Nëpërmjet një programi të veçantë, të gjithë të papunët apo personat që duan të marrin një zanat mund të regjistrohen në kurset e formimit profesional. Në fund të kursit, çdo kursant që ndjek rregullisht kursin, pajiset me certifikatë që njihet nga të gjitha institucionet zyrtare.
Nuk ke një punë… nuk ke një diplomë universitare apo ndonjë zanat, kjo përsëri s’do të thotë që të mos gjesh mundësi të tjera. Nëpërmjet një programi të veçantë, të gjithë të papunët apo personat që duan të marrin një zanat mund të regjistrohet në kurset e formimit profesional. Këto kurse janë zyrtare dhe të vlefshme për secilin. Në fund të kursit, çdo kursant që ndjek rregullisht kursin pajiset me certifikatë që njihet nga të gjitha institucionet zyrtare.
Formimi në punë
Ky program synon të trajnojë dhe të integrojë në tregun e punës punëkërkuesit e papunë të pakualifikuar profesionalisht. Kohëzgjatja e trajnimit është jo më shumë se 6 muaj. Në këtë rast, punëdhënësi përfiton 50-70 për qind të kostove të trajnimit. Nga ana tjetër, punëkërkuesi përfiton: profesion të ri, mundësi më të mëdha punësimi dhe mbështetje financiare 50 për qind të pagës minimale për periudhën e trajnimit.
Program për studentët
Ky program synon kryerjen e praktikave profesionale të kësaj kategorie, pa eksperiencë në punë. Përfitojnë të gjithë punëkërkuesit e papunë, të cilët kanë mbaruar arsimin e lartë brenda apo jashtë vendit dhe kanë më pak se 24 muaj që kanë mbaruar studimet. Kohëzgjatja e programit është për një periudhë 6 muaj. Punëdhënësi dhe studentët pjesëmarrës përfitojnë financim mujorë në masën 100 për qind të nivelit të pagesës së papunësisë.
Kategoritë që nuk paguajnë tarifat
Për të gjithë të papunët e regjistruar pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Zyrave Vendore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit përfitojnë formim me tarifa të reduktuara. Përfitojnë formim me tarifë falas të gjithë të papunët e regjistruar pranë DRSHKP-ve dhe Zyrave Vendore të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, që i përkasin kategorive të mëposhtme:
– Romët;
– Femrat e trafikuara;
– Jetimët;
– Personat me aftësi të kufizuar;
– Ish të burgosurit;
– Emigrantët e kthyer.