Në Tetovë është mbajtur një ceremoni homazh në një vjetorin e ndarjes nga jeta të mendimtarit, shkrimtarit, politikanit dhe intelektualit të rrallë shqiptar, Arben Xhaferi.
Në Tiranë, dje nuk ka munguar asfiksia e pritjeve nga raportimet politike, por në asnjë vend nuk u la takim për Xhaferin, kontribues i mendimit politik edhe për këtë anë.
Më poshtë, në homazh sjellim një fragment të shkëputur nga seanca e 40 pyetjeve të gazetarit Enver Robelli, të promovuar pak kohë para ndarjes nga jeta, në librin “Arbën Xhaferi rrëfen”.
E.R: Çfarë ju vjen në mendje, spontanisht, kur lexoni ose dëgjoni emrat e këtyre qyteteve shqiptare: Prizren, Shkodër, Korçë?
A.Xh:”Asociacioni i parë dhe i natyrshëm që shfaqet, ka të bëjë me ndikimet e tre qytetërimeve në kulturën shqiptare: Prizreni ngërthen në vete ndikimin e orientit osman, Shkodra, atë katolik dhe, Korça, atë ortodoks.
Derisa nuk u shfaq në skenën historike globalizmi, bashkë me të edhe radikalizmat fetarë, këto ndikime kishin në vete një hijeshi që i jepnin gjallëri një province ku jeta zakonisht është monotone; në një moment dëgjohej zëri i myezinit, në tjetrin kambanat, në një mëhallë festoheshin Krishtlindjet apo Pashkët, në tjetrën Bajrami, pa telashe, plot kulturë dhe qytetari. Në shenjë të respektit të ndërsjellë këmbeheshin dhuratat, bakllavatë, vezët e kuqe… Në atë kohë, të cilën, deri diku e përjetova edhe unë, nuk kishte garë ndërfetare, kompeticion rrënues fetar mbi baza dhe interesa politike. Njerëzit ishin ashtu si i kishte prodhuar tradita, nuk kishte sfilata fetare, demonstrime mburracake të përkatësisë fetare.
Mirëpo, kur këto veçori morën karakter politik me tendencë që të ndërhyjnë në identitetin kombëtar, shpeshherë, në mënyrë intensive dhe brutale, hijeshia u shndërrua në shëmti, në brengë që nuk qetësohet. Globalizmi, zgjimin entuziast fetar e shndërroi në ngrysje depresive. Stolia e dikurshme, pak nga pak, shndërrohet në handikap që rrezikon jo vetëm harmoninë ndërfetare, por edhe mbijetesën e kombit.
Prizreni gjithmonë ka qenë një qytet i qetë, i dhënë pas kulturës, ku qytetarët tregonin respekt ndaj njëri-tjetrit pa marrë parasysh veçoritë identitare. Tani janë shfaqur shenjat e para të një gare absurde, fillimisht mbi baza etnike dhe, pastaj, kur shteren kapacitetet vazhdohet në fushën fetare. Garat e kësaj natyre janë fatale për shoqëritë heterogjene. Prizreni ishte vatra e ideve për pavarësi, për krijim të një shteti shqiptar. Kjo dihet dhe nuk është një fakt i rremë, ose një sajesë demokratike. Të gjithë prizrenasit, shqiptarë, turq e serbë, kanë jetuar qetë me këtë njohuri dhe nuk kanë tentuar që ta zhbëjnë atë. Sot, kur liria është konsoliduar gati në gjithë Kosovën, në Prizrenin e qytetëruar shfaqen antagonizma të një lloji tjetër. Pakica turke vendos veto në vendimin e Kuvendit komunal që miratoi propozimin për logon e re të kësaj komune, ku paraqitet ndërtesa historike, ku zë fill vetëdija kombëtare për liri dhe shtet të pavarur, është ndërhyrje ndaj ndjenjave të turqve të cilët, sipas mënyrës së reagimit, ndiejnë se liria e shqiptarëve është mesazh agresiv ndaj tyre. Çdo polemikë rreth kësaj teme është humbje kohe.
Korça, që në kujtesën e gjtihë shqiptarëve ka konotacion vetëm pozitiv, kohët e fundit rrezaton me mesazhe shqetësuese. Mbase, nën ndikimin e bindjeve të reja fetare dhe veprimit diversiv të shërbimeve secrete greke që dita –ditës krijojnë një farë kolone të tyre të pestë brenda Shqipërisë, paraqitet fenomeni I ndërrimit të kombësisë: disa shqiptarë paraqiten grekë, edhe pse në këto anë asnjëherë s’ka pasur të tillë. Pa marrë parasysh cili është shkaktari, këto dukuri, megjithatë, shqetësojnë dhe i prishin ato imazhe idilike me të cilat jemi rritur dhe jemi formuar.
Në Shkodër barazia ndërfetare ka filluar të matet me peshore të barnatores. Kjo risi, që synon ta masë dashurinë është një paranojë e re që përmes matjes të mbillet ndasi. Kontestimi i ndërtimit dhe i vendosjes së përmendores kushtuar Nënë Terezës ishte absurd i papritur. Disa qarqe, me tendencë ose pa të, duke protestuar kinse kundër tejshquarjes së vlerave të një besimi, në këtë rast atij katolik, në fakt, kërkonin të zbatohet parimi egalitarist në fushën e vlerave, ngjashëm me ofertën e komunizmit për barazi dhe varfëri. Këto dukuri flasin për dilemën e rendit të ri që imponon nevojën urgjente për ndërtim të një harmonie të nivelit të ri”.