Ndarja e fitimeve nga tregtia e drogës, shkak për vrasjen e Canit

0
160

Elton Qyno

Zbardhet dëshmia e shoferit personal të viktimës. “Autorët ishin të moshës 25 deri në 30 vjeç”

Hetimet për vrasjen e Plarent Canit, policia: Nuk kemi asnjë person të dyshuar si vrasës

 

bosiiParatë e drogës mendohet se janë bërë shkak i vrasjes së 40-vjeçarit Plarent Cani. Ky i fundit, vite më parë, ka qenë ish-trafikant heroine dhe marijuane dhe për pasojë grupi ku ai vepronte dyshohet se ka ndërmarrë veprime për eliminimin fizik të tij. Ndarja e parave të fituara nga shitja dhe trafiku i drogës mund të ketë qenë një shkak për të bërë ekzekutimin e Plarent Canit. Vrasja është bërë nga persona të paguar, në mënyrë që viktima të mos krijonte asnjë dyshim apo të kujtonte diçka që mund t’i shmangej. Dhe në fakt, plani i autorëve ka shkuar ashtu siç edhe e kishin parashikuar. Dy persona me motor janë afruar aq shumë viktimës Cani, sa ky i fundit nuk ka krijuar asnjë dyshim. Sipas policisë së Durrësit, në vrasjen e Plarent Canit mund të kenë marrë pjesë më shumë se dy persona, pasi autorët janë larguar me shumë qetësi dhe se mes pallateve të lagjes kanë humbur çdo gjurmë. Shumë kontrolle janë bërë në zonë si dhe në serviset aty afër, por në fakt nuk është gjetur asnjë motor, me karakteristikat që kanë dhënë dëshmitarët, e pranishëm në momentin e kryerjes së vrasjes.

Dëshmia e shoferit

Personi që ka parë siluetën e autorëve të cilët kanë qëlluar mbi Plarent Canin, ka qenë shoferi personal i këtij të fundit. Sipas dëshmisë së tij, ai ndodhej jashtë makinës së biznesmenit, kur ka dëgjuar të shtënat me armë zjarri. Më tej në dëshmi, shoferi ka përmendur se ka parë në rrugë një motor, mbi të cilin ishin dy persona me skafandra në kokë. “Pikërisht në këtë moment, motori ka qëndruar para lokalit ku ndodhej Lenti, (Plarenti) dhe në këtë moment njëri prej tyre ai që ndodhej prapa, ka zbritur dhe është afruar, duke qëlluar mbi Lentin. Ka ndodhur shumë shpejt sa për një moment askush nuk ka reaguar ndërkohë që të gjithë ata që ishin brenda në lokal janë shtrirë për tokë. Unë kam parë edhe momentin kur janë larguar vrasësit dhe se nga trupi ata dukeshin se i përkisnin moshës 25 deri në 30 vjeç”, – ka deklaruar në policinë e Durrësit shoferi personal i Plarent Canit, i vrarë dy ditë më parë me katër plumba në trup.

Ekzekutimi

Plarent Cani, 40 vjeç, është vrarë rreth orës 08:30 të mëngjesit të së hënës në sektorin “Teuta” të plazhit të Durrësit. Ndonëse i dënuar në mungesë në Itali, viktima ka mundur të ngrejë aktivitetin e tij në Durrës pa probleme, duke qenë i licencuar dhe arritur të sigurojë leje ndërtimi për objektet që merrte përsipër. Mëngjesin e dy ditëve më parë ai ishte duke pirë kafen e parë të ditës në një lokal pranë objektit që po ndërton kompania e tij. Nga dëshmitë e para në vendin e ngjarjes rezulton se Plarent Cani, 40 vjeç, është goditur me pistoletë në kokë dhe gjoks nga dy persona me kaska që lëviznin me motor. Autorët i janë afruar viktimës dhe pasi kanë qëlluar mbi të janë larguar me shpejtësi. Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja plumbash, ndërsa Cani megjithëse është dërguar në spital nuk ka mundur të mbijetojë. Postblloqe policore janë ngritur në hyrje-daljet nga zona e plazhit, ndërsa forca të shumta kanë nisur kontrollet në rrugët dytësore të kësaj zone të mbipopulluar. Hetimet janë përqendruar në aktivitetin e viktimës në fushën e ndërtimeve në bregdet, si dhe larjes së hesapeve për shkak të veprimtarive të paligjshme në të cilat ishte përfshirë në të kaluarën dhe që dyshohet se kishte ende lidhje me to. Të shtënat, sipas ekspertëve mjekoligjorë, kanë ardhur nga një distancë jo më e largët se dy metra dhe plumbat i ka marrë në organe jetësore. Cani njihet për policinë e Durrësit si një nga anëtarët e bandës së Shijakut. Vite më parë ai është dënuar në shtetin italian me 14 vite burg në mungesë, pasi ishte pjesë e një rrjeti që trafikonte drogë në pesë qytete të Italisë. Sasia më e madhe e trafikuar prej këtij grupi është rreth 100 kg heroinë, e cila është kapur në Itali. Grupi vepronte në zonën e Durrësit, Shijakut dhe Vlorës, ndërkohë që lënda narkotike vinte në Shqipëri nga Turqia me kamionët e transportit ndërkombëtar të mallrave dhe sërish me ta, trafikohej në shtetin grek.

