Ekzekutohet emigranti 50-vjeçar në sy të gruas e vajzës

0
249

Sonja Caka

Policia ende asnjë pistë dhe autor për vrasjen, dyshohet të ketë qenë një i ri atentatori. Një banore e pallatit bërtiti: E vrau, e vrau

 

agron celaVlora tronditet sërish nga vrasjet. Një 50-vjeçar është ekzekutuar në orët e mesnatës në sy të familjes së tij, ndërsa ka qenë duke parkuar makinën pranë banesës së tij. Mësohet se viktima është një shtetas nga Vlora, por që prej vitesh jetonte si emigrant në Itali dhe ishte i martuar dhe me fëmijë. Ekzekutimi ka ndodhur në lagjen “28 nëntori”, në afërsi të vendit të njohur “Albano e Romina” . Viktima ka qenë duke parkuar automjetin e tij brenda një parkimi në zonë dhe bashke me të ishte edhe një pjesë e familjes. Nga të dhënat e para hetimore mësohet se Agron Çela prej 10 ditësh kishte ardhur në Vlorë për pushime pranë familjes, pasi ishte emigrant. Policia ende nuk ka mësuar shkaqet e kësaj ngjarjeje, ndërsa po vazhdon hetimet për zbardhjen e saj. Dyshimet e para flasin për një djalë të ri si ekzekutor nga dëshmitë e dha prej njërës prej banoreve të lagjes që nga ballkoni ka parë të riun kur largohej, ndërsa ka bërtitur: ”E vrau, e vrau.”

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës së të martës duke u gdhirë dita e djeshme, rreth orës 24:30, në kryqëzimin e rrugës, tek vendi i quajtur “Albano dhe Romina”, pranë lagjes “28 nëntori”. Sipas burimeve policore, në momentin e ngjarjes, viktima Agon Cela ka qenë në shoqërinë e vajzës dhe bashkëshortes dhe po ktheheshin në shtëpi, ndërsa ka qenë duke parkuar automjetin e tij me targa italiane në një nga parkimet e zonës pranë banesës. Në momentin kur do të hynte në një parkim privat, i cili ishte i hapur, përkatësisht një parkim në natyrë dhe i rrethuar me mur, ka hapur portën kryesore së bashku me rojën e parkimit, ka zbritur nga automjeti  bashkëshorten dhe vajzën dhe ka vijuar me parkimin. Në momentin që po i afrohej vajzës dhe gruas për të shkuar në shtëpi, në dalje të parkimit, tri nga gjashtë të shtënat i kanë marrë jetën. Ndërsa vajza përpiqej t’i jepte ndihmën e parë të atit, roja i parkingut ka njoftuar policinë e cila ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e vrasjes. Janë kryer veprimet e para hetimore, janë marrë në pyetje gruaja, vajza dhe roja i parkingut privat, një banore e pallatit aty pranë, si dhe është bërë kqyrja e vendit të ngjarjes dhe rrethimi i zonës. Por, nga të dhënat e para, ende kjo vrasje mbetet pa një autor dhe një motiv.

Dëshmitë

Vajza, gruaja dhe roja i parkingut kanë rrëfyer momentet e fundit të jetës së Agron Çelës, 50-vjeçarit të ekzekutuar mesnatën e të martës. Ata kanë dëshmuar se Agroni ka mbërritur pranë banesës dhe para se të përkonte makinën në një parking privat, i ka kërkuar gruas dhe vajzës të zbresë dhe më pas ka parkuar makinën brenda rrethimit me mur. Pa bërë as tri hapa nga vendi ku parkoi makinën, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri me gjashtë plumba, tri prej të cilëve kanë qenë vdekjeprurës. Asnjë nga të pranishmit nuk ka arritur të shohë autorin për shkak të errësirës përveç siluetës së tij nga një banore e pallatit, ndërsa nga policia e Vlorës po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili është përshkruar si një djalë i ri. Sipas vajzës, në momentin që ka dëgjuar të shtënat dhe ka parë të atin të rrëzohet përtokë, ka vrapuar për t’i dhënë ndihmën e parë, duke i shtypur kraharorin dhe duke u munduar t’i ndërpresë gjakderdhjen. Ndërkohë që gjithçka dëshmuan roja dhe bashkëshortoja dhe vajza e të ndjerit e kanë konfirmuar edhe banorë të lagjes që kanë dalë në ballkone pas të shtënave. Një nga banorët e lagjes ku ndodhi ngjarja, tregon i tronditur çfarë ka ndodhur në orët e vona të mesnatës. “Kam qenë në shtëpi, pasi banoj shumë pranë parkimit. U tremba pasi një e bërtitur e një të reje më bëri të dal në ballkonin e shtëpisë dhe të shoh se ç’po ndodhte. Kam dalë nga banesa dhe ç’të shija, një e re po mundohej t’i jepte jetë një personi i cili ishte shtrirë në tokë. Të them të drejtën, u ndjeva shumë keq nga ai moment, gati i trembur, por më vonë kuptova se ishte e bija e të vrarit e cila mundohej t’i jepte jetë me ç’të mundej” përfundon rrëfimin një nga banorët e lagjes.

Hetimi

Policia e Vlorës ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Janë marrë dëshmi, kqyrje të vendit të ngjarjes dhe ekspertiza mjeko-ligjore e mjekëve. Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se vdekja e Çelës ka ardhur prej 6 plumbave të marrë në trup, konkretisht dy në kokë, 2 në kraharor, dhe një në krah, ku bëhet me dije se ky i fundit i kishte thyer dhe krahun. Trupi i pajetë i 50-vjeçarit është transportuar për në morgun e qytetit, ku pas autopsisë i është dorëzuar familjarëve. Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Vlorës po heton në disa pista si aktivitetin në Itali ashtu edhe këtu, po ashtu edhe ndonjë konflikt të çastit. Burime policie bëjnë me dije se deri tani nuk ka dalë me ndonjë konkluzion të mundshëm.

Kush ishte Agron Çela

Agron Çela, së bashku me familjen e tij, kishte rreth dhjetë ditë që kishin ardhur për pushime në Vlorë. Mësohet se ata jetojnë vitit ‘91 në Itali, Leçe, dhe ishin bërë qytetarë italianë pasi kishin marrë edhe nënshtetësinë. Mësohet se viktima kishte dhe një lokal e qira në afërsi të portit të Vlorës, dhe shpesh vinte në Vlorë për shkak të bzinesit. Mësohet se edhe në Itali kishte një aktivitet, një kalçeto. Ai jetonte prej vitesh në Itali së bashku me dy vajzat dhe një djalë, dhe nuk kishte pasur asnjë konflikt si këtu ashtu edhe atje ku punonte dhe jetonte.

 

 

Tiranë

I dënuar përjetë për vrasje, ekstradohet Fation Kodra

Një i dënuar përjetë për vrasje është ekstraduar dje nga Milano drejt Tiranës. Sipas burimeve zyrtare të policosë, Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ekstradoi dy ditë më parë nga Milano, Itali në vendin tonë, shtetasin në kërkim, Fatjon Kodra, 37 vjeç nga Tirana. Policia e Shtetit bën të ditur se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në dhjetor të vitit 1999, e ka dënuar me “burgim të përjetshëm”, për veprën penale të “Vrasjes me dashje në lidhje me një krim tjetër”. I ekstraduari Fatjon Kodra, është deklaruar fajtor nga organet e drejtësisë për vrasjen e shtetasit Sokol Pusha dhe plagosjen e një shtetasi tjetër, ngjarje kjo e ndodhur më datë 30 qershor 1999, gjatë një grindje tek tregu, pranë farmacisë Nr. 10, në Tiranë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.