Në Berlin prezantohen katër libra shqip

0
166

seminar abc_0Javën e kaluar në Berlin, shtëpia botuese PA me qendër në Prishtinë organizoi një mbrëmje leximi në Literaturhaus me ç’rast u prezantuan katër libra shqip: “Tri vjet jo njeri” nga Hans Fallada, “Rastësisht me dashje” nga Jamarbër Marko, “Shpirti i arratisur” nga Drita Fejza dhe “E dashura ime Eva” nga Arif Molliqi. Për rreth 70 të pranishëm, dashamirës të artit letrar botuesja Feride Berisha e prezantoi punën dy vjeçare të shtëpisë botuese PA në pika të shkurtra i prezantoi katër titujt më të ri nga kjo shtëpi botuese.

Për veprat e prezantuara foli edhe autori dhe kritiku letrar Arif Molliqi. Ai shtoi: “…Me një fillim serioz, me një strukturë të përkrye librash, botuesja Feride Berisha po na bindë se SHB PA, do të jetë botuese e vlerave letrare-krijuese e, jo, tregtare librash. Ky konstatim vjen e forcohet kur i shikojmë emrat e autorëve që ka botuar kjo shtëpi botuese”.

Arif Molliqi vazhdon me titujt e lartpërmendur dhe sipas tij vëmendje të veçantë meriton libri me tregime “Tri vjet jo njeri” nga autori Hans Fallada i përkthyer në shqip nga Feride Berisha.

“Ky është një libër brilant”, vlerëson Molliqi, që sjell botën e një morfinisti dhe botën dekadente para fillimit të një lufte. Këto tregime domosdoshmërisht nuk e kanë narracionin e lidhur mes vete, por rrëfejnë veç e veç për një kohë të vështir. Janë rrëfime rrëqethëse herë-herë autobiografike ku personazhi kryesor- gjithmonë autori në veten e parë tregon për luftën e tij më narkomani, alkool, burgun, gjykimin e tjera.

Syrit tij kritik nuk i shpëtoi as libri me poezi “Rastësisht me dashje” i autorit Jamarbër Marko për të cilin ai shprehet në superlativ. Molliqi duke e parafrazuar një estet të njohur që kishte thënë “Kur dëgjoni Simfoninë Pranverore ju as nuk shihni lule, as gjelbërim, as cicërima zogjsh, por tingujt brenda shpirtit tuaj krijojnë pranverën”.

Vazhdon: “Edhe në poezitë e Jamarbër Marko tek libri “Rastësisht me dashje” ju nuk shihni as xhelat, as vdekje, as gjak, as kamxhik pushteti, as… por derisa e lexoni vargun poetik të tij, ju mund ta parafytyroni sikur i shihni të gjitha; xhelatin, dhimbjen e njeriut, vuajtjet, mundimet dhe sakrificat e njeriut në një kohë që autori rastësisht me dashje ka jetuar bashkë më n´atë kohë. Vështrimin kritik mbi veprën e Jamarbër Marlos e përfundon me një xhevahir poetik, siç e quan ai:

“Dhe ti/ Një vij uji që mund të kalojë kushdo /Dhe unë/Që s´kaloj, se s´kam ku shkoj. ( faqe. 84)”. Për poeten Drita Fejzën që debitoi me librin e saj të parë me poezi “Shpirt i arratisur” u tha se është një krijuese e veçantë. Molliqi ceku se veçantia e krijimtarisë së Dritës është gjithsesi guximi i saj letrar. Për poezitë e Drita Fejzës ai thotë: “Gjithsesi poetika në këto poezi është e pranishme, dhe jo vetëm si paraqitje por si nxjerrje emocionesh nga brendësi shpirtërore që ka ajo për gjerat që e rrethojnë. Ajo në mënyre poetike e shfrytëzon kontaktin më natyrën, me njeriun, me përjetimet e përditshme. Ndaj të gjitha këtyre fenomeneve Drita Fejza është e çiltër edhe kur është në dyluftim më dramat e dashurisë që asaj i kushton vëmendje aq shumë, e që herë-herë hetohet një si frikësim. Vendlindja, kurbeti, vjeshta, heronjtë e luftës janë tema që poetja me përkushtim i lëvron. Pra në të gjitha këto ka kujtime, ka dashuri të frymëzuara dhe të lidhura brenda një dyluftimi me plot motive poetike që premtojnë për një fillim të mbar”. Mbrëmja vazhdoi me leximin nga krijimtaria e poeteve të pranishëm dhe gjithashtu u lexua edhe poezi të Jamarbër Markos nga krijuesi i ri Bardh Bakia, i cili jeton dhe krijon në Berlin. Mbrëmja u mbyll me biseda të lira që u zhvilluan në mes të pranishmëve duke e shijuar një koktej modest të organizuar nga botuesja. Mbrëmja u përkrah nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani.