Ina Jano
E djathta kërkon kohë për të marrë në shqyrtim programin qeverisës dhe i bën thirrje mazhorancës që të mos mbajë qëndrim arrogant
Kreu i PD-së: Komunikimi konfliktual, refuzimi për të kryer transparencën është një shenjë e keqe dhe fillim jo i mbarë
Kryetari i Partisë Demokratike, zoti Lulzim Basha, ka thirrur pasditen e djeshme në takim aleatët e tij, me të cilët ka diskutuar qëndrimin që e djathta do të mbajë në lidhje me leximin në Kuvend ditën e sotme të programit qeverisës të paraqitur nga PS. Pas zërave kritikë në media, për një përçarje të opozitës që lidhje më votimin e tetë deputetëve të djathtë pro kandidaturës së zotit Meta për Kryetar të Kuvendit, kreu i demokratëve u shfaq në konferencën për shtyp i rrethuar nga aleatët e tij për të bërë publik qëndrimin e opozitës së bashkuar. Zoti Basha, pas takimit 30-minutësh me aleatët e tij: zotin Nard Ndoka, Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Shehin, në konferencën për mediat i bëri thirrje Kryeministrit Rama dhe mazhorancës së re të tërhiqen nga qëndrimi arrogant dhe konfliktual ndaj opozitës dhe të bëjnë transparencën e plotë të programit.
Takimi me aleatët
“Patëm një takim me aleatët e PD-së, me të cilët diskutuam disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit të aktivitetit tonë si opozitë parlamentare dhe më gjerë. Në krye të diskutimeve ka qenë problemi në raport me punimet e Kuvendit paraditen e sotme, konstituimi i plotë i tij dhe i qeverisë së re. Opozita del me një qëndrim të unifikuar, që ka të bëjë me një nga interesat më themelore, interesi për transparencë dhe llogaridhënie me pushtetin e zgjedhur. Sjellja arrogante e mazhorancës është një problem i çdo qytetari shqiptar. Konstatojmë një mungesë të theksuar serioziteti tek Kryeministri i dekretuar, ka marrë për më shumë se një muaj kohë publike për të ndërtuar çdo lloj emërtimesh, konferenca, dreka dhe darka pa bërë transparencë për publikun. Kjo përkthehet në një programim të shkatërrimit të transparencës, përmes mungesës së programit të qeverisë. Çdo qytetar është kurioz të dijë se çfarë qëndrimesh do mbajë kabineti në raport me premtimet e bëra, si do bëhen legalizimet falas, shëndetësia, falas, heqja e TVSH, heqja e taksave për 95% të shqiptarëve?”, – tha kreu i PD, Lulzim Basha. Kreu i PD-së ka risjellë edhe një herë në vëmendje fjalimin e Kryeparlamentarit të ri Ilir Meta, ku sipas tij, të gjitha ato zotime për gjithëpërfshirje u fshinë në takimin e kryetarëve të grupeve parlamentare. “Komunikimi konfliktual, refuzimi për të kryer transparencën është një shenje e keqe dhe një fillim jo i mbarë. Që në momentin e parë po i iket në mënyrë të turpshme këtij detyrimi për transparencë. Sot në Parlament gjatë paradites u fol për këto vlera, ndërsa pasdite gjuha e vjetër konfliktuale u zgjodh për të komunikuar me opozitën, ndërsa kjo e fundit kërkoi diçka krejt normale, kohën e nevojshme për t’u njohur me programin. Komunikimi konfliktual, refuzimi për të kryer transparencën është një shenje e keqe dhe fillim jo i mbarë”, – tha Basha.
Duke shpresuar në gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes palëve, Basha ka kërkuar edhe një herë nga mazhoranca e re kohën e nevojshme për shqyrtimin e programit nga ana e deputetëve të opozitës. Në të kundërt, ai paralajmëroi se opozita në një qëndrim të njësuar do të jetë e gatshme të ndërmarrë çdo veprim në mbrojtje të parimit të shenjtë të llogaridhënies dhe kontrollit parlamentar. “U themi të tërhiqen sa nuk janë vonë nga këto qëndrime që nuk përfaqësojnë BE-në. Nëse nuk reflektojnë lidhur me qëndrimin e papranueshëm në raport me programin e tyre, opozita do të ndërmarrë çdo veprim. Përgjegjësia është e tëra e mazhorancës, bëjmë thirrje të shmanget konfliktualiteti dhe provokimet, të sigurohet koha e nevojshme e barabartë që kjo opozitë i ka dhënë në kohën kur ishte mazhorancë asaj opozite. Qëndrim i unifikuar do të thotë se jemi gati të ndërmarrim çdo veprim për të mbrojtur parimin e shenjtë të llogaridhënies dhe kontrollit parlamentar, për të përdorur çdo mjet të ligjshëm. Shpresoj të gjendet gjuha e nevojshme”, – deklaroi Basha. Interesit të medias lidhur me rrjedhjen e 8 votave nga opozita dhe kryesisht grupi i PD-së në zgjedhjen e Ilir Metës si Kryetar Kuvendi, pasi aleatët Idrizi, Mediu dhe Ndoka me përjashtim të Shehit deklaruan se kanë votuar kundër, Basha nuk ka preferuar asnjë koment, pasi, sipas tij, në lidhje me çështjen është prononcuar vetë kreu i grupit parlamentar, Paloka.
Greva e ish-Kryeministrit
Berisha: Standardi i Piktorit dhe neobllokmenëve, “program pa debat”
I ndodhur në një grevë 24-orëshe, ish-Kryeministri Sali Berisha ka preferuar të shprehë qëndrimin e vet në Facebook. Berisha në komentin e tij deklaron se kreu i mazhorancës së premtimeve antiglobaliste po vendos të njëjtin standard me neobllokmenët, “tmerr nga debati me opozitën, pra, program pa debat!” “Të dashur miq, sot (dje) kreu i mazhorancës së premtimeve antiglobaliste, drogës dhe parave të krimit, tregoi se ka tmerr nga debati. Ndaj dhe kërkon të paraqesë në Parlament, fshehtas, programin e qeverisë së tij pa jua dorëzuar për ta lexuar paraprakisht, deri në këtë moment, deputeteve të opozitës. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e një Parlamenti të lirë. Nuk po përmend vitin 2009, se PS-ja nuk hyri në Parlament fare, por në vitin 2005 ne e dorëzuam programin e qeverisë deputetëve më datë 6 shtator. Opozita pasi u njoh me të beri 700 pyetje. Debati u zhvillua me dt 9 -10 shtator”, – shkruan ai. Kjo situatë, sipas Berishës, vjen si rezultat pasi neobllokmenët, siç edhe ai i cilëson, kane tmerr nga megamashtrimet e tyre programore. Reagimi i zotit Berisha vjen në një kohë kur në arenën e politikës shqiptare ka një kakofoni në lidhje me çështjen e programit qeverisës.
Mbledhja e grupit
PD vendos masa drastike, nëse nuk i jepet kohë për shqyrtim
Menjëherë pasi është mbyllur seanca parlamentare, kreu i PD-së ka thirrur një mbledhje me deputetët e selisë blu, për të diskutuar për qëndrimin që do të mbajë kjo forcë politike në lidhje me programin qeverisës. Edhe pse ishte një mbledhje që u zhvillua pa praninë e medias, burimet konfirmojnë se, në fakt, nuk ka pasur diskutime dhe të gjithë deputetët kanë qenë dakord që data për diskutimin e programit duhet të shtyhet për t’u lënë atyre më shumë kohë që të përgatiten për debat. Në përfundim të mbledhjes pati një vendim të grupit që u shoqërua me një deklaratë nga zoti Edi Paloka dhe po ashtu edhe nga vetë kreu i PD-së, zoti Basha. “Kjo është mazhoranca e cila në opozitë ka kërkuar dhe ka marrë deri në 10 ditë për çështje të tilla si takometrat, aparate mat dhe që sot u mohon qytetarëve shqiptarë të drejtën e tyre kushtetuese dhe legjitime për të dëgjuar një debat, një rrahje mendimesh midis të zgjedhurve të tyre, mbi çfarë ata propozojnë se do të jetë qeverisja e tyre dhe çfarë të zgjedhurit e opozitës shqiptare kanë për të pyetur dhe parashtruar në raport me këtë program. Sepse nuk ka asnjë shpjegim tjetër se si në mënyrë absurde ata që kanë marrë me javë të tëra vendime shumë më të thjeshta të ligjeve apo të Parlamentit në tërësi, sot janë të pagatshëm dhe i mohojnë opozitës kohën më minimale që ka qenë praktikë në çdo legjislaturë për tu njohur me programin e qeverisë i cili deri në këto moment mbetet një mister i madh”, – tha Basha. Ai i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Kryetarit të ri të Kuvendit t’u qëndrojë besnik fjalëve që ai tha në fjalimin hapës. Gjithashtu, zoti Basha tha se minimalisht duhet vendosur standardi që ka qenë më parë në Kuvend. Duke iu drejtuar Metës ai tha: “Të rivendosë, nëse jo një standard të ri, të përmirësuar sikundër premtoi, të paktën standardin e premtuar deri tani duke i dhënë kohën e nevojshme Parlamentit dhe opozitës për t’u njohur me programin dhe për të përgatitur një debat dinjitoz dhe transparent mbi programin e paraqitur. Në të kundërt, kjo situatë është e papranueshme dhe ne do të marrim të gjitha masat që na takojnë si përfaqësues të denjë të opozitës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë dhe si mbrojtëse e virtyteve thelbësore të opozitës që janë transparenca dhe llogaridhënia”.