Gjestet politike të ministrave të qeverisë së re çdo ditë po prodhojnë fenomenin social, që i afrohen më shumë propagandës sesa një areali politik.
Prej ditësh në qendër të Tiranës, ku është vendosur blloku i ministrive, dritaret janë të hapura për ajrosje. Por në orët e para të mëngjesit, pothuaj, si në urdhër, sheh të varur nëpër dritare, pastruese që lajnë xhamat e ministrisë. Me bluza të bardha ato tërheqin vëmendjen dhe kuptohet se po pastrojnë sende, tryeza, xhama, shkallë, rafte, bodrume gjithçka.
Ndërsa në natyrshmëri, apriori, dikasteret po pastrohen dhe nga njerëzit e ashtuquajtur politikë, duke u ndërruar kabinetet, zyrat e shtypit me njerëzit e tyre.
Dje, këtë mësuam dhe nga Ministria e Kulturës. Ministrja e re, Mirela Kumbaro, e njohur si personalitet që vjen nga bota e letrave, ka larguar qysh në ditën e parë tre shkrimtarët: Bardhyl London, Ylljet Aliçkajn, Lazer Stanin. Në ditën e parë u largua edhe shkrimtari Visar Zhiti, pak ditë në postin e ministrit, dhe i vetmi që e ka pritur Kumbaron në zyrë në ditën e largimit.
Një pjesë e shkrimtarëve që kanë reaguar dje në rrjetet sociale e ka konsideruar këtë “gjest” politik të zonjës së kulturës pa respekt ndaj shkrimtarëve. Vetëm pastrueset e Ministrisë së Kulturës nuk i kemi parë të varura në dritare për të fshirë xhamat, pasi konkretizimi ka qenë më “spastrues” ndaj kauzës së përfaqësuar deri dje!
V. M.