Sonja Caka
Urdhërat e ekzekutimeve, jo më me gjyq të dytë, por pas përfundimit të procesit gjyqësor. Nga sot, njoftimi i seancave me sms dhe e-mail
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi njoftoi përmes një postimi në rrjetin social Facebook se dje ka hyrë në fuqi paketa civile e miratuar disa muaj më parë në Parlament. Ndryshime janë bërë në kalimet e dëshmive të trashëgimisë te noteri apo dhe ekzekutimet e vendimeve duke eleminuar faktorin kohë dhe para për qytetarët nëpër gjykata. Ndërohë që të tjera ndryshime janë bërë në njoftimet e palëve përmes sms-ve apo adresave elektronike, ndryshimet në shqyrtimin e disa kërkesave nga një gjyqtar i vetëm në Gjykatën e Lartë dhe të tjera risi. “Thyejmë tabutë dhe sjellim një traditë të re në fushën civile. Më shumë se 30.000 qytetarë në vit nuk do të shkojnë më në gjykatë për të kërkuar dëshminë e trashëgimisë, nuk do të harxhojnë me mijëra lekë për shpenzime gjyqësore dhe afërsisht një muaj kohë, por do ta përfitojnë këtë shërbim në pak minuta nga noteri” ka bërë me dije në publikimin e tij ministri Halimi, duke shtuar se nga sot, qytetarët që kanë fituar një proces gjyqësor, nuk do të detyrohen të shkojnë sërish në gjykatë për të filluar një tjetër proces, atë të lëshimit të urdhërit te ekzekutimit. “Gjykime për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit nuk do të ketë më. Qytetarët do të informohen edhe nëpërmjet sms-ve apo e-mail-it për ditën e gjyqit, çfarë ndodhi në seancë dhe do të kenë mundësi monitorimi 24 orë në 24” sqaroi z.Halimi. Sipas tij, reforma civile që hyri dje në fuqi, ndihmon në rritjen e eficensës së sistemit gjyqësor, duke eleminuar muajt e pritjes për daljen e datës së gjyqit, apo zvarritjen me vite në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë. Gjyqtarët do të kenë më pak procese, ndaj trupat gjykues më fleksibël si dhe kalendari elektronik për proceset civile do të shkurtojnë kohën e gjykimit për këdo që i drejtohet gjykatës. “Hyrja e kësaj pakete në fuqi është siguri e shtuar edhe për sistemin bankar, i cili do të ketë mundësi të ekzekutojë më shpejt kreditë e këqija; do të mund të kontrollojë online se çfarë bën përmbaruesi me çështjen e tyre, si dhe të sigurojë kolateralin” vazhdon sqarimin e ndryshimeve dhe risive të kësaj pakte ministri Halimi, ndërsa shton përmes një falënderimi për bashkëpunëtorët në këto reforma se “e realizuam këtë reformë dhe nga sot çdo shqiptar do të gëzojë frutet e saj. Paketa Civile, si dhe të gjitha proceset transformuese që ndërmori Ministria e Drejtësisë, u mbështetën nga ekspertë të misioneve të huaja, u përkrahën nga grupet e interesit dhe për to u investua stafi i ministrisë, një ekip profesionistësh të cilit i jam mirënjohës për reformat e guximshme të këtyre viteve”.
