Ndryshimet nga statuti, tek struktura dhe drejtuesit

0
158

Ina Jano

Selia blu do të nisë këto ditë procesin për ripërtëritjen e saj, me synimin rikthimin si pozitë pas dy viteve

 

shtepia-qendrore-e-ushtrise-300x210Rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit prodhoi për Partinë Demokratike jo vetëm kalimin në opozitë, por një kryetar të ri, edhe ndryshime më të thella që mund të quhen si një “katarsis” në parti. Statuti, krerët e qarqeve, por edhe drejtuesit e lartë të selisë blu duket se pas vitesh të palëvizur tashmë do të ndryshojnë për t’u hapur vendin të tjerëve që do të jenë stafi i bashkëpunëtorëve të liderit të ri Lulzim Basha.

Statuti

Kështu, parimi “një anëtar – një votë” që u zbatua në zgjedhjen për pasardhësin e Berishës në krye të PD-së, do të mundësohet edhe për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të kësaj partie. Kjo mënyrë zgjedhjeje do të sanksionohet në statutin e ri të PD-së, ku sipas këtij parimi, secili anëtar do të zgjedhë në mënyrë individuale kandidatët e kryesisë së PD-së, sekretariatin e ri dhe krerët e rinj lokalë. Do të jenë të gjithë demokratët e vendit të cilët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur krerët lokalë të qyteteve apo komunave të tyre.
Struktura
Me zgjedhjen e krerëve vendorë do të zgjidhen edhe delegatët që do të përfaqësojnë 39 degët e PD-së në Kuvendin e ri Kombëtar të PD-së. Procesi i ripërtëritjes së PD-së pritet të nisë nga dita në ditë, ndërkohë që është paralajmëruar edhe nga vetë kreu i saj, Lulzim Basha, i cili ka deklaruar më parë se “strukturat drejtuese të PD-së do të angazhohen në një proces sipas parashikimeve statutore, që do të nisë në muajin shtator në të gjitha degët e PD-së. Një proces analize dhe përgatitjet për zgjedhjen e forumeve të degëve dhe që do të çojë në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe zgjedhjen e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së re në kohën e parashikuar në statut. Dhe për këtë po bëhen hapat e parë të përgatitjes”. Zgjedhjet përfshijnë nënkryetarët, sekretariatin, kryesinë dhe krerët lokalë të PD-së në mbarë vendin. Asnjë prej degëve nuk do të qëndrojë jashtë procesit të ripërtëritjes, i cili do të nisë javën e ardhshme me seksionet dhe do të mbyllet me degët e mëdha. Në shumicën e këtyre degëve, krerëve aktualë u ka përfunduar mandati, për shkak se ata janë zgjedhur në muajt e parë të vitit 2009, ndërkohë që edhe ata kryetarë që janë ende me mandat, do të kalojnë në proces votëbesimi për shkak të humbjes së thellë që mori Partia Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit. Procesi i ripërtëritjes së strukturave në rrethe mund të zgjasë për PD-në rreth tre muaj dhe pritet të përfundojë në muajin dhjetor. Njëkohësisht me zgjedhjen e kryetarëve do të zgjidhen edhe delegatët që do të përfaqësojnë degët në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Burime nga selia blu bëjnë të ditur për gazetën “Standard” se ky proces pritet të mbyllet në muajin dhjetor, kur, sipas të gjitha gjasave, do të thirret edhe Kuvendi i ri Kombëtar, që do të vijojë punën me zgjedhjen e strukturave drejtuese. 14 dhjetori është dita e fundit, që ka mandat Kuvendi Kombëtar. Sipas statutit të Partisë Demokratike, Kuvendi do të zgjedhë 100 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Pas konstituimit, Këshilli mblidhet dhe zgjedh Kryesinë e re të PD-së. Ky forum i demokratëve është i përbërë nga 25 anëtarë dhe pjesë e tij bëhen automatikisht edhe zëdhënësi i partisë dhe kryetarja e Forumit të Gruas. Këshilli Kombëtar do të zgjedhë gjithashtu dy nënkryetarët e partisë dhe Sekretariatin. Përveç kryetarit të partisë dhe Kryesisë, postet e tjera nuk janë votuar prej tetë vitesh, ku për herë të fundit zgjedhje janë bërë në prill 2005.
Drejtuesit
Ndryshimet pritet të jenë rrënjësore nisur nga fakti se ato mund të lënë jashtë posteve aktuale emrat e drejtuesve aktualë, si Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi (i cili ka njoftuar dorëheqjen) apo zyrtarë të tjerë, si Ilir Rusmali, Flamur Noka, Fatos Beja, Edmond Spaho etj. Mësohet se në mesin e kësaj jave selia blu do të kalojë një moment të rëndësishëm, atë të zgjedhjes së kreut të grupit të ri parlamentar, ndërsa ndër emrat që përfliten janë ai i Eduard Selamit, i shfaqur në krah të Bashës në takimin e fundit të tij me ambasadorin Arvizu, por edhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të ketë një lëvizje surprizë të selisë blu dhe kryetar i grupit të deputetëve demokratë të jetë një emër që nuk është përfolur deri më tani.

 

Deklarata

Të vegjlit e djathtë: Premtojmë opozitë të fortë në Parlament

Nard Ndoka dhe Fatmir Mediu kanë deklaruar se do të jenë në Parlament për të bërë opozitë të fortë. Kreu republikan dhe ai demokristian thonë se opozita do të jetë e fuqishme përballë një mazhorance qeverisëse që mund të bjerë në çdo moment. Nard Ndoka në lidhje me këtë çështje u shpreh: “Ne do arrijmë të bëjmë opozitë të fortë. Qeveria e re ka ardhur në pushtet nëpërmjet premtimeve të bujshme dhe të parealizueshme”. Ndërsa republikani Mediu thotë: “Në mënyrë që ne të arrijmë kualitetin e duhur, të të bërit opozitë, e cila u ofrohet në momentin e duhur qytetarëve shqiptarë thjesht për të denoncuar qeverisjen dhe problemet e saj të cilat kanë filluar të duken që tani në konfuzionin politik që ka e majta, por sidomos në rikonceptimin e saj politik si të djathtë”. Mediu dhe Ndoka flasin edhe për krijimin e mundshëm të polit të tretë politik. Ndërsa për Mediun është i rëndësishëm forcimi i së djathtës, për demokristianin Ndoka krijimi i polit të tretë do t`u jepte më shumë hapësira partive të vogla politike. Për Ndokën ky grupim duhet të përfshijë rreth vetes edhe parti të majta, edhe të djathta dhe të qendrës, duke qenë se kjo e fundit është e zbrazur. Mediu dhe Ndoka ndajnë të njëjtin mendim për lëvizjen e Kryeministrit Rama me kabinetin e tij. Ata thonë se Rama po sillet akoma sikur të jetë në opozitë me takimet e tij, ndërsa nuk ka një strategji të qartë, përveçse paraqet një panoramë nihiliste para shqiptarëve.

 

 

Reagimi

Xhepa: Anulimi i privatizimeve, i pamundur ligjërisht

Anulimi i kontratave koncesionare dhe privatizimeve nga qeveria e majtë është i pamundur ligjërisht. Kontratat mund të rishikohen për disa arsye të ndryshme, por kurrë jo të bëhen nul. Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë, shprehet se deklaratat e PS-së janë politike, në të kundërt do të hasen me procese të gjata gjyqësore dhe penalitete që duhet t;i paguajnë bizneset. “Deklarimet politike që bëhen për anulim kontratash koncesioni në radhë të parë nuk përcjellin një sinjal pozitiv te komuniteti i biznesit, qoftë vendas, qoftë i huaj. Së dyti, nga pikëpamja ligjore mendoj se përbën një shkelje të ligjit te kontratat që kanë marrë fuqinë ligjore qoftë të ratifikuar nga Parlamenti, qoftë të miratuar nga qeveria sipas kompetencave ligjore që parashikon vet ligji mendoj që është e pamundur që të anulohen. Ne natyrisht që kemi edhe një eksperiencë edhe nga Partia Demokratike në vitin 2005 që janë anuluar disa kontrata, por në fakt ato kanë qenë projekte-kontrata, por jo kontrata që kanë kaluar në fazat finale. Dhe siç e di edhe opinioni publik, edhe në atë rast qeveria shqiptare është detyruar të paguajë penalitete”, – u shpreh Selami Xhepa. Sipas Xhepës, zhbërja e këtyre kontratave do të sillte një dëm ekonomik të pallogaritshëm në buxhet, por edhe tek biznesi, i cili mund të ketë marrë kredi për investimin. “Në qoftë se një vendim i tillë do të merrej nga Partia Socialiste, kjo do të sillte një imazh jo të mirë për klimën e biznesit në vend, por sigurisht që do të kishte edhe pasoja ekonomike edhe për vetë buxhetin e shtetit, se normalisht çdo subjekti i lind e drejta e dërgimit në gjykatë të çështjeve të tilla dhe për rrjedhojë masa e penalitetit do të ishte ndëshkuese”, – u shpreh deputeti demokrat. Nëse koncesionet dhe privatizimet do të anulohen nga të majtët, ky do të jetë marketing më i keq i për Shqipërinë ndaj investitorëve të huaj. “Çdo vendim që do të merret për të anuluar mendoj se do të ishte me pasoja ekonomike. Një investitor ekzistues i pashërbyer mirë edhe i pakënaqur sigurisht është marketingu më i keq i mundshëm për një vend dhe për rrjedhojë çdo sinjal negativ do të zhbënte edhe një herë çdo lloj efekti që ne mund të presim në përmirësimin e biznesit”, – deklaroi zoti Xhepa. Të majtët kanë kundërshtuar shpeshherë privatizimet dhe koncesionet e dhëna nga qeveria “Berisha”. Ata janë deklaruar se me marrjen e qeverisë çdo privatizim dhe koncesion do të rishihet për t’u anuluar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency