Gëzim Saliu
Berisha-Haradinajt: Kosova do të përfitojë nga projekti TAP. Kreu i AAK-së: Vlerësojmë qeverisjen e PD
Të majtët erdhën në pushtet përmes premtimeve të parealizueshme, nga të cilat po tërhiqen ende pa krijuar qeverinë e re. Kështu deklaroi dje kryeministri në detyrë Sali Berisha në takimin që zhvilloi me kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kreu i ekzekutivit pohoi se të gjitha arritjet e mëdha të Shqipërisë në kuadrin e integrimeve euro – atlantike lidhen vetëm me Partinë Demokratike, duke nënvizuar se një asimetri e tillë tregon mungesën e vullnetit të Partisë Socialiste, e reflektuar kjo në sjelljen destruktive të opozitës gjatë 4 viteve të shkuara, kur ajo sipas tij bllokoi integrimin europian të Shqipërisë. “Alternanca është ligjësi themelore e demokracisë. Partia Socialiste erdhi në pushtet përmes premtimesh të parealizueshme, prej të cilave që tani po tërhiqet”, tha Berisha.
Takimi
Në takimin e zhvilluar me kryeministrin e vendit, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj vlerësoi lart kontributin e Berishës dhe mazhorancës së udhëhequr prej tij në demokratizimin dhe zhvillimin e Shqipërisë. Ai u shpreh se kishte ndjekur me shumë interes zhvillimet politike në Shqipëri, duke shprehur kënaqësinë për partneritetin që AAK ka me Partinë Demokratike në Shqipëri. Në këtë kontekst , të dy bashkëbiseduesit konfirmuan vazhdimësinë e këtij partneriteti dhe në të ardhmen. Po ashtu në takim u bisedua edhe në tema të interesit të bashkëpunimit reciprok në fushën e ekonomisë, energjetikës dhe infrastrukturës. Haradinaj tregoi interes të posaçëm në lidhje me projektin TAP dhe mundësitë e Kosovës për të përfituar nga ky projekt energjetik madhor trans-europian. Lidhur me këtë çështje, kryeministri Berisha tha se projekti TAP ka një rëndësi strategjike për sigurinë energjetike jo vetëm të Europës, por edhe të rajonit dhe siguroi se Kosova do të përfitojë në këtë kuadër. Me interes u trajtuan dhe temat e zhvillimit të infrastrukturës së përbashkët energjetike dhe shfrytëzimit të resurseve për prodhimin e energjisë në të dy vendet, ku kreu i AAK-së çmoi projektet e mëdha të infrastrukturës të realizuara nga qeveria aktuale si një kontribut të jashtëzakonshëm për të sjellë shqiptarët së bashku dhe shprehu shpresën se këto projekte të nisura dhe reformat e ndërmarra nuk do të ndërpriten. Pjesë të bisedës ishin edhe zhvillimet politike në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të Kosovës, ku vend të veçantë zuri procesi i zbatimit të marrëveshjeve midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Në këtë kontekst, Berisha dhe Haradinaj theksuan rëndësinë themelore të zbatimit të marrëveshjeve për konsolidimin jo vetëm të Kosovës por dhe të paqes dhe stabilitetit në rajon. “Ky proces do të vazhdojë të ecë përpara”, pohoi kryetari i AAK-së. Takimin e djeshëm, kreu i qeverisë e komentoi edhe në rrjetin social facebook, ku tha se,: “Te dashur miq, sot(dje) pata një takim dhe dreke shumë miqësore me udhëheqësin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministrin e Kosovës zotin Ramush Haradinaj dhe me delegacionin që e shoqëronte. Në takim dhe gjatë drekës diskutuam gjerësisht dhe në frymën e mirëkuptimit të plotë për zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë”, shkruante Berisha.
Nderimi
Hardinaj merr titullin “Qytetar Nderi” i Shëngjinit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj u shpall dje “Qytetar Nderi” i Komunës së Shëngjinit. Ai u prit paraprakisht, në një takim nga kryetari i kësaj komune, Salvador Kaçaj dhe nga deputeti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Xhovalin Kadeli. Çmimin Qytetar Nderi i Komunës së Shëngjinit, kryetarit Haradinaj ia dorëzoi kryetari i kësaj komune, Kaçaj, në një ceremoni të veçantë, ku morën pjesë zyrtarë të shumtë lokalë dhe nga niveli qendror, përfaqësues të institucioneve dhe të jetës politike e shoqërore të Republikës së Shqipërisë. Për këtë cemin, Haradinaj ka falënderuar Komunën e Shëngjinit (pjesë e Qarkut të Lezhës) për respektin e bërë dhe ka thënë se të qenit qytetar nderi i Shëngjinit është një nder i veçantë për të.
Mbyllen aplikimet
Kompensimi i pronarëve, sa përfitojnë dhe kur mund të merret
Dje janë mbyllur aplikimet për vitin 2013 të ish-pronarëve që kërkojnë kompensimin e pronave të shpronësuara. Nëndrejtori i AKKP-së Agim Toro deklaroi se për këtë vit kanë aplikuar rreth 1 mijë persona dhe se vetëm 40 ose maksimumi 50 prej tyre do të mund të marrin dëmshpërblimin. “ Ky fond nuk i kalon shumta e 300 milion lekeve që do thotë që nga 1 mijë aplikant një numër shumë i vogël prej tyre do të përfitojnë, 30-40 ose maksimumi deri në 50 veta do të përfitojnë”, tha ai për Ora News. Numri dy i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave sugjeroi ndryshimin e mënyrës së shpërndarjes së këtij fondi të vënë në dispozicion në mënyrë që të përfitojnë më shumë qytetarë. “ Unë mendoj se kjo mënyrë shpërndarje nuk kënaq të themi subjektet e shpronësuar që kërkojnë të kompensohen për pronën sipas vendimeve që janë marrë më parë,. Në këtë aspekt ka dy gjëra; ose të ndryshohet mënyrë e shpërndarjes së fondit ose të rritet në mënyrë të madhe fondi. Fondi është jashtëzakonisht i ulët për këtë qëllim”, pohoi ai. Edhe pse ishte dita e fundit ,në dyert e AKKP-së kishte një fluks qytetarësh që prisnin radhën për të aplikuar. Personat që do të shpallen fitues për marrjen e kompensimit për këtë vit pritet që të shpallen brenda 3 muajve.