Gëzim Saliu
“Nuk kemi asnjë informacion për takimin, jam vetëm në pritje”
Kreu i partisë Demokracia Sociale Paskal Milo deklaron se forca që ai drejton mbetet në pritje të Kryeministrit Rama për të ndarë postet sipas marrëveshjes paraelektorale të nënshkruar mes palëve. Në një prononcim për gazetën, Milo bëri të ditur se nuk ka marrë asnjë informacion se kur do të zhvillohet takimi me kreun e mazhorancës qeverisëse. “ S’kemi asnjë informacion për takimin”, komentoi ai. Ndërkohë i pyetur lidhur me kërkesat e dërguara në PS nga partia e drejtuar prej tij për postet e nivelit të dytë dhe të tretë, Milo u përgjigj duke pohuar,: “Nuk kam asnjë koment. Atë që kisha për ta thënë e kam thënë. Tani jam vetëm në pritje”. Pas fitores së zgjedhjeve të përgjithshme elektorale nga koalicioni i majtë, aleatët tradicionalë të Partisë Socialiste, Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi pretendonin përfshirjen e tyre në kabinetin qeveritar si pasojë e kontributit të dhënë në 8 vite opozitë. Madje në një dalje publike, kreu i PDS-së ka bërë të ditur qartë se forca e tij duhej të përfaqësohej në qeverinë e re me një post ministror. Por kryeministri Rama, mendoi ndryshe nga ata duke ndarë përgjegjësitë qeverisëse vetëm mes PS-së dhe LSI-së. Madje kreu i ekzekutivit la jashtë edhe PKDSH-në dhe PBDNJ-në, të cilët në bazë të marrëveshjes paraelektorale, duhej të merrnin një portofolin ministror. Po ashtu edhe aleatit Spartak Ngjela i ishte premtuar më parë nga Rama një post ministri, më saktësisht drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë. Propozimi i postit të ministrit për marrëdhënien me Parlamentin i kreut të mazhorancës nuk u pranua nga Ngjela, i cili vetëm pak ditë më parë lëshoi kritika të forta ndaj përbërjes së kabinetit të ri qeveritar. Kreu i PLiDr-së theksoi se të paktën në ekzekutivin e ri duhej të ishin përfshirë deputetët socialistë Pandeli Majko, Ben Blushi dhe Arta Dade. “Politika është shkollë, nuk është dëshirë dhe hajde o burra, vij unë dhe marr fshatin ose njerëzit e mi. Është shkollë dhe, si e tillë, nuk ndërpritet karriera politike. Pa diskutim Majko, që është dy herë Kryeministër. Ishte pamundësia absolute që të mos ishte. Vetëm mosparja e politikës si shkollë e detyron gjendjen të vijë këtu. Duhet të ishte Blushi patjetër dhe Arta Dade. Mbase ata mund të kenë refuzuar, por edhe nëse kanë refuzuar, kanë bërë gabim. Mbase nuk kanë dashur ata. Ata duhet të ishin patjetër dhe nëse është bërë shkak dorëzimi i mandatit, Rama duhet të hiqte dorë nga ai që për mua është nonsens”, tha Ngjela.
Beteja e fotove në facebook
Berisha: Rama akt urrejtje. Kryeministri: Nuk ke pasur sy për të parë rrënimin dhe pisllëkun
Fotot e publikuara dy ditë më parë nga Kryeministri Rama të godinës ku ai do të ushtrojë aktivitetin për katër vitet e ardhshme kanë sjellë një përballje të re mes tij dhe ish-kreut të ekzekutivit Berisha. Ditën e djeshme, Berisha ka reaguar ndaj këtyre fotove duke publikuar një set fotosh të tjera, të cilat paraqisnin dallimin mes asaj gjendjes së godinës në kohën kur ajo drejtohej nga demokrati dhe gjendjes kur ai u mor në dorëzim nga kryesocialistit. “Në mjediset e Kryeministrisë gjatë këtyre viteve, janë pritur shtetarë të shumtë, madje edhe më të rëndësishëm të botës. Me kënaqësi mund t’ju pohoj, se ata kanë shprehur vlerësim pozitiv për mjediset, sallat, zyrat, korridoret dinjitoze të ndërtesës me arrendimin e tyre, jo luks, por elegant dhe me shije”, theksoi Berisha. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministri Rama ndaj akuzave të ish-kreut të ekzekuvitit, duke postuar një set të ri me 32 fotografi. Kreu i mazhorancës qeverisëse akuzoi Berishën se nuk ka pasur sy për të parë rrënimin megjithëse ka jetuar çdo ditë në pisllëkun e godinës së qeverisë. “Keqardhje për reagimet jodinjitoze lidhur me publikimin e fotove të mjediseve të kryeministrisë, prej atyre qe për vite kanë hyrë çdo ditë në këtë godinë, po s’kanë pasur sy për të parë rrënimin, pisllëkun e shijen gjithnjë e më vulgare që kanë pllakosur një vend kaq të rëndësishëm të punës në shtetin shqiptar, që përpos të tjerash është edhe një prej godinave me vlerën më të rëndësishme historike e arkitektonike të vendit tonë”- shkruante Rama.