Datat për provimet e vjeshtës
Kush është kalues, plotëson formularin A3
Pesë mijë maturantë do të kenë mundësinë e fundit për të qenë kalues në provimet e Maturës Shtetërore 2013. Në sesionin e dytë, provimet e Maturës Shtetërore fillojnë në orën 9:00. Ndërsa kandidatët që do të japin provim njërën nga lëndët me zgjedhje, do të hyjnë në provim në orën 10:00. Ministria e Arsimit bën me dije se pjesa më e madhe e kandidatëve mbetës janë regjistruar, ndërkohë që një pjesë e tyre nuk kanë shfaqur interes. Nëse kandidatët arrijnë të jenë kalues në provimet e vjeshtës, do të kenë mundësi të plotësojnë formularin A3 në muajin tetor.
Testi
Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative që vlerësohen me 13 pikë, ndërsa 12 pyetje me zhvillim që në total grumbullojnë 37 pikë. Provimet e lëndëve të detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Sipas udhëzimit, testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 do të jenë me përgjigje alternative me 10 pikë në total, kurse 10 pyetje do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Sipas rregullave për vjeshtën, testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative dhe do të vlerësohen me 10 pikë, kurse 10 pyetje do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Ndryshe nga testet me detyrim, ato me zgjedhje do të zhvillohen për 3 orë.
Kush merr pjesë
-Maturantët dhe kandidatët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime të maturës shtetërore gjatë sezonit të parë të provimeve që u zhvillua në muajin qershor.
-Maturantët që rezultuan mbetës në vitin e fundit të shkollës së mesme, në një nga lëndët mësimore, të cilën duhet ta fitojnë në datat 4 dhe 6 shtator, për të dhënë më pas provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të maturës në datat e përcaktuara 17, 19 dhe 21 shtator.
-Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2013, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore dhe që për arsye të ndryshme nuk kanë plotësuar as formularin A1Z.
-Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore në Komisionin e posaçëm të ngritur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Datat
Datat në të cilat do të zhvillohen provimet e maturës për vjeshtën
Gjuha shqipe dhe letërsia 17 shtator 2013
Matematika 19 shtator 2013
Provimet me zgjedhje 21 shtator 2013
AKKP pezullon shpërblimin për disa pronarë, ja emrat
Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave mori vendim ditën e djeshme për pezullimin e shpërblimit për disa pronarë. Pezullimi, sipas AKKP-së, bëhet për çështje administrative dhe për shkelje nga ana e pronarëve. “Nga hetimi administrativ dhe konfirmimet me institucionet e treta, ZVRPP Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t, në lidhje me përcaktimin e saktë të subjekteve përfitues sipas VKM 514/2012, ka rezultuar se ka shkaqe të arsyeshme për pezullimin e procedurave administrative të kërkesave të subjekteve, prona e të cilave është prekur nga ndërtimet pa leje, sipas listës bashkëngjitur. Meqenëse marrja e një vendimi përfundimtar në lidhje me kërkesat e subjekteve varet nga amendimi i VKM nr. 514/2012 “Për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, prone private, që preken nga ndërtimet informale”, AKKP, në zbatim të nenit 23 të Kodit të Procedurave Administrative nuk mund të vazhdojë procedimin e mëtejshëm për trajtimin e kërkesave me këstin e pare të dytë, të tretë dhe të katërt në masën 57 % të vlerës totale të miratuar me VKM-në përkatëse për bashkëpronarët Heba”, – thuhet në njoftimin e AKKp-së. Bazuar ne sa me sipër, në zbatim të nenit 23 “Për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”: U vendos:
– Pezullimi i procedurës administrative për shqyrtimin e 3 kërkesave të subjekteve, të cilët do
të kompensohen (shpërblehen), për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale deri në amendimin e VKM 514/2012.
– Ngarkohet Sektori i Vlerësimit dhe Shpërndarjes së Kompensimit dhe Zyra e Teknologjisë dhe Informacionit për publikimin e kërkesave të pezulluara.
Bektashizmi në Shqipëri
Përkujtohet misioni i parë i Sari Salltëkut në hapësirat ballkanike
Kryegjyshata Botërore Bektashiane përkujton misionin e parë bektashi në hapësirat ballkanike. Bëhen 750 vjet qysh kur misionari Sari Salltëk përshkoi rajonin dhe u ndal në disa treva në Shqipëri për të përhapur besimin në urdhrin e Haxhi Bektashit.
Burimet historike i identifikojnë fillimet e bektashizmit në gjysmën e dytë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, por klerikët që përdorin gjuhën e legjendës i vendosin kufijtë në fillim të shekullit të 14. Legjenda thotë se Sari Salltëku, për shkak të kohëve të trazuara, erdhi në Ballkan i maskuar si murg i krishterë, në fillim të shekullit të 14, duke përshkuar disa nga qytetet kryesore, Shkupin, Ohrin, Krujën, Janinën. Në dokumentarin “Fillimet e Islamit dhe të bektashizmit në Shqipëri” që u shfaq për të ftuarit e komuniteteve fetare nga Shqipëria dhe rajoni, prezantohen vende të shenjta dervishësh, në disa zona të Shqipërisë që tregon për shtrirjen e gjerë që ka pasur urdhri mistik nga Gjirokastra në Shkodër në shekullin e 17.
Dëshmitë simbolike të një qendre të rëndësishme të bektashizmit i gjejmë në Krujë, gurët e varreve të shtatëqindës dhe teqe të vogla.
Shqipëria u njoh si qendër e bektashizmit botëror në vitin 1925 dhe brenda pak viteve numri i bektashinjve arriti në 200.000.
Tokat ku do të kalojë TAP
Një kompani holandeze është kontraktuar nga konsorciumi që do të ndërtojë gazsjellësin Trans-Adriatik për të zhvilluar negociatat me pronarët e tokave ku kalon projekti. Drejtuesit e TAP i kanë kërkuar kompanisë holandeze të dërgojë menjëherë në Shqipëri, Itali dhe Greqi 200 punonjës, të cilët fillimisht do të kontaktojnë me të gjithë pronarët e tokave, ku kalon gazsjellësi. Paralelisht kompania do të kryejë verifikimin e hollësishëm të të dhënave kadastrale për të identifikuar pronarët legjitimë të pronave. Sipas konsorciumit, pas përfundimit të kësaj faze në fillim të vitit 2014, TAP do të nisë nënshkrimin e marrëveshjeve individuale me pronarët për blerjen ose marrjen me qira të pronave, ku do të kalojnë tubacionet dhe ndërtohen objektet e projektit. Ndërtimi i gazsjellësit është parashikuar të nisë në vitin 2015 dhe të përfundojë në janar të 2019-s. Sipas projektit tashmë të përfunduar, në Shqipëri tubacioni do të kalojë nëpër 38 komuna dhe bashki të vendit, ku përfshihen bashkia e Beratit ajo e Durrësit, si dhe një sërë bashkish të vogla dhe komunash, të shtrira në disa rrethe.