Florenc Drizari
Spartak Ngjela ka kundërshtuar postin e ministrit pa portofol, Paskal Milo postin e zv. Ministrit
Tri javë para mbledhjes së Kuvendit të ri Republikës së Shqipërisë të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013-të, partitë e vogla aleate me PS-në presin zyrtarizimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Takimet mes krerëve të partive të vogla dhe lidershipit të PS-së pritet të zhvillohen gjatë kësaj jave, ndërkohë që burime brenda Partisë Socialiste bëjnë me dije se pranë zyrave të kësaj partie, kanë mbërritur me shkrim kërkesat e “të vegjëlve”.
Pas shpalljes së emrave të kabinetit të ri qeveritar nga kryesocialisti Edi Rama (Kryeministër i ardhshëm i vendit), partitë e vogla të majta humbën mundësinë për t’u përfaqësuar në poste ministrore në Kuvend. Kërkesat e tyre tashmë janë drejtuar për postet e zv. Ministrave dhe prefektëve në qarqet kryesore të vendit. Mësohet se propozimet e tyre ndodhen ende në fazën e shqyrtimit nga përfaqësues të PS-së, ndërkohë që ende nuk flitet për emra konkretë. Ndarja e posteve të zv. Ministrave dhe prefektëve që pritet të marrin aleatët e vegjël të PS-së, pritet të vendoset zyrtarisht gjatë takimit që ata do të ketë më kreun e PS-së, Edi Rama.
Aktualisht janë të njohur disa nga qëndrimet e aleatëve më të ngushtë me Partinë Socialiste, të cilët kanë kundërshtuar postin e zv. Ministrit.
Më herët figura të njohura brenda së majtës si ish-presidenti I Republikës, Rexhep Meidani, kanë pohuar publikisht se Rama duhej të kishte shpërbluar me nga një ministri aleatë si Skënder Gjinushi apo Paskal Milo, të cilët pavarësisht nga numri i votave të marra më 23 qershor, kanë qëndruar pranë PS-së gjatë viteve të ashpra të opozitës.
Ndërkohë që qeveria e re pritet të formohet në mbledhjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më datë 9 shtator, në formimin e saj kreu i PS-së duket se nuk e respektoi marrëveshjen që vetë kishte firmosur me aleatët, sipas të cilës PBDNJ e Dules dhe PKDSH e Frrokut, duhet të kishin nga një dikaster pasi arritën të merrnin në parlament nga një deputet.
Një përplasje në dukje pak ditë më parë ishte edhe ajo mes Kryeministrit të ardhshëm Edi Ramës dhe kreut të PLD-së, Spartak Ngjelës pas ndarjes së ministrive. Avokati kishte pretenduar publikisht se kishte një marrëveshje me Ramën për të drejtuar ministrinë e Drejtësisë, e cila në fund i shkoi LSI-së.
Refuzimi që Ngjela i bëri postit të një ministri pa portofol lë të mendohet se vështirë do të pranonte atë të një zv/ministri. Paskal Milo gjithashtu e ka bërë të ditur se nuk zbret nga niveli i postit ministror dhe gjasat janë që edhe Gjinushi t’u bashkohet qëndrimeve të tyre. edhe pse këto qëndrime deri në këto momente janë në formën e deklaratave dhe qëndrimeve mediatike, ende nuk është firmosur asgjë mes krerëve të partive të vogla aleate dhe Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama.
Zyrtarizimi i marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe partive të vogla të majta për postet e zv. Ministrave dhe prefektëve në qarqe, pritet ti japë fund marrëveshjes për bashkëqeverisje në mandatin e fituar më 23 qershor, edhe pse përgjatë katër vjeçarit nuk përjashtohen lëvizje të ndryshme brenda koalicionit të majtë.
Berisha: SHQUP pa funksione, piktori me neobllokmenët e tij vetëm urrejtje
Kryeministri Sali Berisha reagoi në lidhje me deklaratat e socialistëve për vendimet e qeverisë lidhur me tjetërsimin e destinacionit të shtëpisë së ushtarakëve, SHQUP-it.
Me një reagim në rrjet social Berisha e cilësoi të majtën si neobllokmenë që ofrojnë vetëm urrejtje për kundërshtarin në politikë.
“Prej mëse dy javësh Piktori dhe neobllokmenët e tij, mediat që ata kontrollojnë, janë vërsulur me urrejtje dhe tërbim njëlloj si etërit e tyre kundër forcës politike kundërshtare. Si pretekst për këto sulme primitive ka shërbyer vendimi i qeverisë për t’i dhënë në përdorim si seli PD-së një godinë të ushtrisë, e cila në 12 vitet e fundit kishte humbur funksionet e veta dhe përdoret më shumë se për çdo gjeë tjetër për dasma, zijafete dhe ceremoni mortore.
Piktori, neobllokmenet e tjerë dhe mediat e tyre me zhurmën dhe urrejtjen që shpërndajnë kundër Partisë kundërshtare dëshmojnë mentalitetin e etërve të tyre mizore dhe përpiqen të mbulojnë vjedhjen e votave të shqiptarëve me premtime anti-globaliste, dhune dhe para të pista. Qytetarë, duhet të jemi gati se këta që e nisin me urrejtje janë rrezik i madh kombëtar!”,- shkruan Berisha në “Facebook”.
Disa ditë më parë qeveria miratoi një vendim ku godina e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Popullore i kalon si seli Partisë Demokratike. Një vendim i ngjashëm u mor edhe për një kat të kësaj godine në qytetin e Fierit. Ky vendim u publikua zyrtarisht pas dekretit të Presidentit Nishani, ndërkohë që më parë flitej në media për tjetërsimin e destinacioni të kësaj godine.
Ndërkohë një qëndrim të ashpër ndaj deklaratave të përfaqësuesve të Partisë Socialiste lidhur me këtë çështje, mbajti edhe presidenca, duke i cilësuar si shantazhe ndaj kreut të shtetit qëndrimet e socialistëve.
Më herët mazhoranca e re reagoi duke e konsideruar si turp të madh faktin që pak ditë para largimit, qeveria në ikje i bën padrejtësisht dhuratë vetes godina që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes.
Tjetërsimi i SHQUP-it, Vasili: Do të hidhet dritë mbi këtë çështje
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët deklaroi se debati publik për tjetërsimin e godinës së ushtrisë ka marrë një mbingarkesë të tepërt politike dhe sipas tij, kjo çështje do të shikohet me ekspertizë ligjore në kohën e duhur.
“Në radhë të parë dhe mbi të gjitha, problemi më kritik në momentin e sotëm është që vëmendja e medias dhe për fat të keq vëmendja e opinionit publik po orientohet drejt problemit të disa zyrave të një partie, në vend të që të orientohet drejt problemit, ne të gjithë mund ta bënim këtë konferencë shtypi në mjediset e spitalit ushtarak, ku luftohet për jetën, ku do të shikoni që dhjetëra njerëz me kushte shumë të vështira vërtet përballen me jetën dhe kolegët tanë mjekë dhe infermierë luftojnë me të pamundurën, me pamundësitë që kanë teknike, objektive, të barnave etj., dhe nevojës për të dhënë jetë. Këtu duhet të ishte fokusi kryesor”, – deklaroi Vasili.
Sipas tij, ajo që është më e rëndësishme është që qeveria të reagojë për situatën në spitalin ushtarak, pasi çdo minutë rrezikohet një jetë njeriu. Masat duhet të jenë emergjente dhe të orientuara mirë, pasi qytetarët nëse nuk trajtohen mirë mund të vuajnë invaliditetin gjatë gjithë jetës.