Hetim dy punonjësve të gjykatës vodhën 8 milionë lekë nga pullat

0
158

Elton Qyno

Kryesekretari dhe sekretarja taksën e regjistrimit të padive e vidhnin duke mashtruar me pulla

Prokuroria nis hetimet, shkarkohen Shaban Dedja dhe Mine Lami. Zbardhet mekanizmi i abuzimit

 

elbasan-godina-e-gjykateKryesekretari dhe sekretarja e Gjykatës së Elbasanin kishin zbuluar një mekanizëm të sofistikuar për të përfituar para nga pullat fiskale të gjykatës. Shaban Dedja me detyrë kryesekretar dhe sekretarja Mine Lami përdornin pullat e taksimit që ngjiten tek paditë e depozituara nga qytetarët dhe më pas paratë që merrnin nuk i derdhnin në arkën financiare të gjykatës ku punonin, por ato i merrnin vetë. Për sigurimin e numrit të pullave ishte gjetur një zgjidhje, pasi ato hiqeshin nga paditë e vjetra që ndodheshin të arkivuara në arkivin e Gjykatës së Elbasanit dhe më pas ripërdoreshin sërish. Një skemë e tillë ka vijuar në një periudhë kohe për rreth 2 vjet, ku sipas një bilanci paraprak i është shkaktuar një dëm shtetit prej 8 milionë lekësh të vjetra. Momentalisht, kryesekretari dhe sekretarja janë pezulluar nga puna, ndërkohë që ndaj tyre prokuroria ka paraqitur një kërkesë në gjykatë, për “Pezullim të ushtrimit të funksionit publik”. Aktualisht kjo kërkesë është miratuar dhe se të dy zyrtarët e sistemit të drejtësisë do të vihen në shërbim të hetimit.

Zbulimi i rastit

Askush nuk ka menduar gjatë periudhës 2-vjeçare se dy punonjësit e gjykatës vidhnin shuma të mëdha, falë pozicionit të tyre teksa regjistronin paditë civile por edhe ato penalë të qytetarëve të ndryshëm. Ka mjaftuar një kontroll financiar për shkak të mospërputhjes së lekëve me vulat financiare që viheshin në dispozicion nga gjykata. Dyshimet menjëherë kanë rënë mbi dy njerëzit kryesorë që ishin ngarkuar me këtë punë. Gjatë bilancit, u arrit në konkluzionin se mungonte një sasi e madhe lekësh që shkon në shifrën 8 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që në disa raste janë gjetur të administruara dhe pulla fiskale të vjetra. Menjëherë pas kësaj, është vendosur të kontrollohen dosje në arkiv, ku ka rezultuar se në disa prej tyre mungonin pullat. Kjo ka bërë që drejtuesit e gjykatës të dyshonin direkt tek Shaban Dedja dhe Mine Lami, të cilët pasi janë pyetur kanë mohuar faktin që mund të jenë përfshirë në një veprimtari të tillë kriminale. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e gjykatës kanë vënë në dijeni prokurorin e rrethit Gentian Osmani, i cili më pas ka urdhëruar të fillojë hetimet për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.

Mekanizmi i vjedhjes

Çdo person që bën një kërkesë-padi pranë gjykatës duhet të paguajë një taksë gjyqësore që varion nga 92 mijë lekë deri në 120 mijë lekë të vjetra, për të vendosur në dosje një pullë me numër serial. Këtë pullë, kryesekretari në bashkëpunim më sekretaren e tij e hiqnin nga dosjet e vjetra të arkivuara më parë në gjykatë dhe ua vendosnin dosjeve të reja, duke i lënë dosjet e vjetra pa pullë, ndërsa paratë që mblidheshin për pullat e reja i përfitonin vetë dy punonjësit. Tashmë Prokuroria e Elbasanit është duke hetuar për zbulimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë veprimtari kriminale. Ndërkohë, është tërhequr nga arkiva një material shumë i madh me dosje, të cilat u mungonin pullat fiskale. Pritet që në ditët në vijim, prokuroria të thërrasë në pyetje dhe dy zyrtarët e Gjykatës së Elbasanit për të dhënë sqarime lidhur me këtë çështje.

 

Simon Leka, i dënuar me 10 vjet për akuzën e vrasjes

Plagosi 36-vjeçarin në zonën e Alliasit “Shqiponja” prangos në lokal Simon Lekën

Policia e Tiranës ka vënë në pranga autorin e dyshuar për plagosjen e 36-vjeçarit Erjon Çoba, më 29 gusht në afërsi të Alliasit në Tiranë. 32-vjeçari Simon Leka, i cili ishte shpallur në kërkim nga blutë u arrestua nga seksioni i patrullës “Shqiponja”, në një lokal në kryeqytet, ku ka tentuar ti bëjë rezistencë policisë. Ngjarja u shënua më 29 gusht, ku 36-vjeçari Çoba taksa udhëtonte me motor drejt banesës së tij pranë zonës së Alliasit në kryeqytet është takuar me Lekën dhe pas një debati mes të dy palëve për shkak një borxhi të pashlyer, Simon Leka ka hapur zjarr duke plagosur Erion Çobën. Burime nga policia e Tiranë bëjnë me dije se 32-vjeçari, Simon Leka, ka qenë i dënuar me 10 vite burg për një vrasje në Mirditë, ndërkohë që është liruar nga burgu para dy viteve. Para disa kohësh ai është arrestuar nga policia e Lezhës dhe po nga prokuroria e këtij qyteti është dënuar me disa muaj burg për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve luftarake. Ndërkohë që Simon Leka, rezulton person me rrezikshmëri të lartë në shoqëri. Sipas policisë së Tiranës, shkak i plagosjes së rëndë të 36-vjeçarit ka qenë një borxh i pashlyer dhe për pasojë Simon Leka i ka zënë pritë, Çobën në një rrugicë, duke e qëlluar me pistoletë. Momentalisht Çoba, ndodhet i shtruar në spitalin Ushtarak,pasi një nga plumbat i ka prekur mëlçinë.

 

 

Kakavijë

Bllokohet 1 kg kokainë, pranga korrierit

Policia e Kakavijës ka sekuestruar 1 kg kokainë të pastër ndërsa ka arrestuar edhe poseduesin e drogës. Burime nga policia bëjnë me dije se droga u gjet gjatë kontrollit në makinën me targa AA 308 DR, e cila drejtohej nga 45-vjeçari Durim Gjojdeshi i cili u arrestua nga policia. Sipas policisë droga e paketuar u gjet e fshehur në sediljen e pasme të makinës tip “Mercedes-Benz” që drejtohej nga 45-vjeçari. Mësohet se 45-vjeçari Gjojdeshi nga Libofsha e Fierit do ta transportonte drogën drejt shtetit fqinj, Greqisë. Ndërkohë grupi hetimor po vijon verifikimet për të mësuar persona të ndryshëm që janë përfshirë në këtë trafik të lëndëve narkotike midis Shqipërisë dhe Greqisë.

 

Kryeprokurori

Llalla, takim me homologun anglez

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka zhvilluar një takim me homologun britanik Dominic Grieve, ku është biseduar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh. Përmes një deklarate për mediat, prokuroria bën me dije së më shumë është folur sa i përket bashkëpunimit mbi krimet që bëjnë shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar. Takimi është zhvilluar në Moskë, gjatë punimeve të Konferencës së 18-të të Takimit Vjetor të Prokurorëve të Përgjithshëm. ”Z. Llalla e garantoi prokurorin e Përgjithshëm britanik se autoritetet e drejtësisë shqiptare do të vijojnë me vendosmëri bashkëpunimin, sidomos në ekstradimin e shtetasve shqiptarë të dënuar ne Angli dhe për të cilët është urdhëruar kërkimi ndërkombëtar, si edhe në transferimin e shtetasve shqiptare, të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë në Britaninë e Madhe dhe në Uells”, – thuhet në deklaratën për shtyp.

 

Vrasja, Durrës

Kapen tre autorët e dyshuar të krimit

Policia e Durrësit ka bërë arrestimin e tre personave, të dyshuar si autorët e ngjarjes të së dielës ku u vra një 28-vjeçar. Burimet policore bëjnë me dije se u krye ndalimi i shtetasve: Alfred Gjoka 21 vjeç, Baki Huqi 46 vjeç dhe Erjon Muharremi, pasi kanë qenë pjesëmarrës në vrasjen e Festim Lamas. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Radë të Manzës, ndërsa policia ka dhënë më shumë detaje sa i përket rrethanave të krimit, duke thënë se gjithçka ndodhi pas një sherri në një lokal. Viktima dhe disa miqtë e tij kanë qenë në një lokal me muzikë “live” dhe aty kanë ngacmuar një femër dhe më pas pati debate me disa persona të tjerë të pranishëm, ku njëri prej tyre ka marrë një kallashnikov dhe në momentin që 28-vjeçari po largohej nga ambientet e lokalit e ka qëlluar me breshëri. Më pas autori është larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë armën e krimit në vendngjarje. Mësohet se ai është identifikuar dhe tani po punohet për arrestimin.