 

Dosja e Prokurorisë së Vlorës dërgohet në gjykatë

Abuzuan me tenderin 200 milionë lekë 8 zyrtarë në Orikum merren të pandehur

Pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pritet të nisë gjykimi penal për tetë zyrtarë në Bashkinë e Orikumit për abuzime me detyrën. Mësohet se prokuroria i ka mbaruar hetimet dhe dosja është dorëzuar në gjykatë, ndërsa akuzat janë ngritur për anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave: R. Mjalti, H. Çapoj, V. Ibrushi, E. Xhelilaj, I. Kokuri, A. Karafilaj, F. Bozhani dhe I. Troqe. Pak kohë më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit bënte me dije se ata kanë abuzuar me tenderat duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 22.500.000 lekë të reja. Ndërkohë, nga hetimet e prokurorisë është vënë re se abuzimi më i madh me një fond prej 20.833.000 lekë të reja ishte për rehabilitimin e lagjes nr. 4, ku dy firmat që kanë qenë në garë për tenderin nuk plotësonin asnjë prej kushteve ligjore apo teknike. Po ashtu abuzime janë vënë re edhe me shpalljen fituese të firmës që ka marrë detyrën për rehabilitimin e kësaj zone, pasi i janë krijuar avantazhe. Në vlerësim të rrethanave të mësipërme, rezulton që lidhur me procedurat e prokurimit të përshkruar më sipër, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë në tendera, si dhe kërkesat e parashikuara në dokumentet e tenderit kanë shpallur fitues së procedurës së prokurimit “Rehabilitim i lagjes ‘4 Dhjetori’, Orikum”, shoqërinë “S….” sh.p.k, duke i krijuar kësaj shoqërie avantazhe dhe privilegje të padrejta, në kundërshtim me ligjin për tenderat dhe ankandet.

 

Ngjarja në Durrës

Sherri në hotel, plagoset malazezi

Një plagosje me thikë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qytetin e Durrësit, ku një 40-vjeçar nga Mali i Zi ka rënë pre e sulmit. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur i plagosuri, që sipas policisë, është identifikuar si shtetasi Milan Krikovac, në gjendje të dehur është konfliktuar për motive banale me një tjetër klient në barin e hotelit. Konflikti verbal ka degjeneruar më pas në dhunë fizike mes tyre. Autori e ka qëlluar malazezin me thikë në bark dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. I plagosuri, i cili kishte një natë që kishte ardhur në qytetin bregdetar për pushime, bashkë me shokun e tij ishte sistemuar në një hotel pranë Urës së Dajlanit u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal nga miku i tij shkodran, ku i është nënshtruar një operacioni për shkak të plagëve të marra në bark sakaq që mjekët atje thonë se shtetasi malazez ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

 

Ngjarja në Krujë

I ngacmuan të ëmën, plagos dy vëllezërit

Një 21-vjeçar në Krujë qëlloi me armë kundër dy vëllezërve, pasi dyshimeve se njëri prej tyre i ngacmonte të ëmën. I riu Gulit Stafa u prangos nga policia e qytetit të Krujës, me akuzën e tentativës për vrasje. Stafa shkrehu armën ndaj furgonit ku ndodheshin Murat dhe Akil Maja. Me të njëjtin automjet udhëtonte edhe nëna e autorit të sulmit. 21-vjeçari mundi t’i plagosë të dy vëllezërit Maja, të cilët u dërguan menjëherë në spital dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha detajet e kësaj ngjarje. Sipas burimeve, sherri mes autorit të krimit dhe dy personave ka nisur pasi këta të fundit i kanë ngacmuar të ëmën e tij. Më pas ai ka hapur zjarr, duke i plagosur lehtë ata.

 

Analiza 8-mujore

Burgaj, nxjerr 7 vrasja më pak në 8 muaj

 

Policia e Shtetit zhvilloi me dyer të mbyllura analizën 8-mujore të punës. Zyra e shtypit bëri të ditur pas takimet se kanë ndodhur në total 708 vepra penale më pak se vitin e kaluar. Të njëjtat burime u shprehën edhe për 7 vrasje më pak për këtë vit në krahasim me 82 vrasjet e ndodhura të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Me të njëjtën llogaritje edhe aksidentet me pasojë vdekjen janë 28, ndërkohë që nuk është bërë e ditur sa është numri në total i aksidenteve dhe ato me pasojë vdekjen për këtë vit. Njoftimi i policisë ka përfunduar me kërkesën e drejtorit të Përgjithshëm Hysni Burgaj, për shkallën më të lartë të profesionalizmit në përmbushjen e detyrës dhe ecuri disiplinore ndaj punonjësve përgjegjës. Gjatë kësaj kohe policia është përballur me një seri vrasjesh dhe grabitjesh, duke bërë që në disa raste policia të fshehë dhe numrin e rasteve të ngjarjeve kriminale.