Sonja Caka
Mjekët: Stafi në gatishmëri të plotë, po bëhen analizat për të zbuluar shkaqet e intoksikimit
Të helmuarit hedhin dyshime te mishi i përdorur, fajësojnë kuzhinierin e lokalit për ngjarjen
Të dielën në dasëm, të hënën të gjithë në spital. Kjo ka qenë dinamika e dy ditëve për të paktën 250 dasmorë nga Fieri, mes të cilëve edhe çifti, të cilët pas përfundimit të ceremonisë sa dasmës në një lokal të fshatit Gorishovë të komunës Cakran në Fier, kanë përfunduar të hënën në spitalit e qytetit. Simptomat kanë qenë të njëjta për të gjithë, ndërsa më rëndë prej tyre janë fëmijët dhe gratë, ata me organizmin më të dobët. Të sëmurët e intoksikuar janë duke u trajtuar intensivisht në spitalin e Fierit dhe qendrën shëndetësore të Cakranit, ndërsa mjekët thonë se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia e Fierit ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve që çuan në helmimin e afro 250 dasmorëve, ndërsa grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në lokalin ku u zhvillua ceremonia e dasmës. Të gjithë dasmorët ja kanë vënë fajin mishit të përdorur në dasëm, duke hedhur dyshime se ka qenë shkak për helmimin e tyre.
Ngjarja
Nuk kanë mbushur as 12 orë nga përfundimi i dasmës, kur grupe grupe, dasmorët kanë marrë drejtime të ndryshme për të kërkuar ndihmë mjekësore. Mes të helmuarave edhe nusja me dhëndërrin. Disa në qendrën shëndetësore të Cakranit dhe të tjerë në urgjencën e spitalit Fier. Kishin të njëjtin problem, po shfaqnin simptomën e helmimit të ushqimit. Në Pediatrinë pranë spitalit të qytetit të Fierit kanë kërkuar ndihmë mjekësore 18 fëmijë me prindërit e tyre, ndërsa shume të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Të pyetur mbi ushqimet e konsumuara, pacientët kanë dalë në konkluzionin se dyshonin te mishi i përdorur në dasëm. Sipas njërit prej pjesëmarrësve në dasmë, i cili së bashku me katër pjesëtarët e familjes tij përfunduan në spital pas ceremonisë, shenja helmimi kanë pasur të gjithë pjesëmarrësit në këtë festë, numri të cilëve shkon në 250, ndërsa thekson se helmimi ka ndodhur për faj të kuzhinierit. Mësohet se të helmuarit ditën e dielë kishin qenë në një dasmë në fshatin Gorishovë të komunës Cakran të rrethit të Fierit, ndërsa simptomat helmimit u janë shfaqur pas 12 orësh.
Drejtori Dhamo: Stafi në gatishmëri, po bëhen analizat për shkaqet
Drejtori i spitalit, Dhimitër Dhamo shprehet se stafi është vënë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar dhe përmirësuar gjendjen shëndetësore të numrit të lartë të pacientëve të paraqitur. Një pjesë e të helmuarve janë paraqitur pranë qendrës mjekësore të Cakranit, ndërsa po priten rezultat e analizave për zbuluar shkakun e helmimit. Grupi hetimor ka mbërritur në lokalin ku u bë ceremonia, ndërsa janë marrë kampione nga ushqimet e përdorura për të gjetur shkaqet. Në pyetje është marrë edhe pronari i lokalit dhe kuzhinieri për të mësuar mbi ushqimet dhe kohën dhe vendin e blerjes së tyre. Sipas burimeve nga spitali, të paktën 47 prej dasmorëve janë në gjendje më kritike se të tjerët dhe i janë nënshtruar terapisë intensive.
Vendimi
Të divorcuar prej disa vitesh, gruaja rikërkon urdhër mbrojtje
Të divorcuar prej vitesh, një urdhër mbrojtje i konsumuar dhe kërkohet sërish urdhër mbrojtje për një vit. Një grua e divorcuar iu drejtua sërish gjykatës duke kërkuar lëshimin e urdhërit të mbrojtjes, pasi ndihej e kërcënuar nga ish-bashkëshorti. Në datën 10.07.2013 paditësja Etleva Xhafaj është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr. 4 dhe ka deklaruar se ndihet e kërcënuar nga ish- bashkëshorti i saj Arben Lozi. Ajo shpjegoi se babai i saj iu kishte liruar një banesë, por pasi u nda u largua dhe në këtë banesë vazhdoi të jetojë i padituri. Ajo shpjegoi se Arbeni ishte larguar nga banesa pasi ishte martuar dhe ajo ka vendosur të kthehej për të jetuar atje, po i padituri ka kundërshtuar vendosjen e saj në banesë. Ajo ka shpjeguar në polici se me paditurin e kanë zgjidhur martesën, por edhe pas kësaj ajo ndihet e kërcënuar nga i padituri. Ajo shpjegoi se kërkonte urdhër mbrojtje se donte të banonte në atë banesë ku kanë jetuar para zgjidhjes së martesës së bashku me fëmijët pasi është larguar nga banesa bashkëshortore sepse ishte pajisur me urdhër mbrojtje nga gjykata ndaj të paditurit. Por, i padituri Arben Lozi ka deklaruar ne polici se nuk ka ndërmarrë asnjë akt dhune ndaj paditëses apo dhe familjarëve të saj. Ai shpjegoi në gjykim se në datë 08.07.2013 kishte dalë për punë dhe kur është kthyer në banesë ka gjetur atje paditësen e cila kishte hapur derën dhunshëm me babain e saj dhe i ka kërkuar të largoheshin nga banesa duke njoftuar për këtë policinë. Ai shpjegoi se në atë banesë kanë jetuar me paditësen për rreth 7-8 tetë vjet, dhe pasi u ndanë e paditura ka shkuar të jetojë me babanë e saj. I pyetur nga gjykata i padituri deklaroi në seancë se aktualisht ka marrë një banesë tjetër me qira dhe se një pjesë të sendeve të tij ndodhen ende në banesë. I padituri deklaroi se është dakord që paditësja dhe fëmijët e tij të banojnë në atë banesë, por nuk pranon që prindërit e paditëses dhe vëllai i saj të jetojnë atje. Ne seancën për vërtetimin e urdhërit të mbrojtjes, i padituri nuk u paraqit në gjykim, ndërsa paditësja deklaroi se gjatë kësaj kohe nuk është shqetësuar prej tij. Ndërkohë që, kjo ka qenë e vetmja kërkesë e shqyrtuar nga gjykata për urdhërat e mbrojtjes, pasi të paktën 46 kërkesa të tjera janë pushuar pasi gratë-paditëse janë tërhequr. Ata kanë deklaruar se janë pajtuar me bashkëshortët dhe se tërhiqen për hatër të fëmijëve.
Vendimi
Kërkohej për vrasjen e babait, pranohet ekstradimi i maqedonasit Ahmeti
Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e drejtësisë maqedonase për ekstradimin drejt shtetit fqinj të Maqedonisë Resul Ahmeti, i dënuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, të babait të tij Neshat Ahmeti. Në kërkesën drejtuar Gjykatës, përfaqësuesi i akuzës sqaroi se më 26 qershor në Rinas është bërë arrestimi i përkohshëm me qëllim ekstradimi të shtetasit kanadez Resul Ahmeti, për shkak se ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli Shkup Maqedoni.Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, ky shtetas është deklaruar fajtor për veprën penale të “Vrasje”, vepër penale e kryer në vitin 1986, dhe si rrjedhojë është dënuar me 12 vjet burgim. Nga gjykimi rezultoi se arrestimi i këtij shtetasi është kryer me qëllim ekstradimin e tij ne Republikën e Maqedonisë për efekt të vendimit prej 12 vitesh burg. Gjykatës së Qarkut në Manastir si dhe vendimit Nr. K.ZH.nr. 28/89 datës 01.06.1989 të Gjykatës Supreme të Maqedonisë ky shtetas është deklaruar fajtor për veprën penale të “Vrasje”, vepër penale e parashikuar nga neni 37 i Kodit Penal të Maqedonisë e kryer në vitin 1986, dhe si rrjedhojë është dënuar me 12 vjet burgim. Nga dosja e ardhur nga Maqedonia rezulton se shtetasi maqedonas në bashkëpunim me nënën e tij shtetasen Chezije Ahmeti, kanë vrarë babain e tij, shtetasin Neshat Ahmeti. Kjo vepër penale parashikohet edhe ne Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dhe i korrespondon veprave penale të “Vrasje më paramendim” në bashkëpunim , parashikuar nga nenet 78/1 e 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.