Bankat rritin interesat për kredinë, Fullani ul normën kur s’ka më efekt

0
163

Ervin Kaduku

Politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë nuk po arrin të ndikojë në uljen e kostos së huave në monedhën vendase. Në të kundërt, interesi i kredive është rritur

 

sportel-banke8748-300x211Ndërsa bankat pothuajse e kanë ndërprerë kredidhënien në valutë dhe janë përqendruar te ajo në lekë, bizneset vijojnë të përballen me kredi të shtrenjta në monedhën vendase. Kjo, pavarësisht nga politika lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë, e cila në dy vitet e fundit ka ulur në mënyrë agresive normën bazë të interesit (e cila synon reduktimin e kostos së lekut në ekonomi dhe nxitjen e kredidhënies). Nga 5.25% në verë 2011, norma bazë është ulur shtatë herë rresht përgjatë 2 viteve, për të zbritur aktualisht në 3%, me lëvizjen e fundit që u regjistrua në korrik të këtij viti.

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë treguan se interesat e kredisë në lekë shënuar rritje në korrik, duke u ngjitur në 10.93%, nga 10.73% që ishin një muaj më parë dhe 11.07% në shtator 2011.

Në raport me shtatorin 2013, kohë kur filloi ulja agresive e normës bazë, interesat e kredisë në lekë janë reduktuar vetëm me 0.14 pikë përqindjeje, nga 2.25 pikë përqindja që ka qenë rënia e normës bazë.

Tkurrje kanë shënuar vetëm yield-et e letrave me vlerë të qeverisë, që kanë zbritur në 4.58% në ankandin e fundit, nga gati 7% në fillim të këtij viti.

Nga ana tjetër, kjo politikë lehtësuese, përmes së cilës institucioni monetar qendrore synon që të ulë koston e lekut në ekonomi, duke nxitur kredidhënien, nuk ka dhënë pothuajse asnjë efekt në nxitjen e kreditimit të ekonomisë, që dy vitet e fundit ka shënuar ritmet më të ulëta të dekadës. Në 2012-n ritmet e rritjes vjetore të kredisë ishin vetëm 2%, ndërsa në 7 muajt e parë të 2013-s huadhënia ka rënë me 1% me bazë vjetore, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë në daljen e fundit publike ka pohuar se ndikimi i politikës lehtësuese monetare në uljen e kostos së kredisë ka qenë i dobët: “Kahu lehtësues i politikës monetare, reduktimi i kërkesës për financim të sektorit publik, si dhe situata e mirë e likuiditetit në sektorin bankar, kanë mundësuar një rënie të mëtejshme të normave të interesit gjatë muajve korrik e gusht. Në veçanti, normat e interesit të letrave me vlerë të qeverisë dhe të depozitave në lekë kanë njohur një rënie të mëtejshme, ndërkohë që normat e interesit të kredive në lekë kanë reflektuar më pak. Ky zhvillim vazhdon të tregojë për praninë e primeve relativisht të larta të rrezikut në tregun financiar dhe ilustron gjithashtu politikat konservatore të bankave në kreditim. Ashtu si dhe në eksperiencën e shumë ekonomive të tjera, ai tregon se përcjella e plotë e lehtësimit të politikës monetare në kushte më të mira financimi për sektorin privat mbetet problematike. Nga ana tjetër, edhe sektori privat shfaq një elasticitet kërkese ndaj kostos së kredisë relativisht të ulët, duke reduktuar përcjelljen e stimulit monetar në ekonomi”, – ka pohuar Fullani.

 

Remitancat

Prej disa kohësh, prurjet e emigrantëve janë pakësuar dukshëm, duke mos qenë më burimi kryesor i mbledhjes së depozitave të reja. Depozitat në lekë, gjatë muajve të fundit, kanë pasur një rritje më të lartë se ato në euro, faktorët janë të shumtë duke përfshirë këtu dhe ndryshimet në kurset e këmbimit dhe normat në rënie të interesit për depozitat në monedhë të huaj. Aktualisht priten prurje në të dy monedhat, duke shtuar faktin që depozitat në lekë do të jenë më dinamike se në vitin e kaluar.

Tregu shqiptar, pas shumë vitesh me prurje të konsiderueshme të depozitave në monedhë të huaj, në vitin 2013 u ndesh për të parën herë me një situatë të re, në të cilën depozitat e reja në monedhë të huaj nuk janë më dominante kundrejt atyre në lekë.

Sigurisht që situata financiare në Evropë, rajon dhe në vend ka ndikuar ndjeshëm në uljen e mundësive të kursimit nga individët dhe bizneset. Gjithashtu, kjo situatë ka ndikuar që një pjesë të tyre t’i përdorin kursimet për të investuar në pasuri të patundshme apo në biznese. Gjatë tre muajve të fundit kanë ndikuar ndjeshëm dhe zgjedhjet në vend, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër, i kanë shtyrë në kohë vendimet e klientëve tanë.

 

FMN shpëtimtar?

Në një nga daljet e tij para mediave, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani tha se rotacioni politik është momenti më i përshtatshëm për të vendosur një rregull të ri fiskal, me qëllim mbajtjen nën kontroll të borxhit publik. Për herë të parë, Fullani u pozicionua qartazi për rikthimin e bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ekspertët e ekonomisë shprehin opinione të ndryshme për perspektivën e rikthimit të FMN-së.

Adrian Civici thotë se eksperienca dhe ekspertiza e FMN-së do të ishin një faktor i rëndësishëm për të përmbushur objektivin e konsolidimit fiskal. Ndërsa, eksperti Artan Gjergji nuk vëren një domosdoshmëri të rikthimit të FMN-së. Sipas tij, problemi i Shqipërisë nuk qëndron te politikat fiskale, por te cilësia e administrimit tatimor.

Qysh vitin e kaluar, Shqipëria nuk ka një tavan ligjor për borxhin, që vlerësohet të ketë arritur mbi 63% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Qeveria e ardhshme ka përfshirë në programin e saj nënshkrimin e një marrëveshje të re me FMN-në, që do të nënkuptonte ndihmë financiare dhe teknike, në këmbim të një politike buxhetore më të kujdesshme për të vendosur nën kontroll borxhin publik. Shqipëria e ndërpreu bashkëpunimin me FMN-në në vitin 2008, kur qeveria e djathtë refuzoi të nënshkruante një marrëveshje të re, me qëllimin për të pasur dorë të lirë në rritjen e shpenzimeve publike.

Por, a mund të jetë FMN-ja zgjidhje edhe për rregullimin e normës së interesit të kredive bankare? Vështirë të besohet që ajo të marrë përsipër diçka që duhej ta bënte ndryshe nga sa e ka bërë guvernatori Fullani, gjithnjë në bisht të situatës financiare të vendit, i cili kujtohet të kritikojë herë pas here shqiptarët se pse kursejnë dhe nuk shpenzojnë apo qeverinë se pse nuk investon miliarda euro në infrastrukturë. Deri tani, i vetmi që nuk është kritikuar nga qeveria ka qenë pikërisht Fullani, por kjo nuk do të thotë se ai ka bërë atë që duhej të bënte, duke mbetur një nga faktorët kyç për ngadalësimin e ritmit të ndryshimit të ekonomisë shqiptare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency