Gëzim Saliu
Duke marrë shkas nga numri i votave të marra në zgjedhjet e 23 qershorit, janë thuajse të përcaktuara edhe postet që do përfitojnë aleatët e PS-së, ku numri më i madh do ti takojë LSI-së
Edhe pse pritej që pas përcaktimit të strukturës së re të qeverisë dhe emrave që do të drejtojnë ministritë e kabinetit të ri, Kryeministri i ardhshëm i vendit të mblidhte aleatët e majtë për të përcaktuar postet që ata do të përfitojnë në nivel të dytë të pushtetit, kjo ende nuk ka ndodhur. Burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se kërkesat e aleatëve të majtë, të mbërritura me kohë në selinë e purpurt për poste zv.ministrash dhe prefektësh janë marrë në shqyrtim. Po ashtu, këto burime kanë bërë të ditur se takimi i kryesocialistit me aleatët e tij, i cili pritet të zhvillohet kokë më kokë me secilin preje krerëve të partive pjesëmarrëse në koalicionin e majtë, është shtyrë vazhdimisht për shkak të angazhimeve të Ramës. Marrë shkas edhe nga mbledhja që do të zhvillojë kreu i qeverisë së re me kabinetin e tij ditën e hënë, pritet që takimi i Ramës me aleatët të shtyhet më tej, me shumë mundësi nga mesi ose fundi i kësaj jave. Por nga ana tjetër, një tjetër opsion është edhe ai që takimi për ndarjen e pushtetit i liderit të së majtës me aleatët të zhvillohet edhe pas mandatimit të qeverisë së re në Parlament më 9 shtator. Ndërkohë aleatët, pasi kanë dorëzuar prej më shumë se dy javësh në selinë e PS-së kërkesat e tyre për postet e zv. Ministrave, prefektëve dhe drejtorëve në qarqet kryesore të vendit, mbeten në pritje të telefonatës së kreut socialist për të kuptuar se cila do të jenë përfitimet e tyre politike në kuadër të kontributit që dhanë në fitoren e së majtës më 23 qershor.
Postet
Lëvizja Socialiste për Integrim, si forcë e dytë e koalicionit të majtë, në bazë edhe të votave të marra nga zgjedhjet e 23 qershorit, do të jetë forca politike që do të përfitojë më shumë nga ndarja e pushtetit në nivel zv.ministrash, prefektësh dhe drejtorësh. PS dhe LSI e kanë arritur tashmë marrëveshjen mes tyre, ku pritet që partia e drejtuar nga Ilir Meta të ketë të njëjtën marrëveshje me socialistët siç kishte me demokratët për nivelet e dyta të qeverisjes. Kështu LSI-ja pritet që të marrë postet e zv.ministrit në të gjitha ministritë që drejtohen nga të zgjedhurit socialistë. Po ashtu pjesën më të madhe në ndarjen e pushtetit në nivel prefekti dhe drejtorësh, krahas PS-së, do ta përfitojë sërish Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërkohë në bazë të një deklaratë të bërë më parë nga deputeti i kësaj force për qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, LSI pritet të marrë 40 % të pushtetit në kuadër të administratës së ardhshme. “Në marrëveshje të qeverisjes me Partinë Socialiste, pas zgjedhjeve të 23 qershorit kemi një ndarje të përgjegjësive të administrimit të pushtetit, ku 40% e këtyre përgjegjësive i takojnë LSI. 40% e administratës do administrohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim”, ka deklaruar Tavo. Pas LSI-së, janë katër forca politike, pjesëtare të koalicionit fitues të së majtës, që pritet të marrin një pjesë të mirë të pushtetit qendror dhe atij lokal. Partia Bashkim për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules dhe Partia Kristian Demokrate e Mark Frrokut, forcë politike që arritën të marrin nga një mandat deputeti në zgjedhjet e 23 qershorit, do të përfaqësohen në qeverinë e re me një post zv.ministri si edhe me poste prefekti dhe drejtori në më shumë se 5 qarqe të vendit. Në të njëjtën linjë janë edhe aleatët tradicionalë të PS-së, PSD-ja e Skënder Gjinushit dhe PDS-ja e Paskal Milos, të cilat pritet të marrin nga një post zv.ministri në kabinetin Rama. Këto dy forca politike janë shprehur kritike deri më tani ndaj përzgjedhjeve të kryeministrit të ardhshëm për ndarjen e posteve ministrore. Milo ka bërë të ditur më parë se posti i zv.ministrit nuk bën për të, duke theksuar nga ana tjetër se do të mbetet pjesë e së majtës. Qëndrimi i mëtejshëm i këtyre dy partve të majta mbetet për tu parë në takimet që ato do të zhvillojnë kokë më kokë me kreun e PS-së Edi Rama. Gjithashtu edhe aleatët e tjerë të koalicionit kanë pretendimet e tyre për poste të ndryshme në pushtetin vendor dhe atë qendror, ku kreu i PSV ’91 Petro Koçi mësohet se kërkon një post zv.ministri tek Ministria e Mbrojtjes e ndërsa kreu i PSM-së Gjergji Koja pretendon një post zv.ministri të Shëndetësisë.
Në Durrës
Të hënën Rama mbledh ministrat, diskutohet strategjia dhe struktura
Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama mbledh të hënën në qytetin e Durrësit kabineti e ri qeveritar, ku në qendër të diskutim do të jetë strategjia e përgatitur nga secili ministër për drejtimin e dikasterit përkatës si edhe struktura e tyre. Edhe pse mbledhje ishte menduar që më parë të zhvillohej në Shkodër, por nisur nga zgjedhjet që zhvillohen të dielën në komunën Rrethina të këtij qarku, të majtët kanë menduar që të mblidhen në qytetin bregdetar. Në këtë takim po ashtu pritet të vendosen piketat finale të programi qeverisës për 300 ditët e para, në bazë të strategjisë dhe objektivave që do të shpalosin ministrat. Këta të fundit pritet të kenë përfshirë në strategjinë e tyre edhe sugjerimet e bëra nga ekspertët e huajt të ftuar në konferencën e organizuar nga PS për territorin dhe zhvillimin ekonomik. Më parë, kreu i qeverisë së ardhshme e mblodhi kabinetin e tij për herë të parë në qytetin e Vlorë, edhe pse në një mbledhje informate pasi qeveria e re ende nuk është mandatar. Në këtë takim dy ditor, punimet e kabinetit të ri qeveritar u përqendruan tërësisht tek programi qeverisës për 300 ditët e para. “Vlorë, takim dy ditor i qeverisë së re. Reforma rrënjësore, shpirt skuadre, qytetari europiane në komunikim. Kurajo, integritet, transparencë”, ishte përshtypja e parë kryesocialistit Rama për takimin me kabinetin që do të drejtojë në katër vitet e ardhshme.
Banka Botërore
Goldstein: Dy sektorët që duhet të menaxhojë qeveria e re për të mos rrezikuar krizën
Drejtoresha e Bankës Botërore për Europën Juglindore, Ellen Goldstein deklaron se qeveria e re duhet të përqendrohet në dy sektorë kryesorë për të mos lejuar që vendi të bjerë në krizë. “Ka dy fusha të cilave u duhet kushtuar rëndësi nga qeveria e re, e para është sektori i energjisë, i cili është në probleme të thella prej kohësh. Nëse ky sektor nuk do të menaxhohet siç duhet, mund të shkohet në një situatë që do të ishte shumë fatkeqe për qytetarët deri në kufizime energjie. Fusha tjetër është sektori financiar. Bankat në Shqipëri janë të mirëkapitalizuara dhe kanë fonde rezervë të mjaftueshme, për të mos u prekur nga kriza të shpejta. Por vitet e fundit kemi parë një rritje shumë të shpejtë të kredive të këqija, të cilat janë rritur nga 5 në 25 për qind. Nëse shtojmë edhe kategorinë tjetër të kredive të rrezikuara një e treta e portofolit të kredive në Shqipëri është nën standarde”, tha Goldstein për “TCH”. Më tej specifikisht për energjinë, në kuadër të vështirësive që mund të shfaqen në këtë sektor, drejtorja e BB-së në Shqipëri tha se kërkohet një ndërhyrje e dyfishtë me masa urgjente, por dhe një plan afatmesëm për të nxjerrë sektorin përfundimisht nga kriza shumëvjeçare. “Së pari duhet të ketë disa ndërhyrje afatshkurtra. Fillimisht duhet të sigurohet energjia për sezonin tjetër përmes prodhimit vendas dhe importeve që mund të nevojiten. Së dyti, Qeveria duhet të lëvizë shumë shpejt për të hartuar një plan për të reduktuar humbjet në shpërndarje dhe për të përmirësuar arkëtimet. Së treti duhet të paguhen të gjitha detyrimet e institucioneve publike ndaj kompanive energjetike që ato të jenë më mirë financiarisht”, thotë Goldstein. Duke marrë shkas edhe nga punimet e konferencës së organizuar nga PS,”Shqipëria e Gjeneratës tjetër”, të cilën drejtorja e BB-së në vend e cilësoi si një pikënisje të mirë për t’u përballur me sfidat e ekonomisë, Goldstein theksoi se në sektorin financiar veç forcimit të mbikëqyrjes duhen ndërmarrë edhe një sërë masash të shpejta. “Duhet që Qeveria të paguajë detyrimet e prapambetura ndaj biznesit sepse ky është një nga shkaqet e rritjes së kredive të këqija. Po kështu ajo duhet të hartojë një plan realist të shlyerjes së këtyre detyrimeve dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse, së pari do të provonte që Qeveria është e përkushtuar të mbajë angazhimet e saj dhe së dyti për të mbështetur komunitetin e biznesit e për të ndihmuar ekonominë shqiptare të rritet më shpejt”, pohoi drejtorja e BB-së në vend Goldstein.