Aleatët e koalicionit të majtë në pritje të Ramës

Gëzim Saliu

Takimet kokë më kokë në selinë e PS priten këtë javë

 

rama-me-aleatet35 partitë e koalicionit të majtë mbeten në pritje të ftesës së kryesocialistit Rama për të zhvilluar takimin me forcën kryesore të Aleancës për Shqipërinë Europiane, ku edhe do të vendoset për ndarjen e pushtetit. Pasi kanë dorëzuar prej më shumë se një jave në selinë e PS-së kërkesat e tyre për postet e zv. Ministrave, prefektëve dhe drejtorëve në qarqet kryesore të vendit, krerët e partive të vogla të koalicionit fitues presin telefonatën e kreut socialist për të kuptuar se cila do të jenë përfitimet e tyre politike në kuadër të kontributit që dhanë në fitoren e së majtës më 23 qershor. Burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se thuajse pjesa më e madhe e kërkesave të aleatëve të koalicionit janë shqyrtuar e ndërkohë që takimi me ta pritet të zhvillohet këtë javë. Ndërkohë i pyetur nga gazeta, kreu i Partisë Demokracia-Sociale Paskal Milo bëri të ditur se ndodhet me pushime dhe se ende nuk ka marrë asnjë telefonatë nga selia e purpurt lidhur me takimin. “ Jam me pushime dhe nuk kam asnjë informacion se çfarë bëhet në Tiranë”, tha ai.

Takimi

Këtë javë pritet që kreu socialist Edi Rama, si kryeministër i ardhshëm i vendit e njëkohësisht si kryetari i forcës së parë të koalicionit të majtë fitues së zgjedhjeve të 23 qershorit të mbledhë aleatët në një takim për ndarjen e pushtetit. Takimet do të zhvillohen kokë më kokë mes tij dhe krerëve të forcave aleate të PS-së, ku edhe do të përcaktohen postet që do të përfitojë secila parti. Sa i përket emrave të propozuar nga partitë aleate për të marrë post zv.ministri, drejtore apo prefekti pritet që për to të merret edhe konsensusi i liderit të PS-së. Prezantimi i emrave që do të drejtojë ministritë e kabinetit të ri qeveritar la jo pak shije të hidhur tek aleatët e socialistëve, kryesisht tek PBDNJ dhe PKDSH, të cilët në bazë të marrëveshjes parazgjedhore duhet të kishin nga një portofol ministor në kabinetin e ri pasi arritën të merrnin në parlament nga një deputet. Po ashtu edhe aleatët tradicionalë të PS-së , Partia Social Demokrate e drejtuar nga Skënder Gjinushi  dhe partia Demokracia-Sociale me kryetar Paskal Milon nuk kanë dhënë konsensusin e tyre për ndarjen e posteve ministrore. Milo ka bërë të ditur më parë se posti i zv.ministrit nuk bën për të, duke theksuar nga ana tjetër se do të mbetet pjesë e së majtës. Po ashtu një tjetër përplasje që pati kryeministri i ardhshëm i vendit lidhur me ndarjen e posteve ministrore ishte me kreun e PLD-së, Spartak Ngjela, i cili kishte një marrëveshje me Ramën për të drejtuar ministrinë e Drejtësisë, ministri që në fund i shkoi LSI-së. Në negociatat paraprake me kryesocialistin, Ngjela ka refuzuar postin e një ministri pa portofol, gjë që lë të mendohet se vështirë do të pranonte atë të një zv/ministri. Ndërkohë aleatët e tjerë të koalicionit kanë pretendimet e tyre për poste të ndryshme në pushtetin vendor dhe atë qendror. Kështu, kreu i PSV ’91 kërkon një post zv.ministri tek Ministria e Mbrojtjes e ndërsa kreu i PSM-së Gjergji Koja pretendon një post zv.ministri të Shëndetësisë.

 

Postet e aleatëve në bazë të marrëveshjes parazgjedhore

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut- Vangjel Dule

Zv/ministër

Poste në nivel drejtorësh e prefektësh (Qarku Tiranë,

Qarku Korçë, Qarku Lezhë, Qarku Shkodër, Qarku Vlorë,

Qarku Gjirokastër)

 

Partia Social Demokrate- Skënder Gjinushi

Zv/ministër

Poste në nivel Drejtorësh e Prefektësh (Qarku Tiranë,

Qarku Lezhë, Qarku Shkodër, Qarku Fier, Qarku

Elbasan)

Partia Demokracia-Sociale –Paskal Milo

Zv/ministër

Poste në nivel drejtorësh e prefektësh (Qarku Tiranë,

Qarku Korçë, Qarku Lezhë, Qarku Shkodër, Qarku Vlorë,

Qarku Fier, Qarku Berat, Qarku Elbasan)

Partia Socialiste e Vërtetë ’91-Pëtro Kocci

Poste në nivel drejtorësh e prefektësh (Qarku Tiranë,

Qarku Fier)

Partia Ligj dhe Drejtësi- Spartak Ngjela

Zv.Ministër

Poste në nivel drejtorësh e prefektësh (Qarku Tiranë)

Partia Kristian Demokrate- Mark Frroku

Zv.ministër

Poste në nivel drejtorësh e prefektësh (Qarku Tiranë,

Qarku Shkodër)

 

PS: Do zhbëjmë të gjitha koncesionet e privatizimet e gabuara të qeverisë

 

Gëzim Saliu

Felaj: Vendimi i parë i qeverisë së re do të jetë zhbërja e koncesionit për Portin e Durrësit

 

Qeveria e re do të zhbëjë të gjitha koncensionet dhe privatizimet e ndërmarra nga ekzekutivi aktual në kushtet kur sipas saj, ato bien në kundërshtim me interesin publik. Duke marrë shkas nga vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave për dhënien me koncesion të një hapësire pranë Urës së Dajlanit në Durrës, ku parashikohet të ndërtohet një port jahtesh, Partia Socialiste ka bërë të ditur dje se të majtët do të anulojnë këtë koncesion dhe të gjitha ato të ndërmarra më parë nga qeveria aktuale që bien ndesh sipas socialistëve me pronën publike. “Jo më larg se në datën 19 gusht, Agjensia e Prokurimeve Publike ka shpallur fituesin e tenderit për dhënien me koncesion të Portit të Durrësit. Një tjetër tender, një tjetër koncesion, një tjetër plaçkitje e aseteve publike. Ky vendim do të jetë një prej atyre vendimeve që do të zhbëhet nga qeveria e re qysh në mbledhjet e para të qeverisë”, tha deputetja e PS-së Ermonela Felaj.

Reagimi

Për Partinë Socialiste, qeveria aktuale po merr vendime që bien ndesh me votën e qytetarëve në 23 qershor. Duke bërë të ditur se qeveria e re do të anulojë të gjitha privatizimet e cilësuara nga të majtët si të gabuara, deputetja socialiste i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë hetimin për dhënien me koncesion të një hapësirë në portin e Durrësit. “Mungesa e plotë e transparencës, por edhe periudha kohore kur ky proces u zhvillua, na bën të mendojmë se ky tender është një procedurë e pastër elektorale, e cila për ne është e papranueshme. Njësoj siç është e papranueshme vala e koncesioneve dhe privatizimeve të gabuara, në dëm të interesit publik, karakteristikë e 8 viteve qeverisje të Sali Berishës dhe një nga arsyet pse shqiptarët votuan në mënyrë plebishitare kundër tij. Por në të njëjtën kohë, dëshirojmë t’i bëjmë thirrje organit të prokurorisë për të nisur çështjen dhe hetimet për grabitje të pronës publike. Për ne pasuria kombëtare është aseti më i çmuar, që në asnjë rast e për asnjë arsye nuk mund të shpërdorohet në këtë formë”, theksoi Felaj. Këshilli i Ministrave ka miratuar më parë dhënien me koncesion të një hapësire pranë Urës së Dajlanit në Durrës, ku parashikohet të ndërtohet një port jahtesh. Në dokumentin e publikuar dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare, qeveria ngarkon Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit për zbatimin e këtij vendimi. Dokumenti qeveritar përcakton gjithashtu se koncesioni do të jetë i formës BOT, ndërtim, shfrytëzim dhe transferim në pronësi të shtetit. Porti do të jetë ngjitur portit të madh dhe në afërsi të kryqëzimit të rrugëve kryesore të vendit. Sa për tenderin për përzgjedhjen e kompanisë që do ta fitojë koncesionin, Këshilli i Ministrave i jep prioritet kompanisë “Adriatic Yachting Marina”, së cilës i jep paraprakisht një bonus prej 8 pikësh në këtë garë. “Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e bonusit prej 8% të pikëve, për rezultatin teknik, financiar dhe mjedisor, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pakërkuar), që i jepet subjektit ‘Adriatic Yachting Marina'”, përcaktonte dokumenti qeveritar.

 

Qëndrimi

Rama: Hetim tenderave dhe koncesioneve që merren në muajt korrik dhe gusht

Kryeministri i ardhshëm i vendit ka bërë të ditur vetëm pak ditë pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit se qeveria e re do të hetojë të gjitha tenderat dhe privatizimet që do ndërmerren nga qeveria aktuale në dy muajt e verës. Po ashtu, Rama ka bërë të ditur se të majtët në pushtet do të anulojnë çdo koncesion dhe privatizim në kundërshtim me interesat publike. “Unë do bëj një apel në ditët në vijim, për të gjitha ata që e shohin këtë dy muajsh për të marrë atë që mund të merret. Çdo tender dhe çdo shpenzim që do bëhet këto dy muaj, është nën monitorim dhe do të hetohen. Ne do të anulojmë çdo vendim për shpenzime parash, që shkojnë përtej kostove normale të rolit të një qeverie kujdestarie në një fazë tranzicioni të pushtetit. Po ashtu do të zhbëjmë menjëherë edhe çdo vendim për tenderë, privatizime e koncesione të marrë pas 23 qershorit sipas avazit të vjetër të gjithë këtyre viteve “të kapim ç’të kapim, kudo, në çdo gjë dhe vazhdimisht”, ka pohuar Rama. Më parë, kryesocialisti ka bërë të ditur se PS nuk do të njohë koncensionet e HEC-eve Bistrica 1, Bistrica 2, Ulza dhe Shkopeti. Në programin qeverisës për 300 ditët e para është parashikuar të bëhet një kontroll i plotë dhe transparencë mbi të gjithë procesin e dhënies së koncesioneve dhe të zbatimit të deritanishëm të atyre koncesioneve që kanë filluar të zbatohen. Në këtë program është parashikuar zhbërja e koncesionit të Lotarisë dhe të markimit të karburantit.

Këtë javë merret vendimi për fituesin, 4

Komunikimi i parë më kreun e opozitës,

Kërko