Programi fiskal i qeverisë, teori apo praktikë?

0
204

Ervin Kaduku

Si mund të realizohen premtimet që janë bërë në fushatë për rritje masive të punësimit, prekje të sistemit të taksave dhe shkrirje të administratave, rishikime të koncesioneve të dhëna nga shteti, pa shkaktuar “tërmet” në ekonominë e brishtë shqiptare?

 

7page_img1Tashmë, programi elektoral i mazhorancës së majtë ka marrë edhe bekimin e Kuvendit, kuptohet, vetëm me votat e veta, duke u kthyer në një program qeveritar. Në aspektin ekonomik, aty janë cekur të gjitha problemet që ekzistojnë, duke u dhënë edhe zgjidhje, të paktën në fushën teorike. Por, ky program ka shumë hije e të panjohura, që, së pari kërkohet të sqarohen dhe, së dyti, duhet të diskutohen me biznesin dhe stafet akademike përpara se të miratoheshin në parlamentin shqiptar, duke qenë se kemi të bëjmë me interesa jetike të vendit. Megjithatë, ende ka kohë për të kaluar nga teoria në praktikë. Programi duhet të përkthehet në paketa fiskale, në amendime ligjesh e aktesh nënligjore ekzistuese, si dhe në redaktimin e ligjeve dhe vendimeve të reja. Pikërisht kjo është koha e duhur që transparenca të bëhet kryefjala e qeverisë së re, duke vënë theksin në bashkëpunimin ideor me studiuesit dhe operatorët e sistemit ekonomik shqiptar

Taksat e tatimet

Sa i përket sistemit të taksave e tatimeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë, në program ka opsione të guximshme radikale, nisur nga synime pozitive për të zhvilluar vendin. Por, sa u takon taksave, vështirë të gjesh financierë që të jenë pro prekjes apo ndryshimit të tyre, në këto momente që po kalon ekonomia. Sipas analizës, por edhe të studimeve ndërkombëtare, Shqipëria përllogarit një nivel informaliteti që arrin deri në 50 për qind. Në këto kushte, aspak të neglizhueshme, qeveria e re duhet më parë të vrasë mendjen se si të miradministrojë taksat, të forcojë mbledhjen e tyre, ta vendosë ekonominë në shinat e formalitetit, se sa të kryejë një ndryshim rregullash, që zakonisht çorodit administratën e biznesin, si dhe degjeneron një mal gjobash. Mund të thuhet se administrata tatimore dhe ajo doganore vuajnë nga mungesa të theksuara profesionalizmi. Duhet bërë reforma më parë te këto agjenci dhe më pas të diskutohet për rishikimin e taksave.

Pra, hapi i dytë mund të shikohet ulja, heqja apo ndryshimi i tyre, por më parë duhen sistemuar disa funksione. Edhe në raporte të ndryshme, thuhet se Shqipëria nuk mbart një barrë të rëndë te taksat, por i gjithë problemi lidhet me kostot e fshehura, pra te korrupsioni.

Ajo që duhet në ekonominë shqiptare është kultura e vetëdeklarimit, të tërhiqet kuponi tatimor nga klienti, të përdoren kasat fiskale nga subjektet. Por më e rëndësishme është hartimi i një sistemi të integruar, mes bashkisë, tatimeve, doganave dhe QKR-së. Këto katër hallka sot janë të ndara nga njëra-tjetra në kuptimin e koordinimit të punëve, të regjistrit dhe hartimit të një sistemi.

Në program, ndërkohë, është theksuar se do të ketë edhe rritje të taksave të tatimeve për biznesin e madh, ku është theksuar se do të rritet tatim-fitimi për biznesin. Në këtë drejtim duhet ecur me kujdes, kjo sepse bizneset në investimet dhe punët që kanë nisur, nuk e kanë parashikuar një gjë të tillë dhe një rritje e shpejtë do të sillte humbje për shumë sipërmarrje. Nëse qeveria kërkon të bëjë rritje të tatimeve, duhet medoemos që të jetë transparente me biznesin, të deklarojë kohën se kur parashikon ta bëjë dhe t’i japë kohë biznesit, së paku një vit, që të përgatisë dhe llogarisë masat dhe efektet financiare.

Reformat

Sipas shumë ekspertë fiskalistë, programi i qeverisë së re 2013-2017 është euforik, por atij i mungojnë dy elementë bazë: fatura dhe koha. E gjithë dilema për realizimin e tij në praktikë lidhet me këto dy faktorë kyç, dhe kryesisht me faktin që gjithçka parashikohet të realizohet në një mandate qeverisës, që është relativisht i shkurtër që të mbulojë gjithë reformat e synuara, vetëm katër vjet.

Do të pesëfishohen fondet për bujqësinë, do të hapen 300 mijë vende pune, do të hiqen një sërë taksash dhe në fund, do të ulet borxhi, por asnjë nga këto objektiva, deri më sot, nuk shoqërohet me faturë. Në program flitet shumë për rritjen ekonomike, por jo për atë se nga se do të garantohet ajo. Kështu, u është lënë vend spekulimeve që qarkullojnë lirisht, se Rama ka negociuar me ndërkombëtarët për të marrë kredi të buta në sasi të mëdha, apo se do të organizohet një goditje masive e krimit të organizuar për të siguruar një buxhet shtesë, apo se qeveria do t’i rikthehet programit të Ekzekutivit të mëparshëm për privatizime të prona të mëdha shtetërore etj.

Të gjitha këto, shqiptarët presin t’i dëgjojnë nga goja e kryeministrit dhe e ministrit të tij të Financave, Shkëlqim Cani.

 

Borxhet

Nga ana tjetër, qeveria “Rama” duhet të në përparësi emergjente pagesën e detyrimeve të prapambetura ndaj privatit, për shërbimet e kryera. Kultura e pagesës së vonuar duhet eliminuar përgjithmonë. Në rast se nuk ke fonde, mos hap tender, mos kërko punime e shërbime! “Nuk kemi se çfarë t’u kërkojmë bizneseve për të paguar taksat, në rast se nuk u kthejmë borxhet që u takojnë”, – është shprehur kryeministri në mbledhjen e qeverisë, ende të pamiratuar në Kuvend, zhvilluar në Shkodër. Borxhi ndaj kompanive vetëm për punë civile, të konfirmuara nga KLSH, arrin në rreth 400 milionë dollarë, pa llogaritur detyrimet nga vonesat e rimbursimit të TVSH, që mendohet se arrijnë në rreth 200 milionë dollarë (krijuar në disa vite).

Lejet

Sa u përket rishikimeve të premtuara të të gjitha koncesioneve e lejeve të dhëna, këtu çështja është voluminoze, serioze dhe kërkon një shqyrtim tepër të saktë, pa rrezikuar dëmtimin e operatorëve të huaj apo vendas që tashmë kanë lidhur kontrata dhe kanë shpenzuar fonde për të kryer punime në bazë të marrëveshjeve zyrtare me qeverinë e mëparshme. Duke folur për këtë problem, kreu i Dhomës së Tregtisë Tiranë, Nikolin Jakaj, tha: “E kam dëgjuar disa herë me vëmendje Kryeministrin për një rishikim rrënjësor të kontratave, sidomos të atyre që janë miratuar në tre muajt e fundit të qeverisë që iku. Në parim jam dakord, madje e mbështes, por duhet të kemi parasysh se deri më tani, vetëm është folur, është trumbetuar, sikur është bërë propagandë në vija të përgjithshme, por nuk dimë se si do të ndodhë.

Nëse të huajt dëgjojnë çdo ditë vetëm paralajmërime për heqje lejesh dhe licencash, atëherë kjo shkakton panik. Kryeministri mund t’i realizojë këto objektiva, në kuadër edhe të luftës kundër korrupsionit, pa qenë nevoja të japë deklarata. Jam plotësisht dakord që nëse verifikohen dhe gjenden me shkelje, jo vetëm të hiqen si koncesione, por edhe të ndëshkohen penalisht, por me vepra konkrete, jo me fjalë, pasi duket sikur bën presion”.

Logjika është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Në rast se ka shkelje, mos fol fare, por anuloi; por mos trumbeto fushata rishikimesh sa për llafe, që paralizojnë punën edhe tek ata që nuk kanë bërë spekulime.

 

Shkrirja administrative

Sa u përket shkrirjeve të administratave të ndryshme fiskale, ku përfshihen Tatimet, Doganat dhe pjesët administrative fiskale vendore në 65 bashki dhe 300 komuna, kjo do të kërkonte një reformë jashtëzakonisht të madhe, rezultatet e së cilës janë shumë të paqarta.

Përvoja për këto bashkime të agjencive fiskale në një të vetme gjen në të paktën 11 shtete evropiane duke filluar nga Armenia, Gjeorgjia dhe Letonia e duke përfunduar me vende anëtare të BE-së, të tilla si Hungaria, Greqia, Polonia e deri te shtete me përvojë historike në financat publike (Spanja, Danimarka, Irlanda dhe Britania e Madhe). Përvoja më e freskët vjen nga ristrukturimi i organizimit fiskal në Poloni në vitin 2012.

Çfarë nevojitet për mbrojtësit dhe përkrahësit e kësaj skeme (në këtë grup hyn edhe autori) është parashikimi dhe parandalimi i problemeve që mbartin bashkime të tilla. Ato fillojnë që me përcaktimin e kufijve të kompetencave, të mbivendosjeve të detyrave, të ruajtjes së parametrave sasiorë dhe cilësorë të modelit aktual të administrimit, si dhe angazhimeve të tjera që administrata do të mbartë në lidhje me barazinë gjinore, harmonizimin e brezave dhe përvojës, ribërjes së rregullave, si dhe përhapjen e modelit të ndryshimit. Të gjithë elementët, që mesa duket do të koordinohen nga “dirigjentë” prestigjiozë të menaxhimit të financave publike dhe modelimeve të strukturave fiskale duhet të mos ndikojnë në ndryshimin e “kursit” të rrjedhës së të ardhurave në llogaritë e buxhetit. Por, edhe duhet të ndërthuren natyrshëm dhe pa cenuar modelin e strategjisë së përmbushjes vullnetare që administrata tatimore po e zbaton duke u asistuar nga ekspertë të Fondit Monetar, që prej fillimvitit 2013.