Risitë
Risitë e Paketës Civile të miratuar janë disa, pasi përmes saj shkurtohet koha për të përfituar dëshminë e trashëgimisë dhe urdhrin e ekzekutimit; zvogëlohen shpenzimet. Pagesa në vlerën 25.000 deri në 30.000 lekë të nevojshme për një proces gjyqësor nuk do të ketë më. Thjeshtëzohet procesi, urdhrat e ekzekutimit së bashku me dëshmitë e trashëgimisë kalojnë në procedurë One Stop Shop. Në këtë mënyrë, reduktohet ngarkesa e gjyqtarëve. Vetëm në një vit depozitohen dhe shqyrtohen nga gjykata rreth 15.000 kërkesa për çelje të trashëgimisë ligjore. Të tilla çështje nuk do të ketë më në gjykatë. Me miratimin e paktës civile reformohen rregullat e rekursit në Gjykatën e Lartë. Çështjet e gjykuara në shkallën e parë me një gjyqtar do të gjykohen jo më nga 5 por nga tre gjyqtarë. Nga 3 kolegje u vendos që në gjykatë të veprojnë 6 kolegje. Këto ndryshime i japin fund bllokimit të dosjeve në Gjykatën e Lartë. Çdo çështje që do kalojë për gjykim tek kjo gjykatë do marrë zgjidhje në pak muaj. Gjithashtu, reformohet mbajtja e procesverbaleve bazuar në sistemin e regjistrimit audio recording, si dhe marrin fund problemet e njoftimeve. Fillon praktika e njoftimit me sms duke e vendosur teknologjinë në të mirë të proceseve gjyqësore. Dixhitalizimi ka qenë premtimi i bërë, por ai po merr formë çdo ditë. “Pra, për shkak të këtyre ndryshimeve, një qytetar dje duhet të kalonte të paktën 5 hapa për të marrë një vendim gjyqësor për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë, harxhonte të paktën 200-300 euro dhe të paktën 1 muaj për këtë proces. Kjo situatë merr fund me këtë reformë. Këto çështje hiqen nga procedurat gjyqësore dhe i kalojnë noterit”, – sqaroi ministri Halimi ndryshimet e miratuara në paketën civile.
Njoftimi me sms për seancat gjyqësore
Përmes ndryshimeve të paketës civile, njoftimi i palëve ose përfaqësuesve të tyre do të bëhet edhe nëpërmjet thirrjeve telefonike apo nëpërmjet një mesazhi të shkruar në telefon. Sipas nenit 130/1, ky njoftim bëhet nga punonjësit e gjykatës nëpërmjet sistemit të njoftimit elektronik. Këto njoftime kryen në përputhje me legjislacionin e komunikimeve elektronike. Ky njoftim duhet të pasqyrohet në një procesverbal të posaçëm, në të cilin duhet të tregohen numri i telefonit në të cilin bëhet njoftimi, data dhe ora e saktë e komunikimit, personi me të cilin komunikon nëpunësi gjyqësor dhe qëllimi i njoftimit. Procesverbali i këtij komunikimi hartohet nga sekretari gjyqësor dhe nënshkruhet prej tij dhe nëpunësit gjyqësor të ngarkuar me kryerjen e njoftimeve. Ky procesverbal duhet të bëhet pjesë e dosjes së gjykimit. Njoftimet për institucionet, ndërmarrjet dhe personat e tjerë juridikë shtetërorë bëhet nëpërmjet dorëzimit të kopjes zyrës së titullarit dhe personave të ngarkuar për të pranuar akte. Njoftimi për personat juridikë joshtetërorë duhen bërë nëpërmjet e-mail-it.
Somario
Çështjet e gjykuara në shkallën e parë me një gjyqtar do të gjykohen jo më nga 5 por nga tre gjyqtarë, ndërsa nga 3 kolegje u vendos që në gjykatë të veprojnë 6 kolegje. Këto ndryshime i japin fund bllokimit të dosjeve në Gjykatën e Lartë
Risitë
* Dëshmitë e trashëgimisë kalojnë nga gjykata te noteri
* Urdhëri i ekzekutimit del pas përfundimit të gjyqit, jo me një tjetër hapje procesi gjyqësor
* Çështjet e gjykuara në shkallën e parë me një gjyqtar do të gjykohen jo më nga 5 por nga tre gjyqtarë
* Nga 3 kolegje u vendos që në gjykatë të veprojnë 6 kolegje
* Reformohet mbajtja e procesverbaleve bazuar në sistemin e regjistrimit audio recording
* Marrin fund problemet e njoftimeve, fillon praktika e njoftimit me sms duke e vendosur teknologjinë në të mirë të proceseve gjyqësore