Isuf Luzaj
Eksperienca individuale është e vetmja e vërtetë, e identifikuar, e provuar, e izoluar në një univers indiferent të njeriut.
Prandaj nuk krijohen dot ligje jete, nuk ekzistojnë dy eksperienca të barabarta, të drejtuara nga një temperament i njëllojshëm me të njëjtin karakter, për një qëllim.
Ekzistenca është aq e pashpjegueshme sa edhe esenca .Në mes tyre vlen vetëm liria e njeriut: të zgjedhë dhe të marrë përgjegjësira për aktet e tij.
Çdo e vërtetë që ne e besojmë dhe na bën të mendojmë, çdo veprim që kryejmë, përmbledh e tregon një lloj qëndrimi aq njerëzor sa vetë subjekti, i cili ndonëse i mirë, i drejë, dhe moral, kur formon shoqërinë, kjo për kontraste interesash në mes të individëve transformohet në një palestër sporti dhe më vonë në një luftë aq më të pamëshirshme sa më të mëdha të jenë interesat individuale në veprim.
Esenca e një gjëje është natyra e saj e konsideruar pavarësisht nga ekzistenca e saj. Edhe gjërat Jo ekzistente, si dhe ato që nuk mund të ekzistojnë, të gjitha kanë një esencë të tyre. Hollësirat përkufizonjëse me cilësirat përbëjnë Esencën. Me përjashtim të njeriut, për çdo gjë që ekziston ose nuk ekziston, është e zakonshme të japim një përkufizim.
Njëriu është një kafshë arsyetonjëse; subjektiviteti është principi i fillimit që e provon atë dhe e indetifikon. Njeriu ekziston, ngjitet, paraqitet në skenën e dramit dhe pasi luan rolin e tij, përkufizon veten shumë herë ndryshe nga ai që do të dëshironte të ish dhe ndryshe nga përkufizimet që i bën shoqëria.
Njeriu e bën veten e tij atë që dëshiron të jetë, ai e koncepton veten për të qenë. Ai është ai që mundet të jetë, sepse po e dijti udhën e tij, ai është kujdestar i ndërgjegjes së tij dhe të qenurit të tij.
Ai është arkitekt, ai është kështjellla, ai është gruri, ai ështëmielli, po të dijë të lexojë busullën, të lundrojë me siguri, të gjejë udhën në detra të largët pa plazhe.
Bota është ashtu siç e bëjmë na, siç e kuptojmë kur veprojmë, duke mësuar nga eksperienca për të përmirësuar të ardhmen. Nuk ekziston asgjë, as përpara, as prapa nesh që të kthejë ose të ndryshojë atë që na ndërtuam, po nuk qemë në gabim.
Po nuk mundi të dalë njeriu nga qerthulli i egoizmit, ai bëhet përgjegjës për të tjerët. Krijon një zonë zodiaku për ndriçimin e satelitëve të tij që vërtiten sinkronizisht rreth tij. Ai zhduk egocentrizmin në një proces evolutiv të mirënjohjes së tëtjerëve për t’u treguar udhën. Shumë herë ky fenomen ndodh pas vdekjes.
Po të jetë njeriu i lirë nga vese e pasione, di të zgjedhë udhën e mirë, sepse për instinkt, kurrë nuk zgjedhim djallin: atëhere e mira jonë duhet të jetë e mira e të tjerëve. Dhe kurrë s’mund të jetë ndryshe.
Nuk ekziston fuqi mbi esencën dhe ekzistencën tonë, prandaj ne ose gëzojmë, ose vuajmë konsekuencën e veprimeve tona. Disa herë edhe konsekuencat e konsekuencave.
Në qoftë se një Zot nuk ekziston, të paktën një Zot mendonjës, gjykonjës, që sheh, ndëgjon e kujdeset për na, atëhere na jemi të lirë dhe përgjegjës për veprimet tona.
Në qoftë se një njeri ëshë i ndershëm sepse ka frikë nga ligji, ai nuk është i ndershëm. Në qoftë se është i ndershëm sepse ka frikë nga Zoti, ai nuk është i ndershëm; porse në qoftë se ai e ka ligjin në dorë dhe është ateist dhe ëshë i ndershëm, ai njeri është virtuoz, ai është njeriu që dëshiroi të jetë.
Petrit Nika
Kontrapunkt
Mendime si midhje pa guackë në plazh,
dhe fjala si guacka zgavër mbi rërë;
baret zë i botës, mbytur, pa imazh,
dhe imazhi trajtësohet i lëbyrtë, pa zë.
Le ta zbrazim botën nga kumti e thelbi,
le të jetë krejt flu, e zhveshur, e lehtë;
po aq e rëndësishme sa një kokërr elbi,
aq e parëndësishme sa ç’është jeta vetë!
Requiem i fjalës “IK”
Fjala “IK” tregon vetëm drejtimin pa cak,
larg, apo afër, relative e gjitha,
relative arsyeja; me shkak, o pa shkak.
I – është qenia, individi përherë vetmitar,
paracaktuar për plojën e trishtë të fatit,
të fatit pa trajtë, pa gjak dhe bixar.
K – është rruga e përjetshme e largimit,
nga vetja mësë pari, nga gjithçka pastaj,
dilema e drejtimit; drejt vdekjes, o amshimit.
Ndaj fjala “IK”,nuk është fjalë, por vetë fati
i qenies vdekëtare që vetëm ik ndër kohë,
lumë që s’u preh dot kurrë tek shtrati.
Dhe jeta rrjedh mbytur si uji nën llohë,
me vuajtje, dilema, turlilloj tabiati,
nga turpi i shëmtisë mbështjellë në pak cohë.
Vetveten mos ta shohë…!
10 shtator 2013