Ervin Kaduku
Publikohen të dhënat e detajuara nga Shoqata e Bankave. BKT mban rekordin për financimin e qeverisë përmes blerjes së letrave me vlerë; Raiffeisen ul ndjeshëm portofolin e kredisë, “ngrin” Credinsi
Bankat kanë qenë shumë aktive në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ndërkohë që nuk ka ndodhur e njëjta gjë me huadhënien për ekonominë. Të dhënat e detajuara bëhen të ditura nga tabelat e tremujorit të dytë 2013, të publikuara nga Shoqata e Bankave.
Kredia
Pesë banka, nga 12 që kanë raportuar të dhënat (mungojnë shifrat për Alpha Bank, Societe Generale, Credit Bank of Albania dhe United Bank of Albania) kanë raportuar ulje të portofolit të huasë për gjashtëmujorin e parë 2013 në raport me fundin e 2012-s.
Sipas këtyre të dhënave, stoku i huasë për ekonominë ka rënë me 0.1% për periudhën në fjalë (qershor 2013/dhjetor 2012) në 498 miliardë lekë. Ndikimin më të madh në këte tendencë negative e ka dhënë Raiffeisen, banka më e madhe në vend si për nga aktivet ashtu dhe stoku i huasë, e cila për të dytin vit radhazi pothuajse e ka ndërprerë kredidhënien. Stoku i saj i huasë ka rënë me gati 4% (apo 5.2 miliardë lekë), duke zbritur në 129 miliardë lekë.
Edhe Tirana Bank, dikur mjaft aktive në huadhënie, ka vijuar të reduktojë stokun e huasë me gati 9%, apo 4.8 miliardë lekë, në 50.3 miliardë lekë.
BKT dhe Credins, që deri vitin e kaluar ishin në pararojë të huadhënies, kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes së kredive për bizneset apo individët. Portofoli i BKT-së u rrit me 2.5 miliardë lekë (2.7%) në 93 miliardë lekë dhe ai i Credins me 1.2 miliardë lekë (1.9%) në 63 miliardë lekë.
Më aktive në kredidhënie rezulton Intesa SanPaolo, që ka rritur portofolin e saj me 9.7% (4.8 miliardë lekë) në 54 miliardë lekë në fund të 6 mujorin 2013 në raport me dhjetorin 2012 .
Mungojnë të dhënat për Societe Generale, e cila gjithashtu ka qenë aktive në huadhënie në tremujorët e fundit.
Letrat me vlerë
Për 12 bankat që kanë raportuar të dhënat, investimet në letrat me vlerë të qeverisë janë rritur me 9.6% apo 30 miliardë lekë, duke arritur në 346 miliardë lekë.
E ndihmuar dhe nga një rritje e ndjeshme e depozitave në valutë, BKT ka qenë pjesëmarrja kryesore në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë. Investimet e saj në letrat me vlerë janë rritur me 19.3 miliardë lekë, apo 21%, në 110 miliardë lekë. Për herë të parë në fund të 6 mujorit, portofoli i investimeve në letra me vlerë i kësaj banke e ka kaluar atë të kredisë (që ishte 93 miliardë lekë), duke treguar për një orientim të qartë të bankës së dytë më të madhe në vend në financimin e qeverisë.
Edhe bankat e tjera kanë shtuar investimet në letrat me vlerë, ky kryesojnë Intesa San Paolo, Raiffeisen, Tirana Bank, Credins.
Situata
Është normale që bankat greke të shfaqin një lloj tërheqjeje nga dhënia e kredisë, ndërkohë që bankat e tyre mëma u kërkojnë gjithnjë e më shumë transferim të fitimit në Greqi, përballë jushteve të vështira dhe afatgjata të krizës që po përjetojnë në këtë vend, me ekonomi tashmë në kaos të plotë. Ndërkohë, Italia ka patur pak a shumë edhe ajo probleme, megjithatë Intesa ka qenë mjaft aktive duke dhënë kredi dhe po kështu ka bërë edhe banka franceze Societe Generale. Është normale që banka turke BKT të ishte aktive në treg, duke u nisur edhe nga situata e favorshme e Turqisë, me një PBB në rritje, kur të tjerët lëngojnë, por ajo, në vend që të investojë në ekonominë reale, ka investuar kryesisht në drejtim të borxhit të brendshëm.
Sa i përket Credinsit, kjo bankë ka qenë dhe ndodhet ende në qendër të problemeve financiare, që lidhen me dështime të ortakut të saj Rezart Taçi, të cilit i kishte hapur dyert pa kërkuar shumë llogari, veprim për të cilin tani banka e vetme me kapital shqiptar në treg po kalon vështirësi. Kohët e fundit, një raport i agjencisë së njohur ndërkombëtare Moody’s dha një vlerësim në ulje për këtë bankë, duke thënë se të gjitha parametrat e saj janë stabël, me përjashtim të perspektivës, që shfaqet me notën “negative”. Kjo parashikohet të ketë ndikim jo të vogël në rritjen e vështirësive nga ana e drejtuesve të kësaj banke, me përjashtim të rastit kur atë ta ndihmonte qeveria e re e majtë, me të cilën drejtuesit e saj kanë gjithashtu relata pak a shumë të ngrohta.
Në këtë treg, me lëvizje të konsoliduara tashmë prej disa tremujorësh, karakteristika e të cilave është tërheqja masive nga kreditimi i ekonomisë dhe qytetarëve dhe kërkimi i fitimit më të sigurtë, duke blerë letra me vlerë të shtetit, ajo që bie në sy është paraliza e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Këshillit Mbikëqyrës të bankës qendrore. Drejtuesit e BSH do t’i justifikonin ato paga e shpërblime marramendëse në rast se do të kishin thënë më me forcë fjalën e tyre, duke ndikuar në trendin e institucioneve bankare me mjetet që lejon ligji shqiptar. Por, ata janë kënaqur me deklarata tepër të përcipta dhe me ulje të normës së interesit vetëm kur ka qenë tepër vonë.
Për herë të parë, takohen shoqatat e bankave të Kosovës e Shqipërisë
Përfaqësues të Shoqatës së Bankave të Kosovës, vizituan Shoqatën Shqiptare të Bankave ku u priten nga Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Bankave Shqiptare, Endrita Xhaferaj. Petrit Balija, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, falenderoi Znj. Xhaferaj për mikëpritjen e delegacionit të SHBK-së dhe shtoi se “kjo është një datë e rëndësishme për të dy institucionet pasi ky është takimi i parë zyrtar midis Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe është një nismë e mirë për një bashkëpunim më të ngushtë në mes të dy institucioneve”.
Ndërkaq, Xhaferaj falenderoi përfaqësuesit e SHBK-së për vizitën e bërë dhe për shprehjen e interesit për t’u njoftuar më afër mbi aktivitetet e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe sektorin bankar në Shqipëri, si dhe për mundësinë potenciale të bashkëpunimit midis dy institucioneve. Për më tepër, Xhaferaj njoftoi përfaqësuesit e SHBK-së për zhvillimet e fundit në sektorin bankar të Shqipërisë dhe u njoftua mbi çështjet më kryesore të sektorit bankar në Kosovë. Përfaqësuesit e dy Shoqatave u pajtuan që të bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë përvojat e tyre në shërbim të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Në mbyllje të kësaj vizite, Balija ftoi stafin e Shoqatës Shqiptare të Bankave për pjesmarrje në Panairin Financiar 2013, i cili do të organizohet nga Shoqata e Bankave të Kosovës më datën 25 dhe 26 shtator.