Artan Fuga
E duruam fushatën e stërzgjatur politike si qytetarë, edhe pse ajo nuk ka asnjë të mirë dhe dobi kur bëhet tërkuzë. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, e vërteta është se qytetari mori edhe një dush tjetër propagande, teatralizimi, inskenimi politik, të cilët po vazhdojnë. Askush s’ka asgjë me politikën, por kur politika zëvendëson të gjitha format e tjera të mendimit dhe aksionit publik, atëherë gjithçka ka rrezik të rrokulliset.
Ata që mendonin se pas 23 qershorit politika do të hynte në kostumin e vet të ngushtë, u gabuan dhe po gabohen rëndë. Politika si dramatizim dhe teatralizim po vazhdon dhe menaxherët, ekspertët, teknikët, administratorët, sipërmarrësit i kanë shtyrë cepave duke i lënë pa zë. Për të vepruar ata duhet të bëhen pjesë e politikës dhe të radhiten në brigadat e saj.
Lidershipit të Partisë Demokratike iu desh që pas zgjedhjeve të 23 qershorit t’u hynte manifestimeve dhe mitingjeve bis për të zgjedhur kryetarin e ri.
Qeveria e socialistëve, duke qenë se priste hipjen në pushtet, por duke e pritur tre muaj, bënte aksione politike demonstruese, sepse vendime nuk merrte.
Ndërkaq, edhe tani vazhdon teatralizimi i politikës me evenimente në Kuvend, me aksione komunikative brenda dhe jashtë kufijve, kur na duhet që ta shtrojmë çështjen e së ardhmes teknikisht, administrativisht, menaxherialisht.
Aksione mediatike, deklarata politike, fraza të vogla vrastare të raportuara nga media, ngacmime të ndërsjella sikur të vazhdonte fushata elektorale zënë akoma pjesën më të madhe të energjive vepruese në sistemin e qeverisjes.
Mos dimë të bëjmë vetëm politikë dhe marrëdhënie publike?
Ndërkohë që punët presin dhe nuk presin dot as evenimentet propagandistike dhe as trajtimin e çështjeve sikur ky vend të mos kishte as menaxherë, as teknicienë, asgjë, veçse di të prodhojë show politik.
Pati një debat se kur është afati më i mirë për të debatuar për programin e qeverisë në Kuvend. Qeveria bën mirë që i ka sintetizuar idetë e saj, sikurse opozita bëri shumë mirë që kërkoi kohë për të dhënë mendimin e saj. Por, ka edhe më mirë, sepse debati përsëri me siguri do të politizohet dhe do të kthehet në teatër politik.
A nuk do të ishte mirë që Kryesia e re e Kuvendit me këtë rast të ftonte mendimin e kabineteve të ekspertëve të pavarur vendas, e teknicienëve për të analizuar programin qeverisës. Nuk është vetëm çështje politike, por edhe teknike, menaxheriale dhe administruese. Ka shumë rëndësi që asnjë ligj e reformë të mos kalojë pa një gjykim e mendimit publik të ekspertëve dhe jo vetëm të aktorëve të interesit, të cilit mbeten ata që janë.
Universitetet dhe qendrat shkencore publike dhe private të vendit asnjëherë nuk ftohen institucionalisht të japin mendime dhe sugjerime për reformat dhe politikat afatgjata apo ekspertizë për probleme strategjike të vendit. Sikur të mos ekzistonin, askush nuk pyet për to. Aq shumë sa edhe punën kërkimore dhe shkencore nuk e llogarisin në ngarkesë pune për profesorët dhe doktorantët.
Në gjendje për të qarë hallin shtypi teknik, shkencor dhe menaxherial. Jemi në prirje të përmbysur me atë që ndodh në vendet e Bashkimit Evropian. Atje revistat teknike dhe të tjera as krahasohen nga tirazhi dhe nga elitarizmi me shtypin politik apo tabloid të politikës të ditës, kurse te ne, kjo lloj medie është fare e pazhvilluar ose në shumë raste është mashtruese, e falsët, e kotë, pa ide dhe e pazhvilluar.
Për të qarë hallin stoku i librave menaxherialë, teknikë dhe administrativë në libraritë tona. Edhe ata libra që përkthehen, janë të dalë boje në shumicën e tyre dhe pa asnjë besueshmëri, as morale dhe as profesionale. Gjejeni përqindjen e librit teknik në vend dhe do të duket se jetojmë në epokën e gurit.
Duket sikur politika nuk do asnjë rival dhe ka një ambicie politizuese të frikshme.
Masivizimi i arsimit të lartë është një vlerë që bën pjesë në zhargonin e të folurit politikisht korrekt. Por, masivizimi nuk na detyron që të mos kemi mekanizma që seleksionojnë vlerat e kombit intelektualisht. Nuk merret vesh kush është me vlerë dhe kush është kallp.
Shkollat elitare mungojnë.
Tani kanë filluar po masivizojnë edhe shkollat doktorale, bile edhe doktor honoris causa që e japin me kile dhe me “kandar katundari” edhe universitete që ende nuk kanë nxjerrë një doktor prej së vërteti.
Masterat janë bërë si monedhë false në treg.
Po mbushin arkat e atyre gjoja shkollave që kanë shkatërruar vlerat e intelektit kombëtar dhe e kanë çuar vlerën e një diplome drejt zeros. Dhe flasin për masivizim të dijes… Propagandë e gjallë manipuluese…
Emërimet në administratat që drejtohen nga shefa të çdo ngjyre bëhen nga radhët e militantëve të tyre, le të jenë avokatë populli, gjyqtarë, punonjës zyrash deputetësh, roje dyersh, sepse askund nuk ka transparencë në zgjedhje dhe përgjegjshmëri qytetare.
Ku mund të japë mendime për financën një deputet që nuk di se çfarë janë bazat e ekonomisë!
Si të flasë për bujqësinë apo të votojë për të një deputet që nuk ka qenë ndonjëherë në ndonjë zonë rurale le të dijë ndonjë shifër “agrikole”!
Sigurisht ata do të votojnë, por ka nevojë për ekspertë, menaxherë, administratorë që të ftohen në dhoma, komisione, këshilla, seanca, të dëgjohen, të hapen dyert e Kuvendit, të zyrave, të vendimmarrjes për klasën e teknicienëve, sepse qytetari ka nevojë të njohë mendimin e tyre, që është objektiv, afatgjatë dhe nuk ndikohet as nga ethja e parasë, as nga ethja politike për pushtet, që qysh nga koha e Platonit, më parë akoma, e Sokratit, konsideroheshin me të drejtë si dy kundërshtarët e dijes dhe e menaxhimit teknik të shoqërisë.
Ka ardhur koha t’i japim fund teatralizimit politik si forma më pak efikase e menaxhimit të vendit.
Përndryshe shumë shpejt do të ndodhemi në buzë të humnerës…
Mjaft me fushatën elektorale permanente!