Info/kult

0
184

marubi 20031Të drejtat e njeriut, rikthehen te “Marubi”

Instituti Italian i Kulturës merr pjesë në edicionin e tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, 23-29 shtator 2013, pranë Akademisë së Filmit & Multimedias “Marubi”

Nga 23-29 shtator do të mbahet në Tiranë Festivali Ndërkombëtar i të Drejtave të Njeriut.

Edicioni i tetë i Festivalit synon, në veçanti, të rritë ndërgjegjësimin e publikut shqiptar mbi çështjet e dhunës në familje dhe të qasjes së lirë në internet.

Për të tretin vit radhazi, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, bashkëpunon me organizatorët e Festivalit për të mbështetur pjesëmarrjen e filmave italianë në Festival.

E mërkurë, 25 shtator do të shfaqet në orën  16.30, Dreaming Apecar, ku regjisori Dario Samuele Leone tregon një histori ku rolet janë ndërruar: Caterina, italiania 45 vjeçare në kërkim të një pune, do të hiqet si kujdestaria e Gheorghe, një të moshuari rumun i mbërthyer në një karrige me rrota, dhe eksperienca do të ndryshojë jetën e të dyve.  Do të vijojë, në orën 20.30, projektimi i The Silent Chaos, dokumentar i Antonio Spanò-s ku ngjarjet vendosen në Republikën Demokratike të Kongos, për të bërë të njohur historinë e shoqërisë kongoleze që tashmë ka humbur identitetin e saj pas vitesh lufte të përgjakshme civile.

Të enjten 26 shtator, në orën 18:10, producentja Nerina Fiumanò do t’i prezantojë publikut filmin dokumentar Una su tre të Claudio Bozzatello-s. Në ditën e Festivalit kushtuar temës së dhunës në familje, Una su tre  do të trajtojë këtë temë nga një pikëvështrim mjaft objektiv, nëpërmjet faktesh, dëshmish, intervistash dhe shifrash.

Së fundmi, të shtunën, më 28 shtator, do të prezantohet filmi i Flavio Costa-s, i titulluar Pre carità. Nëpërmjet një takimi rastësor të dy ish-shokëve të shkollës, filmi ofron një reflektim mbi temën e problemeve rinore dhe pasigurisë.

 

Homazh babait të koreografisë, Panajot Kanaçit

Ansambli i Valleve nis sezonin artistik me një koncert kushtuar babait të koreografisë shqiptare, Panajot Kanaçit, në kuadër të 90-vjetorit të lindjes. Trupa udhëhiqet nga mjeshtri Rexhep Çeliku.

Në këtë premierë janë përzgjedhur pjesët më të njohura të  krijimtarisë së koreografit Panajot Kanaçi, të cilat edhe në ditët e sotme janë pjesë e repertorit. Ai konsiderohet themelues i koreografisë. Koreografi Panajot Kanaci që në vitin 1945 ishte ndër të parët që krijoi grupet e valleve, duke realizuar miniatura baleti dhe valle popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Gjithashtu  ai realizoi baletin e parë kombëtar “Halili dhe Hajria”.

 

 

Histori hartash, ekspozitë në Shkodër

Në një ekspozitë hartash, nga “Tabula Militaris Itineraria” deri në hartat e Evropës, publiku shkodran u njoh me  rrugëtimet shekullore të Evropës së sotme dhe betejat e saj ushtarake. Organizuar nën kujdesin e Arqipeshkvit të Shkodrës Imzot Angelo Massafra dhe Ipeshkvit të Kosovës Imzot Dodë Gjergji, ekspozita u hap fillimisht në Prishtinë për të shkuar më pas në Tirane. Bëhet fjalë për 1700 vjetorin ei Ediktit të Konstantinit.

Në “Cardinal Mikel Koliqi” në Shkodër hapet ekspozita e hartografisë së vjetër nga “Tabula Militaris Itineraria” e deri tek hartat e Evropës. Edikti i Milanos i dha fund një herë e mirë një periudhe historike të shënuar nga përndjekja e hapur e të krishterëve.

Deri në atë moment pësonin fyerje, tortura, konfiskim e të mirave, humbje të vendeve të punës, humbje të jetës. Me Ediktin e Konstantinit ose siç njihet ndryshe Edikti i Milanos, nisi edhe reforma në Kishën Katolike. Përmes kësaj ekspozite shihen qartë rrugëtimet shekullore të Evropës së sotme dhe betejat e saj ushtarake. E organizuar nën kujdesin e Arqipeshkvit të Shkodrës Imzot Angelo Massafra, Ipeshkvit të Kosovës Imzot Dodë Gjergji, ekspozita u hap fillimisht në Prishtinë për të ardhur në Shkodër e me pas për të udhëtuar drejt Tiranës.

 

 

Marcel Reich-Ranicki, ndahet nga jeta kritiku më i madh i letrave

Kritiku më i madh letrar gjerman, Marcel Reich-Ranicki vdiq në moshën 93-vjeçare, njoftoi e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ku ai drejtonte prej vitesh rubrikën letrare. Në pranverë kritiku Reich-Ranicki, i cili për një kohë të gjatë ishte zëri më me ndikim në letërsinë gjermane, u shpreh publikisht se vuante nga kanceri në prostatë.

I lindur në Poloni në vitin 1920 nga një baba hebre polak dhe një nënë gjermane, Marcel Reich kaloi adoleshencën e tij në Berlin, ku ai iu përkushtua letërsisë dhe teatrit.

Në vitin 1938, i refuzohet e drejta për studime në Universitetin e Berlinit, për shkak të origjinës së tij hebraike dhe largohet më pas drejt Polonisë ku ai njohu ferrin e lagjeve të varfra të Varshavës.

Ai mundi t’i shpëtonte deportimit drejt kampeve të vdekjes në vitin 1943 duke u arratisur në shoqërinë e gruas së tij Tosia.  Prindërit e tij dhe të bashkëshortes si dhe i vëllai nuk mundën t’i mbijetonin Holokaustit. Autodidakt me një kulturë të madhe, ai u vendos përfundimisht në Gjermaninë perëndimore në vitin 1958 ku u bë kritik letrar pranë së përditshmes prestigjioze gjermane “Die Zeit” nga viti 1960 deri në vitin 1973 dhe më pas pranë së përditshmes konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nga viti 1973 deri në vitin 1998.

Autor i antologjive dhe eseve të panumërta, por gjithashtu i një autobiografie, ai drejtoi gjithashtu për 13 vjet, nga 1988 – 2001, një emision televiziv mjaft popullor të titulluar “Kuarteti letrar”, ku u diskutua për më shumë se 400 libra.  Me anë të një komunikate, Kancelarja Angela Merkel shprehu hidhërimin e saj të thellë për humbjen e një miku të pakrahasueshëm, jo vetëm të letërsisë, por edhe të lirisë e demokracisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency