Dyshimi, vajza u vra se donte të ndahej nga tetovari

0
181

Sonja Caka

Hetimi, vajza kishte punuar 3 muaj në një lokal nate në Maqedoni, ku ishte njohur me tetovarin

Tërhiqet nga morgu trupi i pajetë i Eminit, familjarët refuzojnë të flasin  për mediat

Mjekët, gjendja e stabilizuar, të dëmtuara një veshkë, si dhe zorra e trashë dhe e hollë

Familjarët e vajzës pyeten në polici, të habitur për lidhjen me maqedonasin dhe fejesën e saj

 

VRASJA NE MOTELMbetet mister shkaku i plagosjes së rëndë të 21-vjeçares Ana Sulçe dhe më pas vetëvrasjes së Agim Eminit, 52-vjeçrait nga Tetova e Maqedonisë. Vetë dëshmia e vajzë, pasi të jetë në gjendje për të folur, do të hedhë dritë mbi debatin mes saj dhe të dashurit tetovar, 31 vjet më të madh se vetja, dhe degjenerimin në përdorimin e armës së zjarrit. Megjithatë, burime policore bëjnë me dije se ka dyshime se vajza pas lidhjes me një djalë nga Tirana donte të ndahej nga tetovari dhe ky i fundit nuk e ka pranuar këtë fakt. Mospranimi i ndarjes dyshohet të ketë sjellë edhe reagimin e dhunshëm të 52-vjeçarit, i cili mendoi se e vrau të dashurën dhe më pas vrau veten. Megjithatë, mbetet për t’u sqaruar edhe ky dyshim, pasi vajza të jetë në gjendje për të folur me hetuesit dhe prokurorin e çështjes. Familjarët e vajzës, të pyetur në polici, kanë mbetur të çuditur me këtë ngjarje, ndërsa janë shprehur se nuk kanë asnjë dijeni që vajza të jetë fejuar apo të kishin dijeni mbi lidhjen me maqedonasin.

Familjarët tërheqin trupin nga morgu

Por, ndërsa mjekët thonë se vajza është jashtë rrezikut për jetën, por në gjendje të rëndë për shkak të organeve jetësore që i ka prekur plumbi i marrë, trupi i pajetë i vrasësit të saj dje u tërhoq nga familjarët e tij nga morgu. Familjarët e Agim Eminit erdhën nga Tetova e Maqedonisë mëngjesin e djeshëm të tërheqin trupin e të afërmit të tyre nga morgu, por nuk pranuan të komentojnë për njohjen 52-vjeçarit me studenten 21-vjeçare nga Çorovoda. Pasi mbyllën procedurat në morg, ata morën trupin e pajetë të Eminit dhe u nisën drejt Maqedonisë. Ndërkohë, vajza vazhdon të mjekohet në pavijonin e Kirurgjisë në Spitalit Qendror të Traumës, për plagët e shkaktuara nga arma e autorit.

Hetimi

Për afro tri muaj, fillimi i prillit deri në mes të korrikut të këtij viti, mësohet se vajza ka shkuar në Maqedoni dhe ka qëndruar për afro tri muaj. Këto të dhëna konfirmohen nga burime zyrtare, e cila ka bërë verifikimet në sistemin TIMS, mbi hyrje-daljet e saj nga pikat tona kufitare. Mësohet se vajza ka lëvizur përmes pikës së Qafë Thanës dhe vetëm në korrik është kthyer nga Maqedonia, ku ka punuar për 3 muaj në qytetin e Strugës dhe ku mendohet se është njohur me tregtarin e sobave të drurit, Agim Emini. 21 vjeçarja sipas policisë, ende nuk ka dhënë shpjegime për rastin për shkak të gjendjes shëndetësore, që tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Pasi ajo të jetë në gjendje për të folur, policia do t’i marrë dëshminë mbi konfliktin e nisur mes tyre në barin e hotelit, i cili përfundoi në shkallët e tij me një të plagosur dhe një të vdekur. Megjithatë, grupi i hetimit që po verifikon ende ngjarjen e dy ditëve më parë në “Rrugën e Elbasanit”, pranë “Vilave Gjermane”,  nëse bëhet fjalë për një krim pasioni apo ka motive të tjera që çuan në këtë tragjedi.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë është shënuar dy ditë më parë, rreth orës 13:00 në hotelin “Deja” te Vilat Gjermane në Rrugën e Elbasanit. Policia është njoftuar nga drejtuesi i një automjeti se një vajzë është plagosur rëndë dhe po çohej për në Spital Ushtarak dhe një tjetër ndodhej i plagosur në oborrin e një hoteli. Menjëherë policia vuri në eskortim të automjetit shërbimet e policisë, të cilat kane marre informacion se vajza është plagosur me armë zjarri nga një i njohuri i vet në një hotel në rrugën “3 vëllezërit Kondi”, pranë Vilave Gjermane në Tiranë. Më pas, policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka njoftuar urgjencën për të marrë personin e dytë të plagosur, i cili rezultoi 52-vjeçari nga Tetova Agim Emini. Ndërkaq, grupi hetimor nisi nga puna për hetimin e ngjarjes, marrjen e dëshmive dhe këqyrjen e vendit ku ndodhën dy plagoset. Nga hetimet rezultoi se e shtëna e parë ka ndodhur në sheshpushimin midis katit të parë dhe të dytë dhe vajza është qëlluar pas shpine. Aty është gjetur edhe gëzhoja, ndërsa e shtëna e dytë në oborrin e hotelit, ku është gjetur edhe gëzhoja e dytë. Autori ka përdorur një pistoletë të prodhimit çek, të cilën nuk ka ngurruar t’ia drejtojë edhe pastrueses para se të vrasë veten. Policia është duke hetuar për të zbardhur shkaqet që çuan 52-vjeçarin në këtë ngjarje, ndërsa do jetë vetëm dëshmia e vajzës 21-vjeçare Ana Sulçe, që do të hedhë dritë mbi debatin që çoi në një të vrarë dhe një të plagosur rëndë.

Mjeku

Gjendja e vajzës e stabilizuar, plumbi i preku disa organe

Lidhur me gjendjen shëndetësore të vajzës kanë reaguar edhe mjekët e Spitalit Ushtarak, të cilët shprehen se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Aktualisht gjendja e pacientes është e stabilizuar dhe nuk ka ndonjë rrezik për jetën. Vajza ishte qëlluar me armë zjarri dhe ishte dëmtuar në zorrën e hollë dhe në zorrën e trashë, si dhe në një veshkë”, tha mjeku Agron Dogjani.

Dyshimi

Pas lidhjes me një djalë tjetër, vajza debatoi se donte të ndahej

Ana Sulçe ishte lidhur me një djalë nga Tirana dhe dyshohet se kjo lidhje të jetë bërë shkak për zënkën mes saj dhe të dashurit Agim Emini. Mes tyre ka patur një debat në barin e lokalit ku ajo ka shkuar për ta takuar dhe dyshohet që motiv të ketë qenë kërkesa e vajzës për ta lënë të qetë dhe për të mos e shqetësuar më. Gjatë 5 ditëve në Tiranë, Emini i ka kërkuar vajzës të shkonte pranë tij në hotel përgjatë gjithë ditëve që kishte ndenjur aty, por që studentja e Juridikut nuk ka pranuar duke shkuar vetëm dy ditë më parë për t’u sqaruar. Duket se ndarjen nuk e ka pranuar dot 52-vjeçari, i cili në momentin që vajza i ka kthyer krahët në debat e sipër, e ka qëlluar pas shpine. Megjithatë, do jetë vetë vajza që do hedhë dritë mbi të vërtetën e debatit mes tyre, si dhe mbi lidhjen intime që ka pasur me tetovarin Emini.

Somario

Mes tyre ka patur një debat në barin e lokalit ku ajo ka shkuar për ta takuar dhe dyshohet që motiv të ketë qenë kërkesa e vajzës për ta lënë të qetë dhe për të mos e shqetësuar më