Gëzim Saliu
Dorëzimi i mandatit, si do të veprojnë ministrat e PS-së dhe LSI-së
Mbledhja e së hënës e Parlamentit të ri përbën hapin e parë për konstituimin e plotë të qeverisë së re të majtë. 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit do të bëjnë betimin në seancën e nesërme, ku gjithashtu do të zgjidhet edhe Kryetari i Kuvendit, i cili sipas marrëveshjes PS-LSI do të jetë Ilir Meta. Më pas, Parlamenti i ri do të votojë qeverinë e re, e cila do t’i dërgohet Presidentit për ta dekretuar. Këtu nis faza tjetër e procesit, ku në bazë të asaj që ka bërë të ditur kreu i shtetit, dekretimi i qeverisë së re do të bëhet në zbatueshmëri të plotë me Kushtetutën, duke shmangur çdo vonesë. Por në të njëjtën kohë, Nishani ka theksuar se do të verifikojë integritetin dhe ligjshmërinë e propozimeve për emrat e ministrave, proces që kërkon konsulencën e institucioneve përkatëse. Nisur nga kjo, dekretimi i qeverisë së re mund të marrë më shumë kohë nga sa pritej, ku sipas burimeve pranë Presidencës datat më të mundshme janë mes 12 dhe 15 shtatorit, por nuk përjashtohet që ky afat të tejkalohet deri më datë 18. “Edhe për ministrat nuk do krijoj pengesa artificiale për dekretimin… Janë institucionet e shtetit shqiptar ato që verifikojnë integritetin, ligjshmërinë e propozimeve që vijnë nga forcat politike, aktualisht nga mazhoranca konkrete”, – ka pohuar Nishani. Më parë, procedura përcakton se Presidenti Nishani do t’i kërkojë kreut të partisë më të madhe në zgjedhje, kryesocialistit Rama, që të formojë qeverinë dhe më pas të nxjerrë dekretin. Pas dekretimit të qeverisë së re nga Kryetari i Shtetit, do të jetë parlamenti i ri që do të votojë kabinetin “Rama”, proces që nuk paraqet problematikë sa u përket numrave në Kuvend, pasi mazhoranca aktuale ka më shumë se minimumin e domosdoshëm prej 71 votash. Me votimin e qeverisë së re në Kuvend, anëtarët e Këshillit të Ministrave do të betohen më pas në Presidencë, në një ceremoni të posaçme. Ky hap shënon edhe nisjen zyrtare të detyrës nga ana e qeverisë së re e cila do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.
Ministrat
Sipas marrëveshjes PS-LSI, ministrat e rinj të kabinetit qeveritar do të heqin dorë nga mandati i deputetit i fituar në zgjedhjet e 23 qershorit. Deri më tani është konfirmuar fakti se vetëm pas votëbesimit të qeverisë së re në Kuvend do të nisë procedura për dorëzimin e mandatit nga ana e ministrave. Këta të fundit do t’i drejtohen individualisht me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për t’u dorëhequr si deputetë dhe më tej Parlamenti do të njoftojë KQZ-në për vakancën e krijuar. Por institucioni më i lartë zgjedhor e ka të pamundur të mandatojë 16 deputetët e rinj, për shkak të mungesës së kuorumin në KQZ, duke detyruar sërish mazhorancën të çojë çështjen e mandateve në Kolegjin Zgjedhor. Një zgjidhje në këtë mes mbetet edhe ajo që deri më tani është përfolur vetëm si alternativë zgjidhjeje, që ka të bëjë me rikthimin e anëtarëve të dorëhequr të KQZ-së në detyrë. Ky rikthim i tyre do të bënte të mundur efektivitetin e plotë të këtij organi, me mundësi për të marrë vendime me shumicë të cilësuar. Në rast të kundërt, mandatet do të shkojnë Kolegjin Zgjedhor, aty ku edhe u bë i mundur certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit. Nga ana tjetër, pritet që të majtët të ndjekin një skemë të mirëpërcaktuar lidhur me dorëheqjen e ministrave. Këta të fundit do të heqin dorë nga mandatet në periudha të ndryshme për të shmangur rrezikun e humbjes së shumicës parlamentare. Nëse ministrat do të dorëzonin mandatet në të njëjtin moment, atëherë mazhoranca do të reduktohej në 67 vota dhe në rast se e djathta do të braktiste seancën parlamentare, atëherë do të mungonte kuorumi i nevojshëm prej 71 deputetësh për të zhvilluar normalisht punimet kuvendore.
Verifikimi i mandateve të deputetëve
Pas zgjedhjes së Kryetarit të ri Kuvendit, në kuvend nis procedura e verifikimit të mandateve të deputetëve të zgjedhur, që kryhet nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Ky komision, pasi shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, brenda dy ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve. Në rast se komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, ku zotohen për kryerjen me ndërgjegje të detyrës si përfaqësues të popullit në Kuvend.
Ministrat që do të dorëhiqen
Shkëlqim Cani: Ministria e Financave
Ditmir Bushati: Ministria e Jashtme
Klajda Gjosha: Ministria e Integrimit Evropian
Saimir Tahiri: Ministria e Brendshme
Mimi Kodheli: Ministria e Mbrojtjes
Nasip Naço: Ministria e Drejtësisë
Ilir Beqja: Ministria e Shëndetësisë
Arben Ahmetaj: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Damian Gjiknuri: Ministria e Energjisë dhe Industrisë
Eglantina Gjermeni: Ministria e Zhvillimit Urban
Edmond Haxhinasto: Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës
Lindita Nikolli: Ministria e Arsimit dhe Sportit
Edmond Panariti: Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave
Erjon Veliaj: Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Mirela Kumbaro: Ministria e Kulturës
Lefter Koka: Ministria e Mjedisit
Dorëheqja e ministrave
Kush do të marrë mandatin e deputetit
Partia Socialiste
Tiranë
Dorëzon mandatin- Saimir Tahiri, Lindita Nikolli, Milena Harito dhe Ditmir Bushati
Zëvendësohen nga- Ervin Bushati, Enkelejda Shkreli, Blerina Gjylameti dhe Bledar Doracaj
Fier
Dorëzon mandatin- Eglantina Gjermeni dhe Ilirjan Celibashi
Zëvendësohen nga- Adelina Rista dhe Anduel Xhindi
Lezhë
Dorëzon mandatin-Mimi Kodheli
Zëvendësohet nga- Mejreme Delishi
Dibër
Dorëzon mandatin- Shkëlqim Cani
Zëvendësohet nga- Hasan Ceni
Durrës
Dorëzon mandatin- Ilir Beqja
Zëvendësohet nga- Shkëlqim Troplini
Elbasan
Dorëzon mandatin-Damian Gjiknuri
Zëvendësohet nga – Arben Kamami
Gjirokastër
Dorëzon mandatin – Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj
Zëvendësohen nga – Vladimir Kosta dhe Dashamir Kamberi
Lëvizja Socialiste për Integrim
Tiranë
Dorëzon mandatin Klajda Gjosha
Zëvendësohet nga- Kejdi Mehmetaj
Elbasan
Dorëzon mandatin – Edmond Haxhinasto
Zëvendësohet nga – Miranda Rira
Dorëzon mandatin – Lefter Koka
Zëvendësohet nga – Bujar Derveni
Berat
Dorëzon mandatin -Nasip Naco
Zëvendësohet nga – Selfo Kapllani