Ruçi rizgjidhet kryetar grupi pa votë kundër, grup pune për zgjedhjen e kreut të ri të PS-së

0
146

Gëzim Saliu

Rama, ministrave dhe deputetëve: Mos bini pre e presioneve për punë, kush merr para dënohet penalisht

 

Kryetari-i-PS-Edi-Rama-faqe-4Kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama ka mbledhur dje për herë të parë pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit Kryesinë e Partisë Socialiste dhe grupin parlamentar të kësaj force politike. Dy vendimet kryesore të marra në dy forumet e larta të selisë rozë ishin zgjedhja e Gramoz Ruçit në postin e kreut të grupit të ri parlamentar socialist si edhe ngritja e grupit të punës për zgjedhjet në PS për kreun e ri të kësaj partie. Edhe pse mori mbështetjen e te gjithë anëtareve te kryesisë, Ruçi ka kërkuar që grupi parlamentar të vendosë me votim të fshehtë për kandidaturën e tij, ku në përfundim të votimit rezultoi që të gjithë deputetët prezent votuan pro kandidaturës së tij, e cila ishte edhe e vetmja kandidaturë e propozuar. Ndërkohë sa i përket grupit të punës, në vendimin e marrë nga kryesia theksohej: “Sipas statutit, mandati katër vjeçar i kryetarit të Partisë Socialiste është në përfundim, ndaj kryesia vendosi të ngrihet një grup pune që do të propozojë kohën e përshtatshme se kur do të zhvillohen zgjedhjet në parti”. Po ashtu në mbledhjen e djeshme është diskutuar edhe lidhur me ermin e ri të nënkryetarit të kuvendit, ku më të avantazhuarit mbeten anëtarët e kryesisë Namik Dokle, Arta Dade dhe Valentina Leskaj. Emri zyrtar për këtë post, përzgjedhja e kryesisë së grupit parlamentar si dhe përbërja e komisioneve parlamentare do të bëhen publike pas mbledhje së seancës së parë parlamentare. Ndërkohë që kryesocialisti i bëri të ditur anëtarëve të kryesisë dhe deputetëve socialistë vendimmarrjet për qeverinë e re si edhe ecurinë e programit qeverisës, ku tha se drafti po redaktohet gjerësisht për tu paraqitur në Kuvend. Sipas liderit të mazhorancës së re, megjithëse në Parlament do funksionojë 2 grupe parlamentare, ai i PS-së dhe ai i LSI-së, këto dy forca politike do të veprojnë si një trupë e vetme.

Qeverisja

Në fjalën e tij para grupit parlamentar socialist, kreu i PS-së paralajmëroi deputetët e tij si edhe ministrat socialistë të kabinetit të ri qeveritar se mos bien pre e presionit të punësimit. Rama siguroi se punësimi i qytetarëve ashtu dhe i administratës do të bëhet sipas kulturës së meritokracisë, teksa pohoi se do të ketë dënim penal maksimal për ata që marrin para nën dorë për një vend pune. “Unë e di se ju të gjithë ashtu sikurse unë jeni në presionin e njerëzve në kërkim të një pune, apo të kërkimit të një të drejte të moshuar në vite, apo të një mbështetje të munguar shumë gjatë. Ku presion do të vijë duke u rritur dhe duke u rritur duhet ë vijë përkujdesja jonë për të administruar me qetësi, presionin për punësim dhe liri dhe te drejta që i janë mohuar prej vitesh. Duhet ti gjejmë punëve të vendit njerëzit e duhur, jo miqve dhe kushërinjve t’ju gjejmë punë për vete në dëm të punëve të vendit dhe njerëzve të këtij vendi, në asnjë institucion nuk mund të ketë më bashkëshort dhe kushërinj të parë që marrin rrugën në të njëjtën bordero. Ndërsa, kush guxon të marrë para për të shitur vende pune ne duhet te kërkojmë dënimin penal maksimal”, – theksoi Rama. Në këtë kontekst, kreu i ardhshëm i ekzekutivit theksoi: “Do bëj gjithçka që kjo shumicë ta mbajë me nder dhe faqe të bardhë këtë përgjegjësi. Pres nga ju të bëni të njëjtën gjë në mënyrë që kjo shumicë të çojë para Shqipërinë, duke i kthyer popullin të drejtën e humbur. Duhet të presim nga drejtuesit e partisë në rrethe të bëjnë atë që do bëjmë ne vete”. Sipas kryesocialistit tani nis një etapë shumë e rëndësishme për të majtën dhe qeverinë e re, ku çdo i zgjedhur duhet të tregojë angazhimin maksimal për të përmbushur aspiratat e zgjedhësve. “Të mos harrojmë kush na e dha besimin dhe mos të ngatërrojmë detyrën me pushtetin, detyra është e jona, pushteti i zgjedhësve, i të gjithëve jo vetëm i atyre që na votuan. Jemi bashkë për ti bërë krenar zgjedhësit tanë për ne dhe për të fisnikëruar me sjelljen tonë politikën. Secili lypset për të merituar mandatin qeveritar pa harruar asnjë plagë të popullit. Mos bëni si ata. Ky është urdhër që nuk diskutohet, por zbatohet me përpikëri”, deklaroi Kryeministri i ardhshëm i vendit Edi Rama.

Zgjedhjet në PS

Socialistët do të hyjnë në zgjedhje për kreun e PS-së në fund të shtatorit, pasi data 26 e këtij muaji shënon ditën e mbarimit të mandatit të Edi Ramës si kryetar. Më 26 shtator 2009 Rama u përball me Maqo Lakrorin, ku fitoi me afro 90% të votave. Afrimi i datës 26 shtator i hap rrugë përgatitjes për zgjedhjet e reja në PS, pasi statuti i PS sanksionon se mandati i kryetarit të PS është 4 vjet. Asambleja Kombëtare, sipas Nenit 27 i Statutit të PS përcakton se kur vendi i kreut të partisë mbetet vakant. Duke u bazuar tek statuti i PS-së sa i9 përket procedurave të zgjedhjes së kreut të ri, do të jetë Asambleja Kombëtare forumi i parë që do të vihet në lëvizje me një mbledhje brenda 15 ditësh pas mbylljes së mandatit të Ramës. Më pas, brenda 30 ditësh ky organ thërret Kongresin për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të kryetarit të ri të partisë, që nuk duhet të jetë më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit. Edi Rama do rikandidojë për kryetar të PS dhe kjo do të jetë gara e tij e pestë dhe mandati i tij katërt.

 

Gara për kreun e PS-së

Braçe: E tepërt të sfidosh fituesin

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka komentuar fjalimin që Kryeministri i ardhshëm Edi Rama, mbajti në mbledhjen e grupit. “Dy çështje në fjalën e Kryeministrit të ri më bën përshtypje: E para, shteti është i qytetarëve dhe jo i partisë në pushtet, por kjo nuk do të thotë se do vazhdojë të jetë i partisë që ishte në pushtet; E plotë, korrekte, e ndershme dhe shumë e qartë për gjithkënd. E dyta: Të humburit na kanë lënë një libër tejet të trashë të marrëzisë, të mos e humbasim nga sytë që të mos biem në të njëjtin batak; mendoj se “libri i tyre” vlen edhe për të na kujtuar se, marrëzia si padrejtësi e paligjshmëri duhet ndëshkuar! Pra jo vetëm si modeli i batakut, të cilit duhet ti rrimë larg njëherë e përgjithnjë!”, – shkruante Braçe në rrjetin social Facebook. Ndërkohë i pyetur në rubrikën opinion në “News 24” nëse do të pranonte postin e nënkryetarit të grupit socialist, deputeti i PS-së tha: “Kur të bëhet propozimi natyrisht që nuk do t’i them jo asnjë detyre”. Sa i përket garës për kreun e ri të PS-së, Braçe tha se ajo do të jetë e hapur dhe do të zhvillohet me parimin një anëtar një votë, por sipas tij, është e tepërt të sfidosh fituesin, duke lënë të kuptohet se Edi Rama mund të jetë kandidati i vetëm në garë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency