Zv.Kryeministri: Sfida jonë anëtarësimi në BE. Ministri i Jashtëm: Statusi i arritshëm në dhjetor Bushati: Rikonstruktim të shërbimit diplomatik, problemet me Greqinë do zgjidhen sipas të drejtës ndërkombëtare

0
127

Gëzim Saliu

 

largea_peleshi-seki1379957803Zv.kryeministri i vendit Niko Peleshi deklaron se sfida e qeverisë së majtë do të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në një takim me ambasadorin e BE-së në vend Ettore Sequi, ai theksoi se integrimi për kabinetin “Rama” nuk është kusht për tu përmbushur, por sfidë! “Kam shprehur qëndrimin se për ne kushtet e anëtarësimit në procesin integrues nuk konsiderohen si kushte, por si sfidë. Suksesi i shoqërisë shqiptare do jetë kur axhenda jonë do përqaset me atë të integrimit evropiane”, tha zv/kryeministri Peleshi.  Nga ana e tij, ambasadori i Sequi ka vlerësuar vizionin e qeverisë, në lidhje me përmbushjen e detyrimeve për anëtarësim e vendit në familjen e madhe evropiane si dhe vijimin e investimeve të huaja në vend.  “Vizioni është një vizion evropian dhe tepër ambicioz dhe shumë modern. Ne qendër të tij është transformimi i thellë që ofron integrimi në BE. Ne ofrojmë mbështetjen tonë të plotë të këtij vizioni dhe mbështetjen tonë për Shqipërinë dhe për zotin zv/kryeministër për te ecur para në këtë drejtim”, u shpreh  kryediplomati i BE-së në vend.

Ministri Bushati

Ashtu si zv.kryeministri Peleshi edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka deklaruar dje se sfida e vërtetë e qeverisë së re mbetet afrimi i datës për hapjen e negociatave me BE. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, shefi i diplomacisë shqiptare e vlerësoi si një objektiv të realizueshëm marrjen e statusit kandidat, ku shprehu angazhimin e qeverisë për të punuar fort në përmbushjen e detyrave të lëna nga përfaqësuesit e lartë europianë sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Ky është objektiv i realizueshëm pavarësisht faktit se dhjetori është pranë nesh. Arritja e statusit te vendit kandidat përbën objektiv madhor për qeverinë që bëj pjesë. Është çështje e mundshme dhe do dedikoj të gjitha kapacitet për të përmbushur si objektiv. Objektivi konkret është fillimi i bisedimeve për anëtarësim Rekomandimi i KE për fillimi ne bisedimeve me Shqipërinë dhe ne do punojmë për të afruar sa më shumë këtë datë”, tha ai. Ndërkohë edhe në bazë të premtimeve gjatë fushatës së zgjedhjeve, qeveria e majtë shumë shpejt do të nisë strukturimin e shërbimit diplomatik.  “Shkurtimi i numrit të Ambasadave do ishte menu e thjeshtësuar për të racionalizuar shërbimin e ambasadave. I gjithë shërbimi me jashtë duhet të ristrukturohet, me ndihmën e Ashton. Racionalizimi i prezencës sonë në botë, do të duhet të shikohet me sy sa më gjakftohtë”, deklaroi Bushati. Po ashtu Ministri i Jashtëm foli edhe për marrëdhëniet me fqinjët, ku theksoi se qeveria “Rama” është mjaft e qartë në qëndrimin e saj për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët, bazuar në moton “zero probleme me fqinjët” . Duke iu referuar hapjes së bisedimeve për marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë, Bushati tha se qeveria ka disa terma të mbartur me dekada, të cilat duhet të bëhen pjesë e një diskutimi serioz, që mban në vëmendje të drejtën ndërkombëtare, politikën e fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen tonë në BE. “Për fat të keq me Greqinë kjo periudhë është konsideruar nga një menaxhim krizash, ne duam që ta ngremë ambicien edhe në raport me Greqinë dhe të hapim një kapitull të ri. Kjo qeveri do të jetë shumë e qartë për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët. Një nga motot e politikës sonë të Jashtme, është zero probleme me fqinjët. Qeveria jonë në raport me Greqinë ka disa terma të cilat janë mbartur me vite apo me dekada, të gjithë këto çështje do të bëhen pjesë e një diskutimi serioz, që mban në vëmendje të drejtën ndërkombëtare, politikën e fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen tonë në BE. Ka një gadishmëri të plotë për të hapur një kapitull të ri me Greqinë, duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare”.

 

 

Në New York

Rama takon Blair dhe Presidentin e BB-së: Njësi speciale për prioritet e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij disa ditore në SHBA, New York, është takuar dje me ish-kryeministrin britanik Toni Bler si dhe Presidentin e Bankës Botërore, Jim Kim.  Nëpërmjet një postimi me faqen e tij në Facebook, Rama bëri të ditur se në fokus të bashkëbisedimit me Tony Blair dhe Presidentin e BB-së kanë qenë prioritetet e Shqipërisë. Në përfundim të takimit me Presidentin e BB-së, Rama ka bërë të ditur se ai i ka shprehur interesin për të realizuar disa projekte në Shqipëri, në kuadër të programeve të qeverisë shqiptare.  “Është shumë domethënëse që presidenti i Bankës Botërore është i gatshëm të mbështesë Shqipërinë dhe bashkë me kryeministrin Blair ne do vëmë në jetë një strukturë të posaçme të arritjes së rezultateve. Ky është një moment i rëndësishëm për BB, që me një grup liderësh rreth e rrotull planetit po mundohet të fusë këtë element të ri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare”, ka deklaruar kryeministri. Ndërkohë Ish- Kryeministri Tony Blair theksoi se qeverinë e presin sfida të mëdha: “Patëm një takim të shkëlqyer sot me Kryeministrin Rama dhe me Bankën Botërore për të parë sesi mund ta ndihmojmë qeverinë e re shqiptare për të sjellë ndryshimin që duan të shohin njerëzit në Shqipëri. Vendin e presin sfida të mëdha dhe ka shumë punë për të bërë. Kryeministri ka një program shumë energjik dhe të vendosur dhe mendoj se fakti që Presidenti i Bankës Botërore ka ardhur për ta takuar atë dhe për t’i thënë se kemi për t’i dhënë mbështetjen tonë të plotë Shqipërisë, na jep shpresë dhe diçka me të cilën mund të punojmë në të ardhmen. Mendoj se takimi ishte i shkëlqyer, konstruktiv, shumë i rëndësishëm”.

 

 

Takimi

Basha, ambasadorit grek: Shqipëria merr statusin brenda vitit si rezultat i reformave të PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje në një takim, ambasadorin e Greqisë, Leonidas Rokanas, ku  u shkëmbyen pikëpamje mbi marrëdhëniet dypalëshe, rajonin dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.  Ambasadori i Greqisë, Rokanas vlerësoi dhe falënderoi Partinë Demokratike për rolin që qeveria e saj luajti në suksesin e projektit më të rëndësishëm ekonomik të rajonit, atë të Gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP. Ai vlerësoi në veçanti punën dhe lobimin e Kryeministrit Berisha për suksesin e këtij projekti, që do të shndërrojë në mënyrë rrënjësore ekonomitë e vendeve tona.  Në takim u diskutua gjithashtu mbi rolin e Partisë Demokratike gjatë qeverisjes së saj në konsolidimin dhe avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe bashkëpunimin edhe në të ardhmen në kuadër të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.  Basha shprehu bindjen se,: “Bashkimi Europian do të miratojë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë brenda vitit si rezultat i punës dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme të qeverisjes së Partisë Demokratike”. Ai e siguroi ambasadorin Rokanas se Partia Demokratike do të vazhdojë luajë një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në procesin e integrimit Europian të Shqipërisë dhe kërkoi mbështetjen e plotë të shtetit fqinj në këtë proces.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency