Ina Jano
Hapat e ardhshëm të qeverisë së re; brenda 10 ditëve, Rama paraqet programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij
Parlamenti do të mblidhet sot për të tretën ditë radhazi për të kaluar në shqyrtim programin qeverisës që përbëhet nga disa dhjetëra faqe dhe që do t’u lexohet deputetëve të Kuvendit nga Kryeministri Edi Rama. Megjithatë, pritet që kjo të mos jetë një seancë e qetë, për shkak se me një vendim të njësuar të grupit parlamentar demokrat që kërkon shtyrjen e seancës. Partia Socialiste kërkon që ta kalojë vetëm në votim këtë program qeverisës, duke mos i dhënë mundësi opozitës që të bëjë një shqyrtim dhe për të pasur një debat dhe diskutim normal në Parlament me pyetje dhe përgjigje nga të dyja palët. Programi i qeverisë së majtë është fryt i punës së një grupi pune nga radhët e dy partive në qeverisje, PS-LSI, i cili bashkërendoi dy programet e forcave më të mëdha të koalicionit “Aleanca për Shqipëri në Evropiane”, me qëllim një bashkëqeverisje më të mirë.
Dorëzimi i programit vjen pasi kreu i shtetit takoi dje Kryeministrin e propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, duke e ngarkuar me detyrën e krijimit të Qeverisë së re. Pas emërimit nga ana e Presidentit, Rama dhe kabineti i ri qeverisës, do të votohet në Kuvend.
Presidenca
Rreth pasdites Presidenca zbardhi dekretin ku Edi Rama emërohet Kryeministër dhe ngarkohet për krijimin e qeverisë së re. Në njoftimin për shtyp të Presidencës, theksohet se bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të njëjta për vijimësinë e bashkëpunimit institucional. “Në bazë të propozimit të paraqitur nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi sot (dje) emërimin e zotit Edi Rama si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe e ngarkoi atë me formimin e qeverisë së re. Gjatë takimit Presidenti Nishani i uroi zotit Rama punë të mbarë në detyrën e tij. Të dy bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të njëjta për vijimësinë e bashkëpunimit institucional”. Pas emërimit nga ana e Presidentit, Rama dhe kabineti i ri qeverisës, do të votohet në Kuvend. Takimi Rama-Nishani u zhvillua një orë para fillimit të seancës plenare të Kuvendit. Nishani i ka dorëzuar Ramës dokumentin e dekretit te Kryeministrit të ri të vendit ku shkruhej:
“Neni 1
Zoti Edi Rama emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Presidenti i Republikës”
Takimi zgjati rreth 30 minuta dhe në orën 10 e 40 minuta, Rama la godinën e Presidencës për t’iu drejtuar godinës së Kuvendit.
Kushtetuta
Kushtetuta bën të qartë rrugët dhe afatet ligjore brenda së cilës duhet të bëhet rotacioni politik nga PD-ja tek PS-ja, konkretisht si formohet qeveria e re. Në kapitullin e pestë të Kushtetutës është përcaktuar mënyra se si formohet Këshilli i Ministrave. Neni 95 i ligjit themeltar të shtetit shqiptar përcakton se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore”.
Në një nen më poshtë përcakton procedurën e formimit të qeverisë së re. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, – thuhet në nenin 96 të Kushtetutës. Mbi bazën e kësaj prerogative, partia ose koalicioni fitues duhet t’i propozojë kreut të shtetit emrin e Kryeministrit të ri, tashmë të përcaktuar, Edi Rama. Pra, Partia Socialiste, si kryesuese e koalicionit të majtë, do t’i propozojë emrin e Ramës për Kryeministër. Pas këtij veprimi, emri i Kryeministrit duhet të kalojë provën në Kuvend, së bashku me programin politik dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emrat e ministrave, që pritet të ndodhë në seancën e sotme. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, – thuhet në nenin 97 të Kushtetutës.
Dje në Kuvend
Mblidhen krerët e grupeve parlamentare
Menjëherë sapo Ilir Meta është zgjedhur Kryetar i Parlamentit, ai ka thirrur krerët e grupeve parlamentare për të diskutuar për punimet e Kuvendit dhe hapat që do të ndiqen më tej. Pikërisht me propozim të Gramoz Ruçit, kreut kuvendor të PS-së është vendosur që Parlamenti sot të mblidhet në seancë plenare në orën 11.00, propozim ky që është kundërshtuar nga zoti Paloka, i cili ka shprehur rezervat e tij në lidhje me kohën e ofruar nga PS për të shqyrtuar këtë program dhe që ndërkohë u publikua vetëm mbrëmë pas orës 19:30. Zoti Paloka akuzoi kreun e grupit të PS-së Gramoz Ruçi për arrogancë ndërsa theksoi se opozita nuk do të pranojë këtë mënyrë komunikimi. “Në mbledhjen e krerëve të grupeve parlamentare unë kërkova që grupit të PD-së t`i jepet një kohë më e gjatë për tu njohur me programin qeverisës, në mënyrë që shqiptarët të njihen me qëndrimet e të gjtiha palëve lidhur me atë që është më e rëndësishme për një parlament. Por Ruçi në mënyrë absolute dhe me arrogancë të plotë deklaroi që nuk është në tagrin e PD për të vendosur se kur do të bëhet debati, juve ju kemi thirrur thjesht për të diskutuar se sa kohë doni të flisni, këto janë metodat e vjetra, edhe pse u fol për tolerancë. Vendimet do merren në vazhdim, do bisedoj me Metën për ti bërë të qartë vendimin e grupit, nëse Ruçi do vazhdojë me qëndrimin arrogant”, – tha Paloka. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili theksoi se vendi pret qeverinë e re, teksa e ka cilësuar debatin për programin qeverisës ‘furtunë’ në gotë, pasi më parë PD sipas tij duhet të njihet me programin pastaj ta kundërshtojë. “Teknikalitete të sëmura që shkojnë në dëm të interesave nuk mund të bëhet. Opozita mund të bëjë orë të tëra debat pasi të lexojë programin. Humbja e kohës më duket e varfër. Me thënë të drejtën për ata që kanë eksperiencë të gjatë në politikë, është furtunë në gotë. Ka pak element për të ngjizur një konflikt. Basha tha se qytetarët duan të dëgjojnë mendimin e opozitës nuk e pengon kush. Në rast se opozita përtacinë tenton ta kthejë në taktikë politike, na çon në hudhi. Opozita duhet të shkojë në Parlament mund të mos jetë asnjë gram me atë, por ne bëjmë thirrje që të lërë parazitizmin, pasi shqiptarët presin të kenë një qeveri të re. I gjithë ky debat është i kotë kur nuk ka pasur tension. Zoti Meta nuk kërkoi asgjë të veçantë. Kërkoi që në frymën e mirëkuptimit të mos humbasim kohë, ndaj kërkohet impenjim i deputetëve”, – theksoi Vasili.
Reagimi
Doda: Votëbesimi i shpejtë i qeverisë, arrogancë e qeverisjes
Diskutimi i programit të qeverisë “Rama” në Kuvend ka shkaktuar një reagim të përgjithshëm në radhët e demokratëve. Pas deklaratave refuzuese të krerëve të PD-së dhe Grupit Parlamentar të saj, Bashës e Palokës, që kërkojnë shtyrjen e diskutimit për më vonë, vjen edhe një tjetër nga grupi parlamentar i kësaj partie, nga deputetja Mesila Doda. Kjo e fundit e konsideron “arrogancë shtetërore”, kërkesën e të majtëve për votëbesimin e Qeverisë dhe Programit që në ditët e para. “Sot hasëm shprehjen e parë të arrogancës së mazhorancës socialiste, që po kërkon votëbesimin e qeverisë dhe programit të saj pa lënë asnjë ditë kohë për opozitën që të marrë në dorëzim programin qeverisës”, – shkruan Doda në Fb, – “kohë që ta analizojë dhe t’i nënshtrohet një debati dhe diskutimi të thellë. Druaj se do kemi shumë e shumë momente të tjera”, – përfundon ajo.