Obama kërkon autorizimin e Kongresit: SHBA të marrin masa ushtarake kundër objektivave të regjimit sirian

0
150

“Prej kohësh kam besuar se fuqia jonë nuk qëndron thjesht në aftësinë e ushtrisë sonë, por në shembullim që ofrojmë ne si qeveri e popullit”

 

Syria-Civil-War

Presidenti Obama ka vendosur se nevojitet një sulm ushtarak kundër Sirisë në përgjigje të përdorimit të armëve kimike, por ai ka thënë se do të kërkojë autorizim nga Kongresi për të forcuar mbështetjen kombëtare për çdo veprim që merret.

Zoti Obama tha se sulmi kimik në Siri kërcënon të vërë në lojë vendimin e komunitetit ndërkombëtar për të mos lejuar përdorimin e armëve kimike, duke kërcënuar aleatët dhe partnerët, dhe mund të çojë në shkallëzimin e përhapjes së këtyre armëve. Ky rrezik, tha ai, kërkon përgjigje:

“Pas një analize të kujdesshme, kam vendosur se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin masa ushtarake kundër objektivave të regjimit sirian. Ky nuk do të jetë një operacion pa afat. Ne nuk do të dërgojmë forca në terren. Veprimet tona do të planifikohen në një mënyrë të kufizuar si nga objektivi ashtu edhe kohëzgjatja. Por kam besimin se ne mund ta mbajmë përgjegjës regjimin e Asadit për përdorimin e armëve kimike, ta pengojmë këtë veprim në të ardhmen dhe të ulim aftësitë e tyre për akte të tilla”.

Presidenti tha se ushtria amerikane është e përgatitur për sulm dhe ai është i përgatitur për të dhënë urdhërin përfundimtar. Megjithatë Presidenti u shpreh se i ka dëgjuar thirrjet që ai të kërkojë autorizim:

“Prej kohësh kam besuar se fuqia jonë nuk qëndron thjesht në aftësinë e ushtrisë sonë, por në shembullim që ofrojmë ne si qeveri e popullit, e dalë nga populli dhe për popullin. Prandaj kam marrë vendimin të kërkoj autorizim për përdorimin e forcës nga përfaqësuesit e popullit amerikan në Kongres”.

Zoti Obama tha se udhëheqësit në Kongres kanë rënë dakord të caktojnë një datë për të hedhur në votë autorizimin sapo të kthehen nga pushimet. Qeveria siriane ka hedhur poshtë akuzat për përfshirjen në sulme me armë kimike dhe thotë se do ta mbrojë vendin kundër çdo mase ushtarake.

Zyrtarë të lartë të administratës thanë se autorizimi i sulmit po hartohet dhe se zoti Obama beson se Kongresi do ta miratojë.

Një dokument i shërbimeve amerikane të zbulimit fajëson direkt regjimin e Asadit për planifikimin dhe kryerjen e sulmit kimik të 21 gushtit dhe thotë se të paktën 1,429 sirianë, përfshirë 426 fëmijë.

Zoti Obama e cilësoi dje sulmin kimik një goditje mbi dinjitetin njerëzor dhe tha se ky akt rrezikon të vërë në lojë politikën ndërkombëtare të ndalimit të armëve kimike.                   (Marrë nga VOA)

 

 

Obama mbledh këshilltarët e Sigurisë në Dhomën e Emergjencave

Ambasada Amerikane në Tiranë publikoi një ditë më parë një foto në të cilën Presidenti Barack Obama takohet në Dhomën e Emergjencave me këshilltarët e tij për sigurinë kombëtare, për të diskutuar strategjinë në Siri.

Lidhur me situatën në Siri, në një konferencë Presidenti Amerikan tha se ushtria amerikane është e përgatitur për sulm dhe ai është i përgatitur për të dhënë urdhërin përfundimtar. Megjithatë Presidenti u shpreh se i ka dëgjuar thirrjet që ai të kërkojë autorizim:

“Prej kohësh kam besuar se fuqia jonë nuk qëndron thjesht në aftësinë e ushtrisë sonë, por në shembullim që ofrojmë ne si qeveri e popullit, e dalë nga populli dhe për popullin. Prandaj kam marrë vendimin të kërkoj autorizim për përdorimin e forcës nga përfaqësuesit e popullit amerikan në Kongres”.

 

Kerry: Në Damask është përdorur gazi sarin

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se testime të pavarura kanë konfirmuar përdorimin e gazit sarin në sulmin e muajit të kaluar në Damask. Këto komente Sekretari Kerry i bëri një ditë pasi Presidenti Barack Obama njoftoi se do të kërkojë miratimin e Kongresit para se të ndërmarrë ndonjë sulm ushtarak kundër qeverisë siriane në përgjigje të përdorimit të armëve kimike.

Sekretari Kerry tha sot për disa rrjete televizive amerikane se mostra flokësh dhe gjaku, që Shteteve të Bashkuara iu dhanë nga ekipe të përgjigjes së shpejtë në vendin e ngjarjes, kanë shfaqur “shenja të gazit sarin”.

Pasi Presidenti Obama tha dje se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërhyjnë në Siri, por se ai do të presë miratimin e Kongresit, zoti Kerry shprehu bindjen se ligjvënësit amerikanë “do të marrin vendimin e duhur”.

“Nuk besoj se ish-kolegët e mi në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve do t’i kthejnë shpinën të gjitha interesave tona, besueshmërisë së vendit tonë dhe normave të lidhura me ndalimin e përdorimit të armëve kimike që kanë qenë në fuqi që në vitin 1925”.

Por ai shtoi se presidenti ka autoritetin të veprojë pavarësisht vendimit të Kongresit.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Sirisë, Presidenti Bashar al-Assad tha sot se Siria ka aftësinë që të përballëjë çdo “agresion të jashtëm”.

Ndërkohë, opozita në Siri shprehu zhgënjim duke thënë se çdo shtyrje e një sulmi kundër Presidentit sirian, Bashar al-Assad do t’i japë këtij të fundit mundësinë që të dëmtojë më shumë civilë.

Dje, Presidenti Obama vendosi të shtyjë atë që pritej të ishte një sulm ushtarak kundër Sirisë, duke kërkuar miratimin e Kongresit.

“Kam besuar për një kohë të gjatë se pushteti ynë e ka bazën jo vetëm tek fuqia e ushtrisë tonë, por në shembullin tonë si një qeveri e popullit, nga populli dhe për popullin dhe kjo është arsyeja që ndërmora vendimin e dytë. Unë do të kërkoj autorizim për përdorimin e forcës nga përfaqësuesit e popullit amerikan në Kongres”.

Presidenti e cilësoi sulmin në një rrethinë të Damaskut para gati 2 javësh si sulmin më të rëndë me armë kimike të shekullit të 21-të dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të bëjnë ‘një sy qorr” ndaj kësaj situate. (Marrë nga VOA)

 

Ish- këshilltari i Sigurisë Kombëtare amerikane, Zbigniew Brzezinski

“Siria”, Brzezinski: SHBA-së i mungon strategjia koherente

Brzezinski: Strategjia ndaj Sirisë është “një sekret i ruajtur mirë”

Në intervistë për DW, ish këshilltari i Sigurisë Kombëtare amerikane, Zbigniew Brzezinski shprehet kundër sulmeve ndoshta të pashmangshme ushtarake kundër Sirisë. SHBA-së i mungon strategjia koherente, beson ai.

DW: Tani që SHBA-të dhe aleatët e saj perëndimorë pothuajse nuk kanë më fare dyshime se presidenti i Sirisë Assad qëndron prapa sulmeve me gaz helmues në vendin e tij, një ndërhyrje ushtarake duket e pashmangshme. A jeni ju për një mision të tillë, si e vlerësoni ju situatën aktuale?

Zbigniew Brzezinski: Unë besoj se një sulm ushtarak – në qoftë se ai ndodh në të vërtetë – duhet të jetë pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse. Përndryshe ndërhyrja mund të jetë një masë ndëshkuese e drejtë, por shtrohet pyetja a e zgjidh ajo problemin? A ka një strategji të përshtatshme për të zgjidhur problemin? Dhe kush është pjesë e zgjidhjes dhe kush nuk është? Për këto çështje duhet të mendohet në mënyrë intensive para se të ndërhyhet ushtarakisht. Një sulm ushtarak mund të jetë moralisht i pranueshëm për shkak të ashpërsisë së krimeve të kryera në Siri, por duhet të kihet gjithashtu parasysh se ai mund të ketë pasoja të padëshirueshme.

A mendoni se qeveria amerikane ka një strategji të qartë në Siri, edhe për kohën pas një ndërhyrjeje ushtarake?

Nëse është kështu, atëherë ky është një sekret i ruajtur mirë.

Çfarë strategjie e gjykoni ju si të përshtatshme?

Mua më duket se problemi në rastin e Sirisë është pjesë e një dileme të madhe, në sfondin e kryengritjeve të fundit në Lindjen e Mesme. Zgjidhja nuk mund të jetë thjesht as ushtarake, as nuk duhet të bëhet e varur vetëm nga fuqitë perëndimore. Mua më habit fakti se sa të etura duket të jenë Britania e Madhe dhe Franca për një goditje ushtarake. Por natyrisht nuk duhet harruar se këto dy vende janë ish-fuqi koloniale në rajon.

Ju thoni se në një sulm ushtarak, nëse është e mundur, duhet të jetë i përfshirë një koalicion i madh. Për kë mendoni saktësisht?

Turqia duhet të përfshihet hapur dhe drejtpërdrejtë në një sulm ushtarak, kjo do të ishte më e pakta. Përveç kësaj, vendet që përfitojnë ekonomikisht nga stabiliteti minimal në Lindjen e Mesme ekonomikisht, duhet ta mbështesin hapur ndërhyrjen ushtarake. Unë jam duke menduar për disa vende të fuqishme aziatike, të cilat e kanë të siguruar furnizimin me energji elektrike vetëm atëherë kur vendet tranzite në Lindjen e Mesme nuk fundosen në një kaos të plotë.

Ju tani nuk e përmendët Rusinë. Si e shihni rolin e saj?

Rusia duhet të jetë më e arsyeshme në fushën e bashkëpunimit me vendet e tjera, jo vetëm për një zgjidhje të problemit të Sirisë, por në përgjithësi për të vendosur standardet ndërkombëtare, edhe në lidhje me politikën bërthamore të Iranit, d.m.th. se si programi bërthamor i Iranit të bëhet më i qëndrueshëm dhe të legjitimohet ndërkombëtarisht. Natyrisht, Rusia duhet gjithashtu të marrë pjesë aktive në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, përfundimisht disa probleme në rajon ndodhin për shkak të këtij konflikti. Të gjitha këto gjëra duhet të shihen në një kontekst më të gjerë dhe të veprohet në përputhje me rrethanat.

Çfarë pasojash mund të ketë një goditje ushtarake kundër regjimit sirian? Presidenti Assad ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara nga një Vietnam i dytë. A mund të merret seriozisht një kërcënim i tillë?

Çdo analogji mund të jetë e përshtatshme deri në një farë mase, por ajo gjithashtu mund të jetë edhe shumë çorientuese. Unë mendoj se situata në Siri është shumë e ndryshme nga ajo në Vietnam, para së gjithash kur dihet se rezistenca kundër Assadit në Siri është e konsiderueshme. Në të njëjtën kohë autorët e kësaj rezistence nuk janë aq të pëlqyeshëm për Perëndimin.

Zbigniew Brzezinski ka qenë këshilltari i Sigurimit Kombëtar të SHBA gjatë mandatit të presidentit Jimmy Karter nga viti 1977 deri në vitin 1981. Ai konsiderohet si një prej ekspertëve më të shquar të politikës së jashtme amerikane. Ai është aktualisht profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins dhe gjithashtu shërben si këshilltar në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. (Marrë nga DW)

 

Gjermania nuk do të marrë pjesë në sulmin ushtarak kundër Sirisë

Gjermania nuk do të angazhohet ushtarakisht kundër Sirisë. Ministri i Jashtëm tha se “një e tillë as na është kërkuar dhe as është shtruar prej nesh në diskutim”.

Gjermania nuk merr pjesë në një ndërhyrje ushtarake në Siri. Qeveria gjermane e bëri të ditur sot këtë qëndrim përmes ministrit të Jashtëm dhe zëdhënësit të saj. “Ne as na është kërkuar pjesëmarrja ushtarake dhe as ne vetë nuk kemi diskutuar ndonjëherë për t’u angazhuar ushtarakisht”, u shpreh ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, në gazetën Neue Osnabrücker Zeitung. Qeveria gjermane kërkon, që Këshilli i Sigurimit të OKB-së “të gjejë një qëndrim të përbashkët dhe që puna e inspektorëve të OKB-së të përfundojë sa më shpejt”, tha Westerwelle.

Me të njëjtat fjalë u shpreh këtë të premte në Berlin edhe zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert. Seibert nuk deshi të shprehej qartë, nëse Gjermania do ta refuzojë politikisht një sulm ushtarak të SHBA. Synimi është që të arrihet një qëndrim mundësisht sa më unik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sulmi me gaz toksik është një shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare. “Kjo nuk duhet të mbetet pa pasoja. Ne shpresojmë, se askush në Këshillin e Sigurimit nuk i mbyll sytë para një krimi të tillë”, tha Seibert. Nuk shohim dëshmi për pafajësinë e regjimit sirian. “Gjasat janë shumë të larta, që dorasit duhen kërkuar në radhët e regjimit”, u shpreh zëdhënësi i qeverisë.

Qeveria gjermane dëshiron një qëndrim unik në KS

Ditët e fundit politikanë të koalicionit qeverisës kishin lënë të kuptonin se Gjermania, ndoshta edhe për shkak të mungesës së mandatit të OKB-së, nuk do të marrë pjesë në ndonjë sulm ushtarak.

Edhe kandidati i partisë opozitare socialdemokrate Peer Steinbrück duke u shprehur kundër angazhimit ushtarak, tha se “100 orë negociata janë më mirë se një minutë të shtëna.”