Vrau punëdhënësin, gjendet i vetëvrarë bariu 45-vjeçar hysa

0
205

Sonja Caka

Policia: U gjet i pajetë në afërsi të stanit, kishte vrarë veten me çiften që kreu krimin. Vrau Shedat Vangjelin, plagosi baxhanakun e tij Bexhet Bodoj

 

vrasje-ilustrimGjendet i vetëvrarë bariu 45-vjeçar që disa ditë më parë vrau punëdhënësin dhe plagosi baxhanakun e këtij të fundit. Policia e Vlorës bën me dije se mëngjesin e djeshëm ka gjetur shumë pranë stanit ku ishte i punësuar Xhezar Hysën, lindur dhe banues ne fshatin Linas –Elbasan të pajetë. Nga kqyrja u konstatua se bariu kishte vrarë veten. Por, për të pasur një përcaktim edhe më të saktë, trupi i pajetë i tij u transportua për në morgun e qytetit dhe nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se vdekja e tij ka ardhur me armë zjarri, duke u vetëvrarë. Policia e Vlorës bën me dije se “nga kontrolli i territorit dhe marrja e informacioneve në lidhje me këtë shtetas, është bërë e mundur gjetja e tij në gadishullin e Karaburunit, pasi kishte vrarë veten me armën më të cilën kishte realizuar krimin, një armë zjarri gjueti, çifte,  e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”. Policia prej disa ditësh po punonte për kapjen e Hysës, me qëllim parandalimin e ndonjë krimi tjetër.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në orët e vona 14 gushtit në një stan në Karaburun të Vlorës, në vendin e quajtur “Maja e Kores”. Sipas policisë, viktimë ka mbetur 62-vjeçari Shedat Vangjeli ndërsa i plagosur baxhanaku i tij Bexhet Bodoj, 59 vjeç. Si autor i ngjarjes dyshohet një bari nga Elbasani, Xhezar Hysa, 45 vjeç, ndërsa si shkak mësohet se ka qenë një grindje për shkak të pagesës. Nga hetimet paraprake theksohet se ka pasur një grindje mes bariut të gjedhëve dhe punëdhënësve të tij për shkak të pagesës. Refuzimi i tyre për të bërë pagesën siç e kërkonte bariu duke se ka nervozuar këtë të fundit, duke e detyruar të drejtojë armën pa e menduar dy herë ndaj tyre. Policia është njoftuar nga i plagosuri për ngjarjen, duke ngritur postblloqe apo dhe bërë krehjen e zonës për gjithë natën dhe ditën e djeshme, por pa mundur ta vënë në pranga. Sipas policisë, autori i ngjarjes njihet si një person me çrregullime mendore.

Njoftimi

Fati e ka ndihmuar baxhanakun e viktimës, Bexhet Bodoj që të mos mbeste i vrarë dhe të kishte mundësi të njoftonte policinë për ngjarjen. Pasi Hysa i ka qëlluar Vangjelin dhe Bodoj me një çifte me të cilën ruante stanin, me mendimin se i ka vrarë të dy, është larguar me shpejtësi nga stani duke u arratisur në kodrat e Karaburunit. Ndërkaq, Bexhet Bodoj që kishte mbetur i plagosur ka mundur të zbresë nga stani drejt zonës së banuar dhe të lajmërojë rreth krimit. Menjëherë uniformat blu, sapo kanë mësuar ngjarjen dhe identitetin e autorit, kanë nisur nga puna për kapjen e tij. I plagosuri ka dhënë për policinë detaje rreth motivit të përplasjes mes tij dhe baxhanakut me bariun nga Elbasani, i punësuar nga viktima Vangjeli.