Kuvendi pritet të votojë të enjten nënkryetarin Vangjel Dule

0
178

Florenc Drizari

Kuvendi voton nesër emrat e komisioneve parlamentare, Meta: Konsensus pozitë – opozitë

Ligjet e qeverisë “Berisha”? Ilir Meta: Do të zbatohet Rregullorja e Kuvendit

 

Rama_52589Konferenca e Kryetarëve miraton me konsensus përbërjen e organeve të Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë mbledhjes së zhvilluar një ditë më parë, krerët e grupeve parlamentare miratuan përbërjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe të Këshillit për Legjislacionin, përbërjen e sekretariateve dhe delegacioneve parlamentare pranë organizmave ndërkombëtarë, si dhe përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Konstituimi i organeve të Kuvendit do të jetë në rendin e ditës së seancës plenare të radhës që do të mblidhet ditën e enjte, rreth orës 10:00.

Pas mbylljes së punimeve nga Konferenca e Kryetarëve, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi se u ra dakord për ruajtjen e raportit mazhorancë-opozitë dhe garantimin e efiçencës së punës së organeve të Kuvendit, veçanërisht në komisionet e përhershme.

Kryetari i Kuvendit, në një prononcim për mediat, deklaroi se PD e PS gjetën konsensus edhe për rendin e ditës.

“Në takimin që kemi zhvilluar sot (dje) paradite me kryetarët grupeve parlamentare kemi rënë dakord që seanca plenare të zhvillohet të enjten paradite. Natyrisht që me konsensus kemi rënë dakord edhe për rendin e ditës, i cili në thelb ka të bëjë me konstituimin e komisioneve të përhershme të Kuvendit, me drejtimin e tyre, me përbërjen e tyre, në përputhje me rregulloren dhe njëkohësisht edhe me përbërjen e sekretariateve dhe të delegacioneve të përhershme të Kuvendit të Shqipërisë dhe natyrisht dhe me miratimin e zëvendëskryetarit të ri Kuvendit, propozuar nga ana e mazhorancës, zoti Dule. Ka qenë një takim i cili është bazuar në vullnetin e krijimit të hapësirave maksimale për të gjitha këto dhe në veçanti për opozitën, gjë që reflektohet në konsensusin që është dhënë nga ana e mazhorancës me kohë, që pavarësisht raporteve elektorale të shprehura edhe në Parlament, ku mazhoranca aktuale është ndjeshëm më e madhe se mazhorance e mëparshme; lidhur me drejtimin e komisioneve të përhershme, do të ruhet raporti i mëparshëm, pasi Partia Demokratike ka bërë tri propozimet e saj për kryetarët e komisioneve”.

PROJEKTLIGJET E QEVERISË “BERISHA”

Kryetari i Kuvendit, i pyetur për futjen në axhendën e punimeve të Parlamentit të disa projektligjeve të qeverisë “Berisha”, Meta tha se përparësi do të kenë ligjet për axhendën integruese të vendit dhe nuk dha detaje të tjera për draftet e qeverisjes së djathtë.

“Do të veprohet në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe me kompetencat që na jep kjo rregullore me transparencë të plotë; natyrisht edhe në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, për sa i takon rendit të ditës të Parlamentit. Por sikurse jua thashë, në radhë të parë na duhet të përfundojmë miratimin e të gjitha këtyre projektvendimeve që kemi diskutuar sot, në mënyrë që të kompletohen të gjitha institucionet që drejtojnë Kuvendin dhe komisionet e tij, që Kuvendi të fillojë punë me kapacitet të plotë 100% në drejtim të përmbushjes së atyre objektivave për të cilët funksionon ky Kuvend dhe janë betuar forcat politike që përfaqësohen”, – tha Meta.

Ndërsa i pyetur nëse z. Berisha dhe znj. Topalli do të jenë pjesë e anëtarëve të komisioneve dhe të delegacioneve parlamentare, kreu i Kuvendit tha se “të gjithë anëtarët, të cilët kanë kërkuar të jenë në komisione janë dhe do të jenë; emrat do të bëhen publike ditën e enjte”.

 

Krerët e komisioneve parlamentare nga PS-ja

Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të Çështjeve Ligjore

Erjon Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë

Arta Dade, kryetare e Komisionit të Jashtëm

Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese

Spartak Braho, kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

Alfred Peza, nënkryetar i Komisionit të Medias

Klodiana Spahiu, nënkryetare e Komisionit të Shëndetësinë

Nënkryetar Kuvendi

Vangjel Dule, nënkryetar i Parlamentit

 

 

Krerët e komisioneve parlamentare nga PD-ja

Majlinda Bregu, kryetare e Komisionit Kuvendor të Integrimit

Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Medias

Albana Vokshi, kryetare e Komisionit të Shëndetësisë

 

 

KQZ miraton 8 vendimet për administrimin e zgjedhjeve në Korçë

Pas dekretimit të datës 3 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Bashkinë e Korçës nga kreu i shtetit Bujar Nishani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje disa vendime që pritet të ndikojnë në administrimin e procesit. KQZ mirato me konsensus modelin e vulës, dokumentacionin zgjedhor, caktimin e partive politike që do të kenë të drejtën e anëtarit të KZAZ-së, si PD, PR, PS e LSI, etj. Këto dhe të tjera vendime u miratuan në një mbledhje të shkurtë të KQZ-së një ditë më parë, ndërkohë partitë kanë zyrtarizuar edhe kandidatët që do të konkurrojnë përballë tyre. Kështu, për koalicionin e majtë për kreun e Bashkisë së Korçës do të kandidojë nënkryetari aktual i këtij institucionin, Sotiraq Filo. Ndërkohë, PD-ja ka vendosur të kandidojë në qytetin Korçës rektorin e Universitetit të Korçës, Gjergji Mero, ndërsa FRD-ja do të garojë me Brikena Zenelin, e cila vjen nga radhët e sipërmarrjes.

Zgjedhjet e parakohshme zgjedhore për kreun e Bashkisë së Korçës pritet të zhvillohen në nëntor pas dorëheqjes së Niko Peleshit, i cili është zgjedhur si zv.kryeministër në qeverinë “Rama”.

Vendimet e KQZ-së

Një ditë më parë, KQZ miratoi me konsensusin e katër anëtarëve të komisionit tetë vendime për administrimin zgjedhor në Bashkinë e Korçës.

KQZ miratoi me katër vota pro projektvendimet për “Miratimin e disa afateve procedurale që lidhen me zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar të Bashkisë Korçë, të datës 3.11.2013”.

Projektvendimin “Për miratimin e modelit të vulës së KZAZ-së, KQV-së, kryetarit të KQV-së dhe vulës rezervë për KQV-në, që do të përdoren për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Korçë, të datës 3.11.2013”.

Projektvendimin “Për miratimin e materialeve zgjedhore dhe dokumentacionit të administrimit të materialeve zgjedhore, që do të përdoren për zgjedhjet për kryetar të Bashkisë Korçë, të datës 3.11.2013”.

Projektvendimin “Për caktimin e partive politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë të KZAZ-së nr. 71, për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e Bashkisë Korçë, të datës 3.11.2013”.

Projektvendimin “Për miratimin e procedurës për hedhjen e shortit për caktimin e partisë që do ë propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-së nr. 71, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Korçë, të datës 3.11.2013”.

Projektvendimin “Për shpalljen e rezultatit të shortit mes partive politike për caktimin e partisë që do ë propozojë anëtarin e shtatë të KZAZ-së nr. 71, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Korçë, të datës 3.11.2013”.

Projektvendimin “Për miratimin e modeleve të vendimeve dhe dokumentacionit të punës, që do të përdoren nga KZAZ nr. 71, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Korçë, të datës 3.11.2013”.

Projektvendimin “Për miratimin e modeleve të kandidimit që do të përdoren për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkisë Korçë, të datës 3.11.2013”.