Fjala tumor tingëllon shumë tmerrshëm, por në realitet tumor quhet çdo formacion apo e ngritur që paraqitet në këtë rast në lëkurë
Ka shumë paragjykime për tumoret e lëkurës në trevat tona. Nuk mund të dimë se kur dhe si janë zhvilluar, por dimë që për çudi edhe mjekët marrin pjesë aktivisht në përhapjen e paragjykimeve! Këtë mund ta konfirmojmë çdo ditë në institucionet shëndetësore kur pacientët tregojnë saktësisht që “filan” mjek më ka thënë “më mirë mos e ngacmo, se përhapet”. Për çudi, ky mendim edhe në gjitha shtetet përreth nesh! Kjo tregon që në përgjithësi Ballkani edhe më tej vazhdon më shumë të merret me thashetheme sesa të përpiqet të hulumtojë për të dhënat shkencore që sot shumë lehtë mund të gjenden sidomos në internet.
Tumoret
Fjala tumor tingëllon shumë tmerrshëm, por në realitet tumor quhet çdo formacion apo e ngritur që paraqitet në këtë rast në lëkurë. Për fat, shumica e tumoreve janë beninje (të mira), por edhe nëse është i keq (malinj), sot mjekohen me sukses shumë të madh nëse trajtohen me kohë. Tumoret beninje (të parrezikshme) të lëkurës zakonisht hiqen për shkaqe estetike, por disa nga ata edhe për shkaqe preventive. Të gjitha statistikat tregojnë që shkaku kryesor i shndërrimit të tumorit të parrezikshëm në të rrezikshëm është rrezitja e tepërt në diell (djegia në diell). Prandaj, duhet pasur shumë kujdes në rrezitje, që të jetë graduale dhe mundësisht të ndihmohet me faktorë mbrojtës të lëkurës (kremrat e ndryshëm). Kur flasim për bengun ose nishanin, ka shumë paragjykime rreth tyre. Duhet ditur se një tumor i parrezikshëm (beninj) kurrë nuk ka shkaktuar probleme pasi hiqet. Ai edhe ashtu gjendet tashmë jashtë trupit dhe do të ishte absurde që të shkaktonte probleme. Paragjykimi rrjedh nga rastet me melanomë (beng i rrezikshëm), kur pas heqjes së tij të vonshme vazhdojnë metastazat (vatra të tjera tumorale në organet e tjera). Gabimi logjik është që tumori përhapet, nëse e ngacmon.
Si arsyetohet?
1. Së pari, tumori me të vërtetë nuk duhet të ngacmohet, por ai duhet të hiqet. Në literaturë gjithmonë është shkruar që nuk duhet të ngacmohet, por edhe mjekët e kanë kuptuar gabimisht dhe sot interpretohet që nuk guxon as të hiqet!
2. Nëse melanoma (bengu i rrezikshëm) nuk ka dërguar delegat (metastaza) në organizëm, atëherë mjekimi është i suksesshëm dhe nuk mund të komplikohet.
3. Nëse paraqiten metastazat pas heqjes së melanomit, ato nuk janë rezultat i heqjes së tij, por kjo tregon që është bërë heqja e vonshme e tij. Nëse melanoma nuk hiqet, gjasat për jetesë janë zero. Por, nëse trajtimi bëhet si duhet gjasat për shërim rriten bukur shumë.
Çfarë duhet ditur
-Çdo plagë që nuk shërohet për me shumë se dy-tri javë edhe përkundër mjekimit, duhet të konsultohet dermatologu, kirurgu plastik apo maksillofacial.
-Konsultë urgjente duhet bërë kur tumori i pigmentuar (bengu ose nishani) fillon të ndërrojë ngjyrën, formën, madhësinë. Këshillohet që një herë në muaj personi të kontrollojë vetë bengat (nishanet). Në pjesët e pasme të trupit shërbehemi me pasqyrë ose mund të shikohet nga person tjetër.
-Bengat me forma jo të rregullta (skaje të grimcuara) më mirë është të hiqen për shkaqe preventive.
-Duhet t’i ikim rrezitjes së tepërt e sidomos asaj të shpejtë. Rrezitja e tepërt, pos rrezikut të tumoreve, po ashtu plak lëkuren më herët.
-Profesionet që kërkojnë qëndrim në diell, duhen të ruhen me kapela, mbulesa, faktorë mbrojtës të lëkurës etj.
-Ekziston një predispozitë gjenetike te njerëzit me tip të qelë të lëkurës për paraqitjen e tumoreve të lëkurës dhe ata njerëz duhen të vizitohen me shpesh te eksperti. Pra, duhen pasur kujdes më të madh ata që kanë pasur në familje dikë me tumore të lëkurës.
Më të rrezikuar burrat
Sipas studiueseve, thuhet se burrat janë më të rrezikuar nga kanceri i lëkurës. Këta kanë 70 për qind më tepër shanse të vdesin nga kanceri i lëkurës sesa femrat, edhe pse numri i burrave dhe grave që diagnostikohen me këtë sëmundje është i njëjtë. Është i ndryshëm vendi ku meshkujt dhe femrat kanë shenjat e kancerit të lëkurës, melanomës. Burrat në gjoks dhe shpinë, kurse gratë nëpër këmbë dhe krahë, bën me dije Instituti i Kërkimeve për Kancerin në Britaninë e Madhe. Një gjë është e përbashkët dhe mirë që të zbatohet sipas këshillave të mjekëve, që si meshkujt edhe femrat të përdorin krem mbrojtës kur dalin në diell. Sipas studiueseve, kjo ndodh ngaqë burrat nuk i drejtohen menjëherë mjekut kur kanë shenja të sëmundjes. Dr. Ngadhnjim Domi
Varësia e kancerit nga karakteri
Shkencëtarë të shumtë mjekësorë mbrojnë idenë e ekzistencës së mundshme të një procesi shkaktar të kancerit në brendësi të karakterit të njeriut. Po kështu gjendje të tilla si melankolia, dëshpërimi, depresioni etj. fare lehtë mund të shkaktojnë ndryshime hormonale, të cilat do të godasin me mënyrën e tyre organizmin. Këto reagime hormonale shpesh krijojnë kushtet e duhura për zhvillimin e kancerit. Një tjetër shkencëtar që është marrë me këtë temë, Gross ka pohuar përmes studimeve të tij, se sa herë njerëzit shtypin ndjenjat e tyre aq më shumë ata rrisin mundësinë për kancer, sidomos gratë në rastin e kancerit të mitrës apo të gjirit. Ndonëse në jetën e zakonshme njerëzit të cilët shtypin ndjenjat e tyre konsiderohen si të përmbajtur, të qetë, të vlefshëm pasi nuk krijojnë probleme apo shmangin përplasjet, për ta, shkencëtari Goss, ka mendim krejt të kundërt. “Njerëzit me karakter (d.m.th. këta të mësipërmit) kanë shumë më tepër mundësi për të shfaqur kancer se ata të cilët bëjnë shamatë, thyejnë gjithçka përreth etj”, është shprehur diku ai me humor. Dhe kjo sepse, sipas tij, këta njerëz me “karakter” bëjnë shumë përpjekje për të mbajtur brenda tyre zemërimin, tensionin etj. me qëllim që të jenë në rregull përpara shoqërisë, por në fakt i bëjnë dëm vetes. Shfajësimi i heroit që mishëron Ëoody Allen në filmin “Manhatan” zbulon mendimin e përgjithshëm për sa i përket ndikimit të karakterit në zhvillimin e kancerit: “Nuk mund të mos nxjerr jashtë zemërimin tim. Ky është një nga problemet që kam. Përndryshe, do të prodhoj kancer”.