Ina Jano
MPJ: Shqipëria mbështet çdo aksion të SHBA-së dhe NATO-s
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar mesditën e djeshme se Këshilli i Sigurimit duhet të tejkalojë veton dhe të miratojë sulmin mbi Sirinë. Shefi i qeverisë shqiptare në një postim ditën e djeshme në faqen e tij zyrtare në Facebook, shkroi se provat janë tepër të qarta që kundrejt popullsisë civile janë përdorur armë kimike dhe për këtë arsye duhet që të ketë ndërhyrje. “Të dashur miq, derisa të përdoret vetoja në Këshillin e Sigurimit për të mbrojtur regjime kasapësh ndaj kombeve të tyre, rruga e vetme për të mbrojtur OKB-në dhe Kartën e saj universale është tejkalimi i vetos së Këshillit të Sigurimit, ndëshkimi shembullor i atyre që kryejnë krime kundër njerëzimit, gjenocide me armë të shfarosjes në masë apo mjete të tjera. Siç faktojnë prova shumë të qarta, diktatori sirian Al-Asad, ka përdorur gazin nervin dhe ka helmuar për vdekje mbi 1400 fëmijë, gra, burra, civilë të pambrojtur në lagjet e Damaskut. Në mungesë të ndëshkimit të tij, OKB me Këshillin e Sigurimit të saj do të shndërrohej në mburojë botërore të regjimeve mizore diktatoriale. Prandaj ne besojmë se SHBA, si vendi me përgjegjësi kryesore për paqen dhe sigurinë në botë, por edhe vendet e tjera të lira, kanë të drejtë dhe duhet të vendosin vlerat universale të mishëruara në Kushtetutat e tyre dhe Kartën universale të OKB-së mbi veton arbitrare të KS dhe t’i japin vendosmërisht ndëshkimin e merituar regjimit të Sadamit të ri që përdori gazin kundër qytetarëve të vet”, – pohoi dje Kryeministri në detyrë zoti Berisha. Sikur të kishte paralajmëruar një lëvizje të tillë të diplomacisë, në të njëjtën linjë ishte dje edhe Presidenti Obama. Ndërsa Kryeministri i zgjedhur zoti Edi Rama, pas deklaratës së Obamës, shprehu mbështetjen për të gjitha qëndrimet e SHBA-së. “Mbështetje e plotë për deklaratën e Presidentit Obama për parimet e lirisë dhe rendin ndërkombëtar” , – shkroi Rama në Twitter.
MPJ
Ndërsa Ministria e Jashtme, me anë të një deklarate për shtyp, pohoi se Shqipëria është e gatshme që të mbështesë çdo veprim të SHBA-së dhe NATO-s për t’i dhënë fund masakrave në Siri. Ministria e Punëve të Jashtme përsërit angazhimin ndaj çdo veprimi të ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund masakrimit të popullsisë siriane dhe mbështetur opozitën siriane në ndërtimin e një Sirie të lirë dhe demokratike. “Duke ndjekur me shqetësim situatën në Siri, Shqipëria – ashtu siç është thënë edhe në deklaratën e Kryeministrit, më datë 27 gusht 2013 – ka qenë dhe mbetet e gatshme të mbështesë politikisht, por dhe me të gjitha mundësitë, si vend anëtar i NATO-s, SHBA-të dhe Aleancën e Atlantikut të Veriut, në çdo veprim që duhet të ndërmerret për t’i dhënë fund masakrimit të popullsisë siriane dhe mbështetur opozitën siriane në ndërtimin e një Sirie të lirë dhe demokratike”, – nënvizon ministria. Duke iu referuar të dhënave të fundit të bëra publike nga Sekretari amerikan John Kerry, që dëshmojnë me fakte të pakundërshtueshme përdorimin e armëve kimike kundër popullsisë së pafajshme civile, nga regjimi kriminal sirian, MPJ thekson se komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa të menjëhershme dhe të vendosura ndaj këtyre veprimeve të tilla barbare, të cilësuara si krime kundër njerëzimit. Nëse ndërmerren veprime ushtarake në Siri, Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa tokësore. Presidenti Barack Obama thotë se administrata e tij po vazhdon të analizojë opsionet për operacione “të kufizuara” ushtarake në përgjigje të sulmeve kimike të 21 gushtit në Damask. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri këto komente pas konferencës për shtyp të Sekretarit të Shtetit, John Kerry, i cili sqaroi se raportet e shërbimit të zbulimit konfirmojnë përgjegjësinë e qeverisë siriane për ngjarjen e rendë.
Vendimi
Obama: Gati për sulm, do të kërkoj votën e Kongresit për të ndërhyrë në Siri
Presidenti Obama doli dje në një konferencë për shtyp, në orën 14:00 me orën lokale të Uashingtonit, për të konfirmuar ndërhyrjen ushtarake në Siri, edhe pse një veprim i tillë mund të mos jetë lejuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Shefi i Shtëpisë së Bardhë bëri me dije gatishmërinë e tij për të sulmuar damaskun, ndërsa në këtë drejtin shtoi se të gjitha forcat ushtarake janë të përgatitura që një veprim i tillë të ndodhë, sapo vetë Presidenti Obama të japë urdhrin. Obama konfirmoi se ai dhe SHBA janë gati të sulmojnë Sirinë, duke i ardhur në ndihmë popullsisë civile, të sulmuar nga qeveria e tyre, siç tha ai. “Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duhet të ndalim armët kimike. I bëj thirrje Kongresit që të marrë një vendim, të votojë për sigurinë kombëtare. Nuk mund t’u kthejmë krahët këtyre masakrave që po kryhen. Unë jam gati për këtë sulm”, – deklaroi Obama. Për këtë, ai i kërkoi Kongresit autorizimin që të fillojë sulmin kundër regjimit të Assadit, në Siri. “Kam vendosur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të nisin një aksion ushtarak kundër regjimit sirian, ta dënojnë për përdorimin e armëve kimike, që vranë mbi një mijë persona, një atentat ky ndaj dinjitetit njerëzor”, – tha ai. Teksa ndodhej përkrah zëvendëspresidentit Joe Biden, lideri amerikan deklaroi se, “unë kam fuqinë për të urdhëruar sulmin pa marrë miratimin e dhomave dhe senatit, por kam vendosur të dëgjoj mendimin e përfaqësuesve të zgjedhur nga populli amerikan dhe për këtë dua që të hapet një debat në kongres”, – tha ai. Ndërsa kërkoi mbështetjen e çdo aleati, Obama u shpreh se është i gatshëm të ndërhyjë në Siri edhe nëse nuk merr aprovimin e OKB-së. “SHBA nuk do t’i mbyllë sytë para asaj që ndodhi në Damask”, – u shpreh Obama. Në fjalimin e tij Obama tha se është duke u kërkuar të gjitha shteteve që të votojnë për Sigurinë e tyre kombëtare, por nga ana tjetër shtoi se nuk pret që të gjitha vendet ta miratojnë vendimin e tij. “SHBA do të ndërhyjë ushtarakisht. Assad është përgjegjës për sulmet kimike. Ndërhyrja jonë do të jetë e studiuar. Ushtria jonë është pozicionuar dhe do të jetë gati me një urdhër. Dhe kjo nuk dihet nëse do të jetë nesër, pas një jave apo nga sot një muaj”, – bëri me dije kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Qëndrimi
Jahjaga: Ndërhyni menjëherë në Siri
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është pozicionuar në favor të sulmit ushtarak në Siri, ndërsa ka dënuar një sulm ndaj popullsisë civile atje. “Presidentja e Kosovës e fton bashkësinë ndërkombëtare, duke i dhënë mbështetje nismës së vendeve demokratike në krye me SHBA-në për intervenim të menjëhershëm dhe efikas për të ndalë dhunën që forcat e regjimit po e bëjnë ndaj popullit të Sirisë”, – thuhet në njoftim për media të lëshuar nga zyra e Presidentes. Me këtë rast, Jahjaga ka thënë se përvojat e ndërhyrjes në Kosovës mund t’i shërbejnë bashkësisë ndërkombëtare. “Duke marrë parasysh përvojat e intervenimit humanitar në Kosovë, Presidentja Jahjaga konsideron se vetëm intervenimi ndërkombëtar në Siri mund të ndalë gjakderdhjen dhe mund të shpëtojë jetën e qytetarëve duke krijuar kushtet që populli i Sirisë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike të përcaktojë qeverisjen e vendit. Është parim i përgjithshëm që të mbrohen liritë dhe të drejtat e qytetarëve nga dhuna ushtarake e sistemeve diktatoriale”, – thuhet më tej në kumtesë. Jahjaga e ka quajtur të pashpirt sistemin e diktatorit Assad ndërsa ka dënuar sulmet e fundit atje, përfshirë edhe përdorimin e armëve kimike kundër popullsisë civile. “Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga me hidhërim të thellë e dënon sulmin me bomba napalm ndaj popullsisë civile në zonën e Alepos në Siri, ashtu si edhe ditë më parë kur u përdorën armët kimike që morën jetët e qytetarëve të pafajshëm ndër ta edhe fëmijë që tregon ashpërsinë e konfliktit në Siri dhe pashpirtësinë e sistemit qeverisës të diktatorit Al-Assad”, – saktësohet nga zyra e shtypit.