapte murin e shtëpisë për t’i fshehur ato. Derisa një ditë, për t’i shpëtuar nga duart e Sigurimit, vendosi t’i mbillte në rrënjë të një molle. “Shkruante në burg për të drejtat e njeriut. Ishte një mister se si lajmet nga bota hynin në burg”, – tha Lavdie Nela, bashkëshortja e poetit, e cila ka rrëfyer se gjithë kohës i fliste për terrorin, rebelimin, neverinë për diktaturën që i përgjigjej me poezi si dëshmi për dhunën, krimet.

Mbërritja te historia e fundit: Havzi Nela gjeti një kobure të ndryshkur, kur mori vesh se do ta riarrestonin, një akt vetëmbrojtjeje. Nga kjo situatë vendimi ishte final: dënimi me varje.

“Kjo ishte varja e fundit në gjithë perandorinë komuniste”, – tha poeti.

Pas kalimit të mesnatës së 10 gushtit 1988, te agjencia e udhëtimeve ngrihet trekëmbëshi prej druri, pas firmosjes një ditë më parë të letrës së Ministrisë së Brendshme, me dënimin me vdekje të poetit Havzi Nela. Vendimi ka dhe emrat e firmëtarëve të Presidiumit, që nisin me ish-presidentin Ramiz Alia, Rita Markon, Xhafer Spahiun, Emine Gurin, Sihat Tozajn, Eleni Selenicën, Faik Çinajn dhe vijon më tej me emrat e Kristaq Ramës, Lumturi Rexhës, Petrit Gaçes, Rrahman Hankut, Simon Ballabanit, Sotir Koçollarit, Stefan Qirjakos dhe Terezina Marubit.

Në orën 11:00 të ditës së nesërme i prenë litarin dhe e ngarkuan për ta hedhur në një gropë. “Ishte një spektakël i tmerrit”, – tha Zhiti, duke treguar se bota sot ka ndërtuar një kulturë: kulturën e holokaustit, në identifikimin se si duhet sjellë me këtë histori!

“Sot është ditë dhimbjeje për mua. Askush nuk është ndëshkuar për varjen e Havzi Nelës”, – e mbyll bashkëshortja e poetit.

V. Murati

 

 

Firmëtarët që çuan në varje në litar të poetit

Dokumenti i Ministrisë së Brendshme, që mban firmën e ish-ministrit komunist, Hekuran Isai, mban datën 9 gusht 1988 dhe i drejtohet Degës së Brendshme të Kukësit, së cilës i kërkohet dënimi me vdekje i poetit Havzi Nela.

Ministria njofton degën e zonës se Presidiumi i Kuvendit Popullor nuk i fali jetën të dënuarit. Vendimi ka dhe emrat e firmëtarëve të Presidiumit, që nisin me ish-presidentin Ramiz Alia, Rita Markon, Xhafer Spahiun, Emine Gurin, Sihat Tozajn, Eleni Selenicën, Faik Çinajn dhe vijon më tej me emrat e Kristaq Ramës, Lumturi Rexhës, Petrit Gaçes, Rrahman Hankut, Simon Ballabanit, Sotir Koçollarit, Stefan Qirjakos dhe Terezina Marubit.

Të gjithë këta persona kërkuan ekzekutimin me varje të poetit Havzi Nela dhe vetëm disa muaj para rënies së perdes së komunizmit, në një kohë kur familjarët e tij kishin kërkuar faljen e jetës, gjakatarët vendosën ta dënonin Nelën me varje në mes të qytetit të Kukësit. Mbi të rëndonte akuza e krimeve kundër shtetit për dy herë radhazi, ndërkohë që vendimi përfundimtar ishte varja në litar.

 

 

Faksimile e vendimit të varjes në litar, dënimit me vdekje të Havzi Nelës

Një sesion nga historia e arkivave të revistës së famshme “Life” me fotot më të famshme; një foto e vitit nga katër dekada është edhe ajo e shqiptarit Gjon Mili