“Ligji për shërbimin civil” / PD hap faqe online për denoncimet e pushimeve nga puna në administratë

0
179

Florenc Drizari

Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi: PD fton çdo nëpunës që të denoncojë rastet e presionit apo largimit nga puna

 

Në-2013-më-pak-punonjës-në-administratë-300x224Partia Demokratike ka hapur në faqen e saj zyrtare një profil të ri, ku të gjithë të larguarit nga puna në administratë mund të denoncojnë padrejtësitë ndaj tyre. Nisma e PD-së vjen një ditë pas akuzave të bëra në media nga përfaqësues të së djathtës kundrejt mazhorancës socialiste për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin (shërbimin) civil. Demokratët thonë se qeveria po përgatit shtyrjen e ligjit që hyn në fuqi më datën 1 tetor të këtij viti, për të justifikuar shkarkimet nga puna në administratën publike. Pas akuzave publike, PD ndërmori dje nismën për pritjen denoncimeve online dhe deklaroi se faqja do të jetë e aksesueshme në çdo kohë.

NISMA E PD-SË

Me logon “Denonco presionin dhe largimin e padrejtë nga administrata”, Partia Demokratike hapi dje një profil të ri brenda faqes zyrtare të saj në internet www.përpara.al. Në një dritare të kësaj faqeje, çdokush mund të dërgojë një e-mail për shkarkimet nga puna. Duke plotësuar një formular me të dhënat personale, çdokush mund të dërgojë ankesën e tij në adresën e mësipërme. Në fund të kësaj faqeje Partia Demokratike siguron mbështetje ligjore falas për çdo nëpunës të larguar nga puna.

LAURA VORPSI

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së Laura Vorpsi deklaroi se “në këtë portal çdo nëpunës do të marrë këshillim falas për të gjitha të drejtat e nëpunësve, do të mund të denoncojë çdo rast të presionit politik për t’u dorëhequr nga detyra dhe çdo akt për largimin e padrejtë nga administrata”.

“Partia Demokratike fton çdo nëpunës që të denoncojë rastet e presionit apo largimit dhe i garanton ata se do ndërmarrë të gjitha masat për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që përdorin pushtetin për të dhunuar të drejtat e nëpunësve, ushtrojnë presion e ndikim të paligjshëm ndaj tyre dhe abuzojnë me pushtetin për të larguar nga puna stafet profesioniste duke i zëvendësuar me listat e militantëve politikë”, – deklaroi Vorpsi.

Sipas PD-së, “e gjithë administrata është nën presion, ankth dhe pasiguri për vendin e punës dhe vazhdimin e karrierës, në respekt të meritës”.

“Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës, të ndalë presionin mbi administratën, dhe revanshin për spastrimin e saj”, – deklaroi zëdhënësja e PD-së.

Nisma e Partisë Demokratike vjen pas akuzave të bëra në drejtim të qeverisë për shtyrje të hyrjes në fuqi të ligjin për nëpunësin civil. Sipas përfaqësuesve të PD-së, qeveri po tenton të prishë marrëveshjen e 4 majit, ditë në të cilën forcat politike gjetën konsensusin për miratimin e projektligjit për nëpunësin civil duke e votuar atë në Kuvendin e Shqipërisë. Votomi i atij ligji u bë edhe me marrëveshjen që ai të hynte ne fuqi në muajin tetor, për faktin se në atë periudhë vendi ndodhej para fushatës elektorale të 23 qershorit. Votimi i ligjit për nëpunësin civil ishte një nga tri kushtet që Brukseli kishte vendosur për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Mungesa e konsensusit politik mes dy partive të mëdha në vend, bëri që ligjit të votohej në muajin maj të këtij viti.

 

 

Ligji për shërbimin civil, Berisha: Rama po prish konsensusin e 4 majit, gijotinë në administratën publike

Pas nismës së PD-së për denoncimet në faqen e saj të internetit nga përfaqësues të administratës të cilëve u bëhet presion apo janë pushuar nga puna, ka ardhur edhe reagimi i ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha.

Me anë të një publikimi në profilin e tij në internet, në Facebook, Berisha akuzoi shefin e qeverisë Edi Rama se po prish konsensusin e datës 4 maj, duke shtyrë hyrjen në fuqi të ligjit, sipas parashikimit, të ligjit për shërbimin civil duke minuar një nga kushtet që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

Berisha thekson se Rama po e bën këtë veprim bën për të vendosur në gijotinë administratën publike të vendit, për kualifikimin e të cilës janë shpenzuar qindra milionë euro nga shteti dhe partnerët tanë.

“Të dashur miq, Edvini po prish konsensusin e datës 4 maj, duke shtyrë hyrjen në fuqi, sipas parashikimit, të Ligjit për Shërbimin Civil, që ishte njëri nga tre kushtet që Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat. Këtë veprim po e bën për të vendosur në gijotinë administratën publike të vendit, për kualifikimin e të cilës janë shpenzuar qindra milion euro nga shteti dhe partnerët tanë. Është kjo administrate që me aftësitë, përkushtimin e saj, projektoi dhe zbatoi këto 8 vite një univers reformash që bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, firmosjen dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, heqjen e vizave dhe rekomandimin për statusin e vendit kandidat. Këto reforma garantuan rritjen ekonomike, dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, ndërtimin e mbi 10 mije km rruge, 1300 shkollave, 700 ujësjellësve dhe kanalizimeve, 400 qendrave shëndetësore dhe spitaleve, etj. Rama njeriu qe 8 vjet punoi kundër integrimit tani prish konsensusin dhe minon statusin qe ishte i sigurt! Ky është vetëm fillimi!!”, – shkruan Berisha.

 

 

 

Eduard Halimi

“Ditët e fundit qeveria ka paralajmëruar ndërhyrjen tek ligji “Për statusin e nëpunësit civil”, që hyn në fuqi më 1 tetor 2013, me qëllim shtyrjen e këtij afati. Opozita dhe mbarë qytetarët e dinë se kjo lëvizje bëhet për t’i hapur rrugë përndjekjes së administratës publike, spastrimit politik të saj dhe zëvendësimit të stafeve profesionale me listat e militantëve politikë që kanë aplikuar në selinë e PS-së.

Dashamir Shehi

“Një ligj për shërbimin civil i duhet Shqipërisë dhe pavarësisht periudhës transitore për sa i përket ndërrimit të pushteteve. Shtyrja e ligjit nuk ka logjikë. Ligji mund të mos jetë perfekt, por mund t’i nënshtrohet debatit parlamentare. Nëse kjo mazhorance ka objeksionet e veta, këto mund t’i shtrojë në seancë, numrat i ka për të bërë korrigjimet e nevojshme”.