Pikat e karburanteve, Kosova merr masat për të mos përsëritur rastin e Shqipërisë

0
173

“Me avancimin e teknologjisë tash është kërkuar që ata të instalojnë një pajisje speciale e cila pamundëson përdorimin e pompave për shitjen e radhës nëse nuk e lëshon kuponin fiskal, më qëllim që të bëhet një matje më e saktë dhe të mbrohet konsumatori. Dhe ky proces është duke u zhvilluar”.

 

karburant_18Administrata Tatimore në Kosovë është duke zhvilluar procesin e instalimit të pajisjeve speciale drejtpërdrejt në pompat e karburanteve, që pamundësojnë shitjen e radhës, nëse nuk lëshohet kuponi fiskal. Kjo bëhet me qëllim të zvogëlimit të evazionit fiskal. Drejtori i ATK-së, thotë se sfidë mbetet monitorimi i përdorimit të këtyre pajisjeve. Pompat e derivateve të naftës, që konsiderohen si bizneset më profitabile në Kosovë, janë duke u pajisur me arka speciale, që vendosen në brendi të pompave. Këtë e konfirmon edhe kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Nazmi Bytyçi, i cili thotë se procesi është duke u zhvilluar në terren. “Faza e parë e arkave fiskale pothuajse ka përfunduar, kurse për agregatet që janë në pompat që shesin, është duke u zbatuar në terren, ndërsa arkat e thjeshta tashmë janë instaluar”, – tha Bytyçi. Pikat e karburanteve kanë qenë ndër tatimpaguesit e parë të fiskalizuar, që në fillim të projektit në vitin 2010. Por, tash është kërkuar që ato pika të bëjnë instalimin e pajisjeve speciale, me qëllim të zvogëlimit të evazionit fiskal, thotë drejtori i Administratës Tatimore, Behxhet Haliti.

Teknologjia

“Me avancimin e teknologjisë tash është kërkuar që ata të instalojnë një pajisje speciale e cila pamundëson përdorimin e pompave për shitjen e radhës nëse nuk e lëshon kuponin fiskal, më qëllim që të bëhet një matje më e saktë dhe të mbrohet konsumatori. Dhe ky proces është duke u zhvilluar”, – tha Haliti. Por drejtori i ATK-së, thotë se edhe ky proces do të ketë vështirësi, pasi në Kosovë janë rreth 22 mijë pika të karburanteve, që është vështirë të mbikëqyren 24 orë në ditë. “Sfidë për ne mbetet monitorimi i përdorimit të arkave fiskale, mirëpo kjo duhet të bëhet edhe më një angazhim dhe ndihmesë të të gjithë qytetarëve”, – tha ai. Ndryshe, që nga fillimi i projektit, me arka fiskale janë pajisur rreth 20 mijë biznese që kanë qarkullim bruto mbi 5 mijë euro brenda një viti kalendarik. Ndërkaq obligim ligjor kanë edhe rreth 25 mijë biznese të vogla që të pajisen me arka fiskale.

 

Rritet kultivimi i peshkut

Kosova, krahas shumë sektorëve tjerë, ka potenciale të mëdha edhe për zhvillimin e sektorit të peshkatarisë. Ujërat e shumta dhe kushtet e përshtatshme që ka vendi, e bëjnë peshkatarinë njërin nga sektorët më premtues dhe sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, viteve të fundit është rritur edhe numri i subjekteve të licencuara që merren me këtë veprimtari. Po ashtu nga viti në vit po shtohen dhe zgjerohen hurdhat e peshkut, të cilat tani kanë arritur në 30 sosh me një kapacitet prej 10 deri në 300 tonë. Nga kjo veprimtari, brenda vitit prodhohen rreth 600 tonë troftë që kryesisht tregtohen për konsum të brendshëm, ndërsa pesha e tyre arrin deri në 350 gramë. Por, sfidë në këtë sektor mbetet gjendja e liqeve, lumenjve dhe akumulimeve në disa regjione, e cila nuk është e kënaqshme si rrjedhojë e ndotjes së ambientit përreth si dhe dëmtimeve të mëdha të shtratit të lumenjve. Arsim Memaj, shef i Divizionit të Blegtorisë në Ministrinë e Bujqësisë, thotë për portalin “Ferma Ime”, se viteve të fundit është rritur edhe interesimi i fermerëve për t’u marrë me këtë veprimtari dhe sipas tij nga viti në vit po shtohet edhe numri i hurdhave të peshkut, që në vitin e kaluar ka arritur në 30 sosh. Kjo sipas Memajt, ka ndikuar edhe në shtimin prodhimtarisë në këtë sektor. “Duke parë potencialet që ka vendi për zhvillimin e akuakulturës dhe peshkatarisë, deri më tani bashkë me organizatat ndërkombëtare, kemi arritur që përmes asistencës teknike të ofrojmë mbështetje në teknologjinë e hurdhave të peshkut për kushte intensive të rritjes, për planifikimin e prodhimtarisë dhe për përpunimin e troftës së lumenjve. Kjo mbështetje e ofruar, ka ndikuar edhe në shtimin e interesimit për t’u marrë me këtë sektor”, – thotë Memaj.

 

 

Bankat, kredi me interes të ulët për studentët

Disa banka tregtare, këtë viti do të ofrojnë kredi me interesa të ulëta deri në 7%, për të gjithë studentët që mësojnë në të gjithë vendin, duke u dhënë mundësi të përballojnë shpenzimet e kostot e shkollës. Burime nga bankat bëjnë të ditur se, shuma e kredive studentore do të variojë nga 100 mijë deri në 1 milion dhe mënyra e shlyerjes do të përcaktohet duke marrë parasysh mundësinë e likuidimit nga ana e studentëve. Ndër të tjera kredia studentore do të aplikohet kundrejt lehtësirave procedurale, që përcaktojnë dorëzimin e dy tre dokumenteve ku përfshihet dhe ajo e statusit “student”. Shuma që mund të përfitojnë studentët varet nga dëshira dhe mundësitë e shlyerjes. Nga procesi i kredidhënies në shuma të mëdha, janë të favorizuar studentët që kanë llogari bankare, apo ata që i kanë prindërit të punësuar në punë shteti apo biznes. Aplikimi i kredisë studentore është një tjetër risi e shërbimeve bankar në tregun vendas, që tregon për likuiditet dhe mirëkapitalizim të sistemit bankar shqiptar, ndonëse jemi në kushtet e krizës në eurozonë.

 

Rriten eksportet shqiptare

Në tregun evropian ka rifilluar të rritet konsumi, ndërsa shumë tregtarë shqiptarë zbuluan tregje të reja. Sipas të dhënave doganore, gjatë periudhës janar-korrik u eksportuan 142 miliardë lekë mallra, ose 18% më tepër se në shtatë muajt e parë të vitit 2012. Kjo rritje është meritë e eksportit të naftës bruto dhe energjisë elektrike, ndërsa industria e tekstile-këpucëve filloi rimëkëmbjen. Deficiti i tregtisë me jashtë këtë periudhë u zvogëlua me rënien e importeve 5%. Kjo erdhi më së shumti, nga ulja e importit të naftës dhe energjisë, vlera e të cilave u reduktua 21% krahasuar me vjet. Sipas shifrave zyrtare, gati 70% të tregtisë e zhvillojmë me BE-në dhe dy partnerët tanë kryesorë mbeten Italia e Greqia, tregje që e kanë ulur ndjeshëm konsumin vitet e fundit